E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strazimiri: Lufta ndaj krimit, brenda dhe jashtë Shqipërisë

Zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, deklaron se Shqipëria do të vazhdojë punën për të shkatërruar grupet kriminale të shqiptarëve që jetojnë në Evropë. Strazmiri ishte i pranishëm në “Konferencën VIII Ministrale për Emigracionin e Paligjshëm, Krimin e Organizuar, Korrupsionin dhe Terrorizmin” të mbajtur në Slloveni.

Në prezantimin e tij, Strazimiri vuri theksin në bashkëpunimin policor ndërkombëtar, duke e konsideruar intensifikimin e tij si një domosdoshmëri.

“Në tre vitet e fundit bashkëpunimi në rrafshin operacional midis policisë shqiptare dhe partnereve evropiane ka bërë të mundur kurorëzimin me sukses të 42 operacioneve të përbashkëta me një koeficient suksesi 100%”, - deklaroi ai gjatë konferencës.

Sipas zëvendësministrit, puna e bërë si në Shqipëri, edhe jashtë saj për goditjen e të kërkuarve dhe grupeve kriminale, është treguesi më i mirë për suksesin e arritur midis palëve.

“Zbrazja e listës së shumë të kërkuarve, goditja e grupeve kriminale të krimit të organizuar që veprojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe ndryshim i rrugëve të trafikut janë treguesi më i mirë që bashkëpunimi me partnerët ka qenë tejet i suksesshëm dhe i vendosur mbi baza të profesionalizmit”, - tha Strazmiri, duke shtuar se “vlen të theksohet, që gjatë tre viteve të fundit, numri i operacioneve ndërkombëtare të zhvilluara është rritur me mbi 80%”.

Ndërsa për sa i përket aktivitetit të grupeve kriminale të përbërë nga shqiptarë që prej vitesh jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, zëvendësministri Strazimiri u shpreh se policia shqiptare megjithëse nuk është përgjegjëse për aktivitetin e tyre, mund të japë një kontribut shumë të madh nëse kërkohet nga policitë homologe.

Ndërsa kryesuesi i kësaj konference, ministri i Brendshëm i Sllovenisë, Dragutin Mate, u shpreh se rezultatet e vendit tonë kanë qenë shumë të mira.

“Shqipëria vazhdon të ketë rezultate impresionuese në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionint dhe emigracionit të paligjshëm”, - u shpreh Mate. Ai shtoi se

“vullneti, përpjekjet dhe rezultatet e Shqipërisë janë për t’u marrë shembull”. Prova më elokuente e suksesit të policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar mbeten statistikat e policisë italiane për drogat që tranzitohen nga Shqipëria, sasia e të cilave nga disa ton në vitin 2005 është reduktuar në disa kg në vitin 2008, ndërkohë që është rritur numri i operacioneve dhe i sekuestrimeve brenda vendit.

Gjatë ditëve të konferencës zëvendësministri zhvilloi gjithashtu disa takime pune me zëvendësministrin e Brendshëm italian, Nitto Francesko Palma, ministrin e Brendshëm të Sllovenisë, Dragutin Mate, ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, Jusuf Kalamperovic, kryetarin e Delegacionit Austriak, Gjeneral Franc Lange, zëvendësministrin e Brendshëm të Maqedonisë, Xhefat Buci, zëvendësministrin e Brendshëm të Bullgarisë, Raif Mustafa, e drejtorin e Përgjithshëm të Policisë greke, Gjeneral Lejtnant Vasilios Tsiatouras. Konferenca e 8-të Rajonale e Ministrave të Brendshëm zhvillohet çdo vit në Brdo të Sllovenisë, si një organizim i vendeve të Evropës Juglindore për koordinimin e përpjekjeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. I njohur tashmë si “Procesi i Brdos”, ky organizim përbën tashmë një nga matricat kryesore të vlerësimit të progresit të vendeve të rajonit në përpjekjet e tyre për integrimin euroatlantik.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›