Një "shkues" i kohëve moderne që meriton vëmendje
EMAIL NË KONTAKT.SHEKULLI@GMAIL.COM
Përshëndetje redaksia! Do të doja të trajtonit në një artikull të rubrikës suaj temën e chat-it? Si rezulton njohja nëpërmjet internetit, a ka statistika, a lidhen vërtetë njerëzit aty apo është një burim incidentesh etj. Faleminderit. Sara Xh.
PËRGJIGJET PËR SHEKULLI-KONTAKT
Një "ndërmjetës/shkues" i kohëve moderne. Ndoshta është përkufizimi më i saktë që mund t'i bëhet chat-it, kësaj mënyretë komunikuari në internet që ka bërë për vetë miliona të rinj anë e mbanë botës. A mund të biesh vërtet në dashuri si rezultat i një njohjeje virtuale (në internet)? Jemi paranjë pyetjeje të vështirë. Eksperienca botërore tregon se si rezultat i këtyre njohjeve janë realizuar edhe shumë martesa, por edhe miliona zhgënjime të përditshme. Për vendin tonë është shumë shpejt të flitet edhe pse vitet e fundit chat-i ka filluar të përdoret masivisht nga të rinjtë. Statistika nuk ka, për fat të keq, e dashur Sara! Por ne, për t'iu përgjigjur në njëfarë mënyre pyetjes tuaj, realizuam një minisondazh më të rinj dhe të reja në Tiranë. Të gjithë të intervistuarit e "Shekulli-Kontakt" pohuan se përdornin internetin dhe se flisnin me mesenxher (msn). Por kur gjendeshin para pyetjes: A mund të biesh në dashuri nëpërmjet chat-it, përgjigjet ishin relative. Ja disa mendime: "Kur flet me dikë në chat, ekziston gjithmonë rreziku që të zhgënjehesh pafundësisht. Prandaj, idealja është që të ruhen kufijtë, njeriu të jetë gjithmonë me këmbë në tokë dhe të mos krijojë iluzione. Njohja reale mund të jetë një zhgënjim dheje po ti që do i vuash pasojat",- tha Blerina, studente në Fakultetin e Ekonomisë.
Kurse Dritan Kodra, maturant nënjë shkollë private në Tiranë, tha: "Në dashuri nuk ka kushte, kështu që më duket normale që dy njerëz të dashurohen nëpërmjet internetit. Sigurisht, gjithmonë do ketë zhgënjime, por zhgënjime ka edhe kur njohjet janë bërë nga afër. Pra, është një mënyrë si gjithë të tjerat për t'u njohur, me të njëjtat rreziqe dhe përparësi...".
Për Marsilda Mahmutllarin, studente për Gjuhë-Letërsi, edhe lidhja në chat "varet nga karakteri i njeriut dhe motivi me të cilin hyn...".
NJË HISTORI
Ç'mendojnë ata që kanë përjetuar një histori chati.Ja çfarë ka rrëfyer për "Shekulli- Kontakt" A.H.,nga Tepelena, studente për Ekonomi në Tiranë: "...Ishte data 1 janar. Bashkë me një shoqe vendosëm të shkojmë në Internet. Ajo më regjistroi në "Skype", një adresë chat-i. Atë ditë do të futej dhe Xhanluka, një djalë italian nga Kozenca. Ishte 24-vjeç dhe studionte për Inxhinieri Elektronike. I thashë që edhe unë jam studente në Tiranë dhe që studioja për Ekonomi. Pas 3 ditësh folëm më shumë dhe po na pëlqente gjithnjë e më shumë të komunikonim me njëri-tjetrin. Vendosëm të shkëmbenim adresat e msn. Flisnim për gjëra të përditshme. Vendosëm të shiheshim dhe me kamera nëpërmjet internetit. Në monitor më doli një djalë i ëmbël dhe simpatik. Habitesha që po bëja një gjë të tillë, s'më kishte ndodhur kurrë më parë. Kishte dy muaj që po më thoshte: "Do të vij në Tiranë". Kur një ditë më solli një sms, ku më thoshte se kam prerë biletën, dhe pasnesër jam në Shqipëri. U emocionova! Do të takoja nga afër dikë më të cilin kisha folur gjatë. Në aeroport shkova bashkë me një shoqen time. Kur zbriti nga avioni e njoha menjëherë. U takuam si miq, si shokë. U akomodua në një hotel në Tiranë, ndërkohë që unë vendosa t'i tregoj pak Shqipërinë. Ishte po ai djali i ëmbël dhe i sinqertë që më doli në kamera. Ndenji një javë. I tregova Dajtin, lokalet e Bllokut e pastaj Vlorën. Kur shkuam në Vlorë, u sëmur. Më erdhi keq se nuk arriti të lahej në Detin Jon, që e kishte fiksim. Iku dhe më erdhi keq! Vazhduam të flisnim, por nuk ishte njëlloj. Mendoj se u zhgënjye nga Shqipëria, ose ndoshta nga unë... Ç'është e vërteta, pas takimit ballë për ballë lidhja jonë u ftoh.
Tashmë përshëndetemi kur takohemi "online" por vetëm kaq. Në rastin tonë nuk pat ndonjë shkundje dashurie... Megjithatë, ishte një eksperiencë e bukur që do ta kujtoj gjithmonë. Jam me idenë se në jetë njeriu duhet t'i provojë gjërat që ajo i sjell, si të mirat dhe të këqijat...
MUNDËSI ABUZIMI
Por lidhje të tilla nuk shkojnë gjithmonë kaq "butë" sa në historinë e sipërcituar. Anonimiteti bën që lidhjet on-line të jenë një terren i përshtatshëm për pedofilët dhe për maniakët seksualë. Të rinjtë, por sidomos fëmijët mund të bien në grackë, kur japin të dhëna personale dhe kur lënë takim me persona që kanë mbajtur lidhje në internet. Sipas një artikulli të revistës "Zgjohuni",ky fenomen në SHBA është shndërruar në një shqetësim publik në rritje. Kjo çështje e ka shtyrë Departamentin e Ligjit të Sigurisë Publike në Nju Xhersi, që t'u dërgonte prindërve dhe kujdestarëve një letër me këtë thirrje: "Na ndihmoni të përballojmë një problem që po shfaqet lidhur me përdorimin e papërshtatshëm të internetit nga fëmijët dhe të rinjtë..."!