Kalendari sportiv, si sot me 8 korrik

1923 – U lind amerikani Harrison Dillard, vrapues në 100 metra, fitues i 4 medaljeve të arta olimpike më 1948 e 1952.
1952 - U lind Ulrih Veling, nga Gjermania Lindore, kampion olimpik më 1972, 1976 e 1980, në kros në natyrë.
1956 - U lind Millard Frank Hampton, SHBA, vrapues në 4x100 metra, kampion olimpik më 1976.
1977 - U lind Kristian Abiati, portier italian, ka luajtur (ndër të tjera) me Milanin e Juventusin. 1980 - U lind Robi Kin, futbollist i kombëtares së Irlandës.
1981 - U lind Anastasia Mishkina, teniste ruse.
1990 – Gjermania Perëndimore fiton Kupën e Botës për të tretën dhe të fundit herë, para se të bashkohej me Gjermaninë Lindore pak muaj më vonë. Mundi 1-0 Argjentinën, në finalen e luajtur në stadiumin "Olimpico" të Romës.
1991 – Gjyqtari i bejsbollit, Stiv Palermo dhe ish-mbrojtësi i futbollit amerikan, Terens Man, goditen me armë zjarri ndërsa u përpoqën të shpëtonin dy kamariere nga grabitja.
Si sot 17 vjet më parë
Gjermania Perëndimore, triumfi i fundit
Më 8 korrik 1990, Gjermania Perëndimore u bë vendi më i suksesshëm në kampionatet botërorë, duke fituar titullin për herë të tretë, ndërkohë që kishte dalë nënkampione edhe tri herë të tjera. Suksesi do të zgjaste vetëm katër vjet, pasi më 1994, Brazili fitoi Kupën e katërt. Në finalen e luajtur në stadiumin "Olimpico" të Romës, gjermanët mundën Argjentinën, 1-0, falë golit të shënuar me penallti nga Andreas Brehme, në minutat e fundit. Finalja ishte një nga ndeshjet më të shëmtuara në historinë e botërorëve, ndërkohë që vetë Italia '90 ishte një botëror i dobët, me mesatare të ulët golash dhe me 16 kartonë të kuq, rekord në atë kohë. Në finale ishte Gjermania që sulmoi gjatë gjithë kohës, por pa finesë e krijimtari, ndërsa Argjentina e yllit Diego Maradona mendoi vetëm për mbrojtjen. Personazh ishte edhe gjyqtari meksikan Edgardo Kodesal, i cili dha një penallti të dyshimtë për Gjermaninë, ndërkohë që kishte mohuar dy të qarta, një për Augentaler dhe një për Monzon. Megjithë hijet e finales, Gjermania Perëndimore ishte fituese e merituar e turneut, ndërsa Franc Bekenbauer u bë njeriu i dytë, pas Mario Zagalos, që fitonte botërorin si lojtar e trajner. Gjithashtu, ishte aktiviteti i fundit ku Gjermania merrte pjesë e ndarë. Vetëm shtatë ditë më parë, më 1 korrik 1990, ishte bërë bashkimi ekonomik i dy Gjermanive, me hyrjen e Deutsche Mark edhe në Lindje, ndërsa pak kohë më vonë, më 3 tetor, u realizua edhe bashkimi politik i dy vendeve, duke fshirë nga harta e Evropës ish-RDGJ. Pa u mbushur ende një vit nga shembja e murit të Berlinit, Gjermania e bashkuar festonte triumfin e tretë botëror.