E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër ish-zyrtarë të komunës Gjepalaj, akuzë për abuzim me pronat



Ish-kryetari, Fatmir Elezi, i shpëton arrestimit, tre në pranga

Akuzohen për përvetësim të një sipërfaqeje toke në afërsi të shkollës

Katër ish-zyrtarë të komunës Gjepalaj në Durrës janë marrë si persona nën hetim për përvetim pronash, ndërkohë që është bërë e mundur të arrestohen vetëm tre prej tyre. Policia e qytetit bregdetar ka shpallur në kërkim ish-kryetarin e komunës Gjepalaj, Fatmir Elezin. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Durrësit, procedimi penal për këta shtetas ka nisur afro pesë muaj më parë, konkretisht më 28 maj 2008, pas denoncimeve për një sipërfaqe toke në komunën Gjepalaj, Durrës, e cila dyshohej të ishte përfituar në mënyrë të padrejtë nga ish-kryetari Fatmir Elezi. Gjatë hetimeve 5-mujore u arrit në përfundimin se toka është përfituar në mënyrë të padrejtë. “Bazuar në provat ligjore të grumbulluara, gjykata e Durrësit, me vendime të datës 17 tetor 2008, ka përcaktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg” në ngarkim të shtetasit Fatmir Elezi, 54 vjeç, banues në lagjen numër 17, Durrës, me arsim të lartë, ish-kryetar i komunës Gjepalaj; Lulzim Voci, 55 vjeç, banues në Gjepalaj, me arsim të lartë, agronom pranë komunës Gjepalaj Durrës; Bashkim Shahini, 56 vjeç, banues në komunën Gjepalaj, ish-sekretar i komunës Gjepalaj dhe Kurt Keci, 56 vjeç, banues në Shijak, ish-teknik ndërtimi në komunën Gjepalaj”, - bënë të ditur të njëjtat burime zyrtare të policisë së qytetit bregdetar.

Operacioni

Policia e Durrësit ka vënë në pranga tre ish-zyrtarë të komunës Gjepalaj gjatë operacionit të koduar “Prona e shkollës”, konkretisht shtetasit Lulzim Voci, Bashkim Shahini e Kurt Keci. I vetmi që mundi t’u shpëtojë prangave është ish-kryetari Fatmir Elezi, të cilin policia e shpalli person në kërkim. Sipas policisë, hetimet e deritanishme të kryera nën drejtimin e prokurorisë së Durrësit hedhin dyshime të bazuara mbi përfitimin e një sipërfaqe prej 24.867 m2 truall në afërsi të shkollës së fshatit Gjepalaj, pronë kjo e përfituar nga kryetari i komunës Gjepalaj (për periudhën 2000-2005), Fatmir Elezi, i cili këtë sipërfaqe e ka shfrytëzuar për ngritjen e një aktiviteti materialesh ndërtimi. Nga hetimet rezulton se përfitimi i kësaj sipërfaqe trualli është bërë prej tij, duke shfrytëzuar detyrën e tij si kryetar komune si dhe i mbështetur nga Lulzim Voci, Bashkim Shahini e Kurt Keci, të cilët në atë periudhë kryenin detyrat e agronomit, sekretarit dhe teknikut të ndërtimit të komunës. Këta të katërt në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë falsifikuar një sërë dokumentesh për përfitimin e tokës si vendimin e këshillit të komunës si dhe të dhënat e formularëve të plotësuar në të cilët nuk kanë pasqyruar realisht sipërfaqet e trojeve të objekteve shtetërore që do të kalonin në administrim të komunës. Nëpërmjet veprimeve të mësipërme, Fatmir Elezi është bërë pengesë edhe për ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare të fshatit Gjepalaj, e cila është miratuar të ndërtohet në këtë truall.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›