Morati i mërzitur nga Interi, mendoi të largonte Mançinin
Humbja e së shtunës me Juventusin mund të kishte shkaktuar më shumë probleme tek Interi (rihapja e garës për titull ka ndryshuar humorin në ambientin zikaltër). Nëse Del Piero dhe Trezege nuk do të kishin shpërdoruar disa momente ideale për të shënuar (kur rezultati ishte 2-0 për bardhezinjtë), Roberto Mançini do të ishte larguar nga drejtimi i kampionëve të Italisë. E përditshmja "La Repubblica" ka zbuluar se presidenti Masimo Morati ka qenë tejet i nxehur nga rënia e skuadrës, të cilës i shtohen edhe deklaratat e trajnerit, që pas humbjes me Liverpulin tha se në fund të sezonit do largohej. Ideja për të larguar menjëherë trajnerin ka kaluar në kokën e padronit zikaltër, por ndërhyrja e kapitenit Zaneti, Materacit dhe Kambiasos i shpëtoi vendin Mançinit. Lojtarët kërkuan që gjithçka të qëndrojë e pandryshuar deri në fund të sezonit, edhe sepse momentalisht nuk ekzistojnë alternativa reale. Skuadra duket e bashkuar edhe pse Roma e vendit të dytë është 4 pikë larg. Interin e presin dy transferta shumë të vështira: me Lacion dhe Atalantën. Më pas është ndeshja në shtëpi me Fiorentinën. Tri ndeshje që do të ndikojnë në luftën për titullin kampion, por edhe në të ardhmen e Mançinit. Është e pamohueshme që marrëdhëniet ndërmjet Moratit dhe Mançinit janë krisur, e takimi sqarues ka sjellë një "armëpushim" që në fund të sezonit do të përfundojë në "divorc". Trajneri nga ana e tij ka pranuar se "presidenti ishte shumë i mërzitur pas humbjes dhe ka të drejtë". Të humbasësh në "San Siro" me Juventusin, pas konflikteve gjatë dhe pas "Calciopolit" nuk i ka pëlqyer drejtuesit më të lartë të klubit. Megjithatë, mërzia nuk ka ardhur vetëm nga përulja përballë rivales së vjetër: që prej ndeshjes së humbur 2-0 me Liverpulin më 19 shkurt (që u pasua nga eliminimi në Champions), kriza është thelluar. Interi ka humbur dy ndeshje në kampionat (të cilave u shtohet edhe ndeshja e kthimit me skuadrën e Rafa Benitez), nuk di më si fitohet jashtë fushe (suksesi i fundit daton 10 shkurt në Katania), ka humbur avantazhin ndaj Romës në klasifikim, nga 11 pikë në javën e 23-të (më 17 shkurt) në 4 pikë në javën e 30-të. Në 11 javët e para të fazës së dytë zikaltërit kanë marrë 19 pikë, ndërkohë që në 11 javët e para të kampionatit ata kishin 25 të tilla. Kur duhen edhe tetë ndeshje nga mbyllja e Serisë A, fitimi i titullit nuk duket më aq i sigurt. Shkak tjetër që ka shtyrë Moratin të mendojë ndryshimin e trajnerit janë edhe zgjedhjet taktike të Mançinit, duke filluar nga lënia jashtë skuadre e Kambiasos, aktivizimi i vonshëm i Manike, për të arritur tek aktivizimi në të njëjtën kohë i Kivut dhe Stankoviç në mesfushë.
Në këtë mënyrë zërat që vijnë nga Anglia, ku tabloidët kanë folur për një tjetër kontakt të Moratit me Hoze Murinjon, bëhen edhe më të besueshëm. "The Guardian" ka folur për biseda ndërmjet përfaqësuesve të klubit italian me trajnerin portugez. Të përditshmet britanike këmbëngulin se gjatë javës së kaluar ka pasur një takim ndërmjet menaxherit të teknikut luzitan dhe njerëzve pranë skuadrës zikaltër. Në ditët në vijim duket se palët do të bisedojnë sërish, tashmë në mënyrë më konkrete. Së fundmi, në listën e pasardhësve të mundshëm të Mançinit është shtuar edhe Pol Ins. "Kur ai tha se do të largohej në fund të sezonit, fillova të ëndërroj, tha ish-lojtari zikaltër (ka luajtur për dy vjet 1995-‘97), që tashmë është trajner i Maklesfilld Taun. E pranoj se fillova të ëndërroj. Një ditë do të kthehem në Milano, pasi aty tifozët më duan dhe unë i dua ata".