Meta: “Koha për Veprim” që të çojmë Berishën në pension
Kreu i LSI-së Ilir Meta gjatë një takimi në qytetin e Fierit, ku janë pranuar dhe kanë marrë teserën 320 anëtarë të rinj, shpalli dhe sloganin elektoral të kësaj partie. “Koha për Veprim” duket se do të jetë slogani elektoral i kësaj partie në zgjedhjet e 28 qershorit. Pritet që kryesia e LSI-së të marrë sot vendimin zyrtar për këtë slogan për të cilin është konsultuar dhe me kompaninë amerikane që angazhohet me LSI-në për fushatën. “Është ‘Koha për Veprim’ sepse të rinjtë kanë nevojë për më tepër mundësi sesa ofrohen sot për të ardhmen e tyre”, tha Meta para pjesëmarrësve në këtë takim. Kreu i LSI-së, duke iu rikthyer edhe njëherë deklaratave të Kryeministrit Berisha, tha se asnjëherë nuk ka rënë pre e diversionit të Sali Berishës. “LSI asnjëherë nuk ka rënë pre e diversioneve të Sali Berishës për të përçarë opozitën. Ne çdo ditë punojmë në mënyrë të sinqertë dhe pa ekuivok për fitoren e koalicionit që ne përfaqësojmë dhe që ne drejtojmë. Ndaj dhe nuk ka pse të habitet askush, kur ne theksuam për të disatën herë që LSI-ja në rast se nuk i fiton zgjedhjet vetëm me koalicionin e saj, do të bëjë koalicion me partitë e majta dhe konkretisht me PS-në”, tha Meta. Por sipas tij, LSI mbetet e palëkundur në dëmin që i është bërë kushtetutës nga dy partitë kryesore. “Nuk ka ndryshuar qëndrimi ynë për dhunimin e Kushtetutës, qëndrimi ynë është i njëjtë. Nuk kanë ndryshuar as pikëpamjet tona për Kodin Zgjedhor, sepse ashtu sikurse u interpretua ai, ne e kishim paralajmëruar se do vinte në rrezik të madh standardin e zgjedhjeve, që sot me të drejtë flasin dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste”, tha Meta.