E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalemi: Ne, vetëshkatërrimi

Pakti me të ligën, alternativa më e “klikuar” në ditët e sotme. Është thelbi që do të përçojë sot premiera e shfaqjes “Kthesa” në Teatrin Kombëtar. Vepra vjen e shkruar nga autori Tanket Dorst, por në skenë ajo do të ngjitet nga regjisori Mikel Kalemi, i cili në qendër të ngjarjes fokuson problematikat prezente të shoqërisë sonë. “Buxheti financiar prej 600 mijë lekësh të reja, i akorduar nga MTKRS-ja, ishte një shumë modeste”, ka pohuar dje regjisori

Kalemi: Ne, vetëshkatërrimi

Pakti me të ligën, alternativa më e “klikuar” në ditët e sotme. Është thelbi që do të përçojë sot premiera shfaqjes “Kthesa” në Teatrin Kombëtar. Vepra vjen e shkruar nga autori Tanket Dorst, por në skenë ajo do të ngjitet nga regjisori Mikel Kalemi, i cili në qendër të ngjarjes fokuson problematikat prezente të shoqërisë sonë. “Vepra i flet shumë shoqërisë, apo gjendjes në të cilën ne ndodhemi aktualisht. Lufta që ne bëjmë me njëri-tjetrin për të ngjitur shkallë suksesi dhe arritjet në jetën tonë, ku unë, ti, apo gjithkush kemi shërbyer si shkallë apo kemi përdorur si të tilla gjithsecilin, njeriun, vetveten. Jemi ne kundër nesh”, - është shprehur regjisori i veprës, Mikel Kalemi, gjatë ditës së djeshme në një konferencë për shtyp.

Ngjarjet e rënda të jetës së përditshme ku çdo njëri prej nesh dashur, pa dashur, bëhet prezent, për regjisorin kanë luajtur një rol vendimtar që të përcjelle tek publiku veprën e dramaturgut të njohur Dorst. “Rrallëherë ndodh të shfletoj ndonjë gazetë të përditshme dhe pothuajse gjithmonë në to ndeshem me artikuj, që jo vetëm më tmerrojnë, por edhe më trishtojnë, kur kuptoj se si shoqëria jonë mbijeton në një lëmsh që s’i gjendet as fillimi, as fundi, një lëmsh kriminaliteti, paturpësi, poshtërisë, vjedhje etj. Kuptoj fare mirë se si ky lëmsh përpin vetveten me një lëvizje që nuk e ndal do, dhe ne që “pretendojmë” se po evoluojmë, po ecim në rrugën e mirëqenies, të zhvillimit, të emancipimit”, - thotë Kalemi, duke shtuar se “është kaq prezent pra, problematika që paraqet kjo vepër na kujton edhe një herë se ku arrijmë kur shpërfillim çdo gjë që na rrethon në përpjekjen drejt “progresit tonë”, por ne i kemi paralizuar neuronet e ndjeshmërisë morale, etike, humane”.

Ai nuk harron të përmendë edhe peshën e përgjegjësisë që i rëndon mbi supe për iniciativën që ka ndërmarrë duke sjellë në TK një vepër kaq të madhe.

Hapësira për regjisorët e rinj kanë qenë të disponueshme, bashkë me një shumë të caktuar financuese, ndonëse për regjisorin ishte një mbështetje modeste dhe aspak e mjaftueshme. Sipas tij, kostoja e shfaqjes e tejkalonte shumën e akorduar nga ministria, ndërkohë ai tregon se u është dashur të gjejnë edhe mënyrë të tjera financuese. “Buxheti financiar prej 600 mijë lekësh të reja të akorduar nga MTKRS-ja ishte një shumë modeste. Menaxhimi financiar ishte shumë i vështirë për të realizuar këtë shfaqje. Është pothuajse e pamundur për të bërë një shfaqje me një kosto të tillë në dispozicion. Megjithatë, edhe me pak para dhe me mbështetjen e Bashkisë së Sarandës po ia dalim mbanë”, - thotë Mikel Kalemi. Regjisori Kalemi tha se "Kthesa" është një vepër e shkruar në vitet ‘60, kur Gjermania përballej me probleme sociale, ekonomike dhe politike të njëjta me atë, të cilat përballet sot Shqipëria dhe kjo është arsyeja pse unë kam zgjedhur këtë vepër për ta vënë në skenë, pasi ajo i vlen shumë shoqërisë sonë dhe gjendjes ku ne ndodhemi. Në këtë dramë, interpretojnë aktorët Saimir Braho, Gentian Zenelaj dhe Anastas Nika.

