E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, pranga dy zyrtarëve të Mbrojtjes dhe dy biznesmenëve

Dy zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe dy biznesmenë kanë përfunduar në prangat e policisë, nën akuzën e korrupsionit për dhënien e lejeve për përdorim civil të lëndëve plasëse. Drejtori i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe komandanti i brigadës logjistike nr. 4300, pranë Komandës Mbështetëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ishin denoncuar nga dy biznesmenë se për të dhënë leje për lëndët plasëse kishin kërkuar para. Ndërkohë, gjatë hetimit për ta, grupi hetimor ka zbuluar edhe dy biznesmenë të tjerë, të cilët duke dhënë ryshfete kishin "monopolizuar" lejet për lëndët plasëse.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departamentin e Hetimit, në bashkëpunim me Task-Force, u finalizua operacioni "NITROMAK" për kapjen dhe ndalimin e shtetasve Shkëlzen Madani, Kadri Suli, Aurela Çota dhe Ferdinand Hodo. Nga të dhënat zyrtare mësohet se Shkëlzen Madani, 44 vjeç, banues në Tiranë, ishte me detyrë drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa Kadri Suli, 53 vjeç, ka qenë me detyrë komandant i brigadës logjistike nr. 4300, pranë Komandës Mbështetëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, Aurela Çota, 25 vjeçe, është përfaqësuese e shoqërisë "Nitromak Albania SHPK" dhe Ferdinand Hodo, 48 vjeç, është administrator i shoqërisë "Geoconsult SHPK".

"Ndalimi i këtyre shtetasve është bërë pasi Gjykata e Rrethit gjyqësor Tiranë, ditën e djeshme ka caktuar masën e sigurimit "arrest me burg" për veprat penale të korrupsionit aktiv të personit që ushtron funksione publike, ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorim i detyrës", deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ndërkaq, burimet nga prokuroria thanë se pas hetimeve disamujore, të kryera me metoda speciale, ka rezultuar se personat e lartpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime korruptive në procesin e dhënies së lejeve për përdorim civil të lëndëve plasëse dhe dhënien me qira të objekteve ushtarake.

Nga grupi hetimor mësohet se hetimi për katër personat e arrestuar ka nisur që në muajin janar të këtij viti. Dy biznesmenë, të cilët kanë në pronësi të tyre gurore, kishin shkuar për të kërkuar leje në Ministrinë e Mbrojtjes për përdorim të lëndëve plasëse. Por, kundrejt kësaj leje, atyre u ishin kërkuar para nga zyrtarët e ministrisë. Në këto kushte, biznesmenët i janë drejtuar Task-Force, ku kanë denoncuar faktin e korrupsionit. Pa kaluar shumë kohë, hetuesit kanë nisur punën për dokumentimin e kësaj vepre penale. "Gjatë hetimeve ka rezultuar se veç Shkëlzen Madanit dhe Kadri Sulit, të përfshirë ishin Aurela Çota dhe Ferdinand Hodo", deklaroi grupi hetimor. Sipas tyre, dyshohet se edhe persona të tjerë mund të jenë përfshirë në këtë akt korruptiv.

Zyrtarët abuzuan edhe

me pronat e ushtrisë

Grupi hetimor ka ngritur edhe një tjetër akuzë ndaj katër personave të arrestuar. Sipas të dhënave nga hetimet, zyrtarët e arrestuar kanë abuzuar edhe me pronat e Ministrisë së Mbrojtjes. Ata kanë ndjekur të njëjtën procedurë për t‘i dhënë këto prona me qira. Grupi hetimor shpjegon se ata kërkonin para nga qiramarrësi, me kusht që të përfitonte përdorimin e këtyre tokave. Në të shumtën e rasteve, qiramarrësit ishin civilë, pavarësisht se këto prona i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë, burimet hetimore thanë se Shkëlzen Madani është një nga njerëzit kryesorë që ka kontrolluar dokumentet e Gërdecit. Ai ka dërguar për nënshkrim te ministri i Mbrojtjes projekt-urdhrin: "Për zbatimin e vendimit nr. 138, datë 14.03.2007 të Këshillit të Ministrave, "Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të forcave të armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi", për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni, që bënte të mundur zhvillimin e punimeve të MEICO-s në Gërdec.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›