Banka: Po fillojnë efektet e krizës, gati të hedhim para
Fabiola Çela
Kriza botërore ka nisur të japë efektet e saj edhe në ekonominë vendase. Në raportin më të fundit të Bankës së Shqipërisë, theksohet se të ardhurat e emigrantëve kanë pësuar rënie dhe kjo është një nga efektet negative të krizës globale në vend. Në një situatë të tillë, Banka e Shqipërisë ka deklaruar se është e gatshme të hedhë para në treg, në mënyrë që të kapërcehet kjo situatë.
Kriza
Edhe pse një ekonomi e vogël, Shqipëria nuk mundi t’i bëjë dot ballë furtunës së shkaktuar nga kriza globale financiare. Por në krahasim me ekonomitë e vendeve të mëdha, efektet e krizës në Shqipëri janë më të lehta. “Viti 2008 dëshmoi një thellim të dukshëm të deficitit të llogarisë korrente, si pasojë e rritjes së shpejtë të importeve dhe e rënies së remitancave gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit. Deficiti i llogarisë korrente arriti rreth nivelit 14.9 për qind të PBB-së, krahasuar me nivelin 11 për qind të shënuar në vitin 2007. Të dhënat për tregtinë me jashtë në muajin janar 2009 tregojnë për një korrektim të kësaj tendence, duke shënuar ulje të importeve dhe përmirësim të deficitit tregtar”, thuhet në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë. Përballë një situate të tillë, ku kriza financiare ndërkombëtare po jep efektet e saj negative në ekonominë vendase, Banka e Shqipërisë ka deklaruar se është e gatshme të hedhë para në treg. “BSH-ja fton agjentët ekonomikë dhe aktorët e tjerë institucionalë të adoptojnë një qëndrim të ngjashëm dhe të marrin masat e duhura për përmbushjen e tij. Në aspektin mbikëqyrës dhe operacional, Banka e Shqipërisë mbetet e vendosur për të marrë të gjitha masat e lejuara nga hapësira e saj ligjore dhe nga nevoja për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, për të mbështetur ekonominë me likuiditet dhe për të garantuar shëndetin e sistemit financiar”, thuhet në raport.
Sistemi bankar
Bankat që operojnë në tregun vendas nuk janë infektuar nga kriza e bankave në botë. Megjithatë si pasojë e krizës është vënë re një ulje e rimit të rritjes së kredidhënies në vend, pra bankat kanë tkurrur dorën në dhënien e kredive. “Oferta monetare ka shënuar një ngadalësim të mëtejshëm të ritmit të rritjes së saj vjetore, përgjatë muajit janar. Ky ngadalësim ka reflektuar rritjen më të ngadaltë të kredisë për ekonominë dhe ritmet më të ulëta të rritjes vjetore të depozitave”, thuhet në raport. Sipas BSH-së, duke e pastruar nga efektet e lëvizjes së kursit të këmbimit, rritja vjetore e portofolit të kredisë ka shënuar një ngadalësim të mëtejshëm në muajin janar, duke arritur vlerën 32 për qind. Ky ngadalësim reflekton shtrëngimin e kushteve të kreditimit nga bankat dhe riorientimin e aktivitetit të tyre kreditues drejt kredisë në lekë. Në terma vjetorë, kredia në lekë u rrit me 34 për qind, kurse ajo në valutë me 30 për qind. Gjithashtu, sjellja e bankave gjatë muajve të fundit ka dëshmuar për një rritje të interesimit të tyre për kreditimin e biznesit, ndërkohë që interesi i bankave për kreditimin e individëve apo huave hipotekare paraqitet në rënie. Portofoli i kredisë për biznese, në terma vjetorë, është rritur me të njëjtin ritëm si edhe një muaj më parë (35 për qind), ndërkohë që portofoli i kredisë për individë ka pasqyruar frenim të mëtejshëm të normës së rritjes në 26.1 për qind.