Aktori Saimir Braho u ndal në lajtmotivin që do të transmetojë në këtë vepër, e cila qëndron në faktin se deri ku mund të shkojë njeriu, apo çfarë pazari mund të bëjë me të ligën dhe të keqen për të mbijetuar.

Ndërsa aktori Anastas Nika, në rolin e vet si zv.ministër Transporti, të cilin e vrasin për të mbrojtur mënyrën e jetesës, u ndal në subjektin e veprës, e cila ka të bëjë me dy vëllezër, njëri prej të cilëve, Rudi, riparon makinat, ndërsa Toni shkruan dhe reciton fjalimet e përmortshme në varrimet e viktimave. Fare pranë banesës së tyre ndodhet një kthesë e fortë, defektet e së cilës bëhen shkak për aksidente të shumta. Deri në çastin kur fillon veprimi skenik kjo kthesë ka shkaktuar 24 aksidente, e të gjitha të përfunduara me vdekje. Dy vëllezërit kanë ngritur mbi këtë bazë jetesën e tyre: Rudi riparon makinat, ndërsa Toni shkruan dhe reciton fjalimet e përmotshme në varrimet e viktimave. Nëse nuk do të ekzistonte kjo kthesë e vdekjes, dy vëllezërit do të vdisnin urie. Megjithatë, Toni nuk rresht së dërguari peticione për Ministrinë e Transportit me shpresën se thirrjet e tij të dëshpëruara do të dëgjohen një ditë nga ministria dhe do të marrë masa për rregullimin e rrugës. Ky qëndrim e vë Tonin në konflikt të heshtur me Rudin, i cili pasi ka humbur çdo shpresë a besim tek institucionet, ngushëllohet me faktin se kështu të paktën është në gjendje të sigurojë jetesën. Kjo vazhdon derisa një ditë të bukur në kthesë aksidentohet pikërisht zëvendësministri i Transporteve, Erik Krigbaum, njeriu të cilit Toni i ka dërguar më kot plot 24 peticione. Por Krigbaum ka lindur me këmishë. Ai shpëton për mrekulli, ashtu si askush nuk ka mundur të shpëtojë më parë pas përplasjes me një shkëmb. Kjo ngjarje zbeh gëzimin e parakohshëm të Rudit për punë dhe të ardhura dhe nga ana tjetër ndez entuziazmin e Tonit se çasti fatlum ka ardhur se më në fund zëvendësministri do ta kuptojë shqetësimin e tij dhe do të marrë masat e duhura që asnjë jetë të mos humbasë.

Por Toni ka shpresë më kot. Zëvendësministri ka kaluar andej vetëm rastësisht dhe as që ka ndërmend të bëjë detyrën e tij, domethënë të urdhërojë kryerjen e punimeve rehabilituese në këtë pjesë të rrugës. Ai nuk ndjen asnjë keqardhje për viktimat, për të cilat ai ka pafytyrësinë të mbrohet, duke thënë se “nuk mund t’i marrësh seriozisht peticionet e shkruara me dorë...(!)”. Shqetësimi i tij i vetëm, pasi ka mbijetuar është të kthehet sa më parë në shtëpi pa e marr vesh njeri se ç’i ka ndodhur. Për t’ia arritur kësaj, ai arrin të bëjë premtime elektorale, bëhet servil dhe i përulur vetëm e vetëm që dy vëllezërit t’ia rregullojnë makinën dhe ta lënë të shkojë një orë e më parë. I zhgënjyer dramatikisht në iluzionet e tij, Toni i dorëzohet presionit të Rudit, që nuk mungon t’i vërë në dukje në çdo rast që i jepet, se ai Toni është vetëm një parazit që jeton në kurriz të të vëllait dhe ... në sajë të aksidenteve që ndodhin në kthesë, për t’u hakmarrë ndaj poshtërsisë së zëvendësministrit Toni, e vret atë me thikën e xhepit. Kjo vepër do të shfaqet premierë në skenën e Teatrit Kombëtar në datat 16 dhe 17 tetor, për t'ua lënë radhën më pas prezantimit edhe të katër premierave të tjera.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›