E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi ndaj Bollanos, Ksera kundër Dules

 

Procesi gjyqësor ndaj kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, përplasin publikisht prefektin e Gjirokastrës Spiro Ksera dhe kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Kreu i PBDNJ dhe i “Omonias” për rrethin e Gjirokastrës, njëkohësisht përfaqësuesi më i lartë i qeverisë shqiptare në jug të vendit, ka shprehur opinionin e tij rreth çështjes më të përfolur e cila vuri në lëvizje të gjithë lidershipin e PBDNJ dhe “Omonias”, pas kërkesës së Prokurorisë për dënimin e Bollanos me një vit burg dhe gjobë. Ksera është shprehur se “Prokuroria bën punën e vet si një organ i pavarur ndërkohë që Vasil Bollano është lideri i minoritetit etnik grek në Shqipëri”. Prefekti i Gjirokastrës ka garantuar se nuk do t’i bëhet presion dhe as do të ndërhyhet tek organi i akuzës, pasi është institucion i pavarur dhe si i tillë respektohet. Pak ditë më parë, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule akuzoi sistemin e drejtësisë në Shqipëri për Bollanon. “Ai që flet për të drejtat e minoriteteve shpeshherë është i paragjykuar, shpeshherë gjendet edhe i akuzuar, shpeshherë kërkohet edhe penalizimi i tyre, siç ndodh në rastin e kryetarit të Bashkimit Demokratik të minoritetit etnik grek, Vasil Bollano, për faktin e vetëm se kërkon që edhe në Shqipëri të zbatohet konventa kuadër për të drejtat e pjesëtarëve të minoriteteve etnike, siç ka vendosur Parlamenti shqiptar”, theksoi Dule. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, organizata “Omonia” kritikoi qëndrimin e qeverisë shqiptare, e cila sipas saj po hesht ndaj sulmit që po i bëhet Bollanos, që në të njëjtën kohë është edhe kryetar i kësaj organizate. “Heshtja absolute që mban qeveria shqiptare, ndonëse është në dijeni të thelbit real të çështjes, e bën atë bashkëfajtore. Pas këtyre “Omonia”, në mbledhjen vijuese të organeve të saj që do të mbahet shumë shpejt, ka për të rishikuar çështjen e mbështetjes që i jep qeverisë nëpërmjet PBDNJ-së”, thuhet në komunikatën për shtyp. Në të njëjtën kohë, “Omonia” thekson se pretenca e prokurorit të Vlorës, e cila kërkon dënimin me një vit burg të Bollanos, provokon ndjenjat e pjesëtarëve të minoritetit grek në Shqipëri. Bollano akuzohet për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në aksin rrugor Qeparo- Llogara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›