E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtetit i duhen dy vjet për të verifikuar një patentë!

E nderuar redaksi e gazetës "Shekulli"! Duke pasur besim të plotë te puna e palodhur e stafit tuaj, pas lodhjes time e sorollatje lart e poshtë, shpenzime me vend dhe pa vend, vendosa që problemin tim ta bëj publik në rubrikën tuaj kaq interesante. Quhem Altin Zydi Shahi, banues në Lagjen Popullore, Shijak, i datëlindjes 29/06/1972. Jam detyruar nga kushtet ekonomike, në vitin 1990, të shkoj për të punuar në Itali. Kam qenë nga emigrantët e parë që shkuan aty. Në Itali fillova punë, bëra dokumentet e rregullta dhe kam punuar aty deri në vitin 2004 kur vendosa të kthehesha në Shqipëri, për të punuar e jetuar pranë familjarëve të mi.
Këtu krijova familjen time dhe sot kam një djalë, dritën e syve të mi, por jam vetë i tretë dhe pa punë. Në Itali mbarova kursin e shoferëve, mora patentën e Grupit B dhe më vonë atë të Grupit C e vlefshme për të gjithë Komunitetin Europian, një kopje të së cilës po jua paraqes. (Ndodhet në redaksi - shën.red.)
Duke qenë tani shofer profesionist, mundohem të gjej ndonjë punë në firma private apo në ato pak firma shtetërore që ekzistojnë. Fatkeqësisht, këto projekte rezultuan të kota sepse më thonë se patenta ime europiane "nuk ha bukë këtu" (!) por duhet konvertuar me patentë shqiptare. Atëherë i detyruar nga rrethanat filloj dokumentet për patentë nga e para, që nga analizat, certifikatat dhe të gjitha dokumentet e nevojshme që afërsisht kushtuan 100 dollarë. Të gjitha dokumentet, të shoqëruara dhe me fotokopjen e patentës i kam dorëzuar më datë 25/02/2006 në Drejtorinë e Transportit, Zyrat e Kualidimeve në Durrës, nga të cilët, me gjithë interesimin e vazhdueshëm që kam bërë, më është thënë se të gjitha dokumentet që janë paraqitur nga unë, "janë dërguar në Tiranë për verifikim të patentës". Çuditërisht, për të verifikuar me kompjuter një patentë, shtetit shqiptar i duhen dy vjet kohë, por të mos harrojmë zoti ministër i Transporteve që tre persona presin të ushqehen nga unë.
Më e bukura është se akoma nuk kam mbaruar punë dhe nuk po di se ku ndodhen dokumentet dhe patenta ime. Mirëpres një përgjigje për problemin tim, pse jo nga vetë ministri z.Olldashi! Falënderoj gazetën "Shekulli" për mundësinë që po më jep për t'iu drejtuar me këtë letër të hapur, instancave më të larta shtetërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›