E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Luani” Krasniqi, gati për “Tigrin” Tompson

Luan Krasniqi thotë se është gati për ndeshjen tepër të rëndësishme të boksit kundër amerikanit Toni Tompson. Ky i fundit ka epitetin "Tigri" dhe media gjermane, konkretisht "boksing.de" e thekson kuptimin e emrit të Krasniqit, "Lëve" (Luan). Një javë para ndeshjes, junikasi që lufton për Gjermaninë e ka përfunduar njërën fazë të përgatitjeve të tij dhe tani do të stërvitet me ngarkesa më të ulëta. Pjesa më e madhe e stërvitjes ka qenë në qytetin e tij të banimit, Rotvajl, në prani të trajnerit Torsten Shmic dhe kolegut dhe mikut të tij, Firat Arslan. Krasniqi ka një mundësi të madhe, pra që të fitojë nga "Tigrit" Tompson dhe të sigurojë një tjetër ndeshje për titull botëror në peshat e rënda të federatës UBO. "Unë dua dhe duhet që ta fitoj këtë ndeshje ndaj Tompsonit, - thotë Luani, - gjithcka tjetër është dytësore në krahaim me këtë qëllim". Si i duket Tompsoni? "Cdo rival është i rrezikshëm, por gjithsecili mund të goditet, - vazhdon shqiptari nga Kosova, - vetëm duhet të dihet sesi dhe sa fort ta godasësh. Unë nuk mund të bëjë parashikime, sepse vetëm ringu do ta tregojë sesa do të zgjasë ndeshja dhe se kush do të fitojë. Sidoqoftë, unë jam i përgatitur edhe nëse ndeshja shkon deri në 12 raunde".
"Kam dëshirë që ta mbaroj ndeshjen sa më parë të jetë e mundur, - vazhdon Krasniqi, - por nuk do të rrezikoj, nuk do bëj aventurë për këtë". Fitorja e 14 korrikut do të ishte një etapë e rëndësishme në karrierën e tij, ndërsa Luani nuk ka dëshirë të hyjë në luftë verbale me amerikanin, ndonëse Tompsoni ka folur jo pak. Krasniqi thotë se do të flasë të hënën, në konferencën e shtypit për ndeshjen, si dhe të shtunën në ringun e Hamburgut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›