Kalderon, kundër Shuster: Ky po na shkatërron
Duket se Bernd Shuster nuk do ta ketë të gjatë në pankinën e Realit të Madridit. Trajneri gjerman nuk ka mbajtur premtimet për lojë të bukur dhe rezultate, pasi skuadra brenda pak javësh është eliminuar nga Liga e Kampioneve dhe Kupa e Mbretit, ndërsa edhe diferenca në kampionat me Barcelonën është ngushtuar ndjeshëm, duke mos e bërë të sigurt as suksesin në këtë turne. Edhe vetë presidenti Ramon Kalderon nuk e duron më një situatë të tillë dhe sipas mediave spanjolle, ka shfryrë dufin e tij në një takim me drejtorin teknik, Predrag Mijatoviç. "Nëse ky nuk ndryshon, do të shkatërrohemi", mësohen të kenë qenë fjalët e presidentit të madrilenëve duke iu referuar Shusterit. Shkak për këtë shpërthim është bërë edhe paraqitja e lojtarëve të dëshiruar nga Shuster gjatë merkatos verore, për të cilët madrilenët kanë shpenzuar shumë. Saviola, Pepe, Roben, Shnajder, Metzelder, Hainze dhe Drenthe kanë rezultuar të gjithë si dështime të merkatos.