E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaziragi: Anulimi i ndeshjeve të Shqipërisë do të ishte i gabuar

Pezullimi i Shqipërisë nga arena ndërkombëtare ka shkaktuar shumë panik jo vetëm brenda 28 mijë kilometrave katrorë, por edhe në Itali. Situata e rënduar në futbollin tonë, ku FIFA dhe UEFA akuzojnë shtetin për ndërhyrje politike në Federatën e Futbollit, ndiqet me vëmendje nga aktorët e futbollit përtej Adriatikut. Trajneri i 21-vjeçarëve "axurrë", Pierluixhi Kaziragi është i shqetësuar, sepse kualifikimi i skuadrës së tij për në fazën finale të Euro 2009 për U-21, mund të ndikohet nga vendimi për skuadrën e drejtuar nga Artan Bushati. Në rast të anulimit të ndeshjeve të Shqipërisë, Italia rrezikon të humbasë kreun e grupit. Kuqezinjtë, që renditen në vendin e katërt në grup me 10 pikë të grumbulluara, duhet të luajnë me Greqinë, Kroacinë dhe Azerbajxhanin. Nëse FIFA dhe UEFA vendos që Shqipëria do t‘i humbë ndeshjet në tavolinë, italianët dëmtohen, megjithatë kanë shumë shanse të kualifikohen. Por, ata i tremben një vendimi të mundshëm për të anuluar të gjitha ndeshjet e luajtura deri më tani nga Shpresat: skuadra e Bushatit ka mposhtur Kroacinë në Elbasan, që në këtë rast mund t‘u "vidhte" kreun italianëve. "Shpresoj që UEFA të marrë masa të arsyeshme dhe që mos të vënë në dyshim rregullsinë e këtyre eliminatoreve", deklaroi Kaziragi për mediat italiane. "Hipoteza e parë, pra ajo që Shqipëria humbet ndeshjet në tavolinë dhe Greqia e Kroacia fitojnë tri pikë të lehta, na dëmton. Ndërsa për alternativën e dytë (anulimin e të gjitha ndeshjeve që kuqezinjtë ‘e vegjël‘ kanë zhvilluar), as që nuk dëshiroj ta mendoj. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë renditja përfundimtare e grupit kualifikues do të ishte e falsifikuar".

Të gjitha ndeshjet e kombëtares së 21-vjeçarëve shqiptarë janë shtyrë pa afat. Gjithçka do të varet nga zgjidhja e konfliktit që FSHF ka me Ministrinë e Sporteve. Përgjigjja finale mund të vijë në muajin maj, ku nëse shteti nuk tërhiqet nga ndërhyrjet, Shqipëria rrezikon përjashtimin në Kongresin e FIFA-s.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›