E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Remzi Hoxhës, arrestohet në Londër Ilir Kumbaro



Emri i të arrestuarit doli gjatë deponimeve të Avdyl Loshajt

Kumbaro, në dijeni të arrestimit të tij vetëm prokurori i çështjes

I kërkuar prej disa kohësh për rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, arrestohet në Londër Ilir Kumbaro. Policia britanike ka mundur të gjejë saktësisht vendin ku ai jetonte prej disa muajsh, pasi ndërroi banesë kur u shpall në arrest ndërkombëtar, duke i vënë prangat në bazë të dokumentacionit të ardhur nga drejtësia shqiptare. Një lajm i tillë është konfirmuar zyrtarisht edhe nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat thanë se Interpol Tirana ka bërë të mundur gjetjen e tij dhe më pas kanë qenë efektivat e policisë britanike që e kanë vënë në pranga. Burimet nga Policia e Shtetit, shtuan gjithashtu se Ilir Kumbaro është vënë në pranga afërsisht një muaj më parë në Londër, pasi është shpallur në kërkim për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, në vitin 1995, Remzi Hoxha. Kumbaro është arrestuar në kryeqytetin britanik, Londër, pas një kërkimi ndërkombëtar nga Interpol, pasi kishte qenë për një kohë të gjatë në mbikëqyrje. Burimet e uniformave blu, thanë se pas një hetimi disamujor në bashkëpunim dhe me efektivët e policisë britanike, bënë të mundur që të gjenin vendndodhjen e tij dhe të vinin në pranga Kumbaron. Policia tha se ai kishte ndërruar disa herë vendqëndrimin në Londër, që policia të mos binte në gjurmët e tij. Madje, sipas burimeve, Kumbaro ishte larguar nga banesa e tij në veri të kryeqytetit britanik për në një tjetër qytet në periudhën që drejtësia shqiptare kërkoi arrestimin e tij dhe shpalljen në kërkim ndërkombëtar. Burimet e policisë thanë se policia britanike ka kërkuar disa kohë më parë foton e Ilir Kumbaros për ta krahasuar me personin e arrestuar. Policia dispononte fillimisht vetëm një foto të Kumbaros, kur ka qenë më i ri, ndërkohë që në këto vite i kërkuari nga policia kishte ndryshuar mjaft. Në dijeni të këtij fakti mësohet të ketë qenë vetëm prokurori i çështjes, Xhevat Hana. Mësohet se janë nisur dokumentet për të bërë të mundur ekstradimin e tij në Shqipëri, ku është duke u zhvilluar gjyqi për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Në vitin 1995, atëherë kur ndodhën edhe rrëmbimet e Remzi Hoxhës, Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopullit, Ilir Kumbaro kishte detyrën e kryetarit të degës së parë në drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë. Emri i tij është përmendur fillimisht nga Avdyl Loshaj, i cili pas torturave çnjerëzore në bazën e SHIK-ut, u hodh për t'u vetëvrarë. Më pas, ai i pohoi prokurorisë se ishte hedhur nga zyra e Ilir Kumbaros. I diplomuar në shkencat e natyrës dhe më pas i angazhuar në shërbimin sekret vendas, Ilir Kumbaro është aktualisht 55 vjeç dhe është një ndër të pandehurit e dosjes “Remzi Hoxha”. Ashtu si edhe Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçaj, 55-vjeçari nga Peqini akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për “rrëmbim personi” të trefishtë të kryer në bashkëpunim dhe “tortura me pasoja të rënda” në tri raste.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›