E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët sulmojnë policinë: Mashtrim për plagosjen e Nunit

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka sulmuar dje policinë, duke e akuzuar atë se ka denigruar figurën e gjyqtarit Ardian Nuni, duke cilësuar se plagosja e tij erdhi për motive të dobëta. Nëpërmjet kësaj deklarate, ky union shpreh keqardhjen e thellë dhe indinjatën legjitime që klima që i parapriu dhe motivoi aktin kriminal të tentativës së vrasjes së të nderuarit gjyqtar të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, vazhdon të endet ndjellakeqe dhe ogurzezë në jetën e përditshme të opinionit shoqëror. "Thirrja e shoqatës Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, krahas shumë forumeve dhe personaliteteve të tjera, për hetimin e shpejtë dhe zbulimin e autorësisë së kësaj ngjarjeje të një dimensioni kritik për fatet e shoqërisë, me sa duket ka ushtuar në një mjedis të shkretë moral, njerëzor e institucional", shkruhet në deklaratë. Sipas Unionit të Gjyqtarëve, kjo ngjarje kriminale nuk ishte e para ndaj shërbëtorëve të drejtësisë, por ishte më e rralla dhe më shqetësuesja për nivelin që godiste. Sipas unionit, "nëse janë të vërteta ato që emetohen çdo ditë në media dhe që kanë burimin që citohet, të tilla si "gjyqtari refuzon të bashkëpunojë", apo "gjyqtari nuk jep celularin", këto janë jo vetëm fyerje të opinionit publik, në përgjithësi dhe komunitetit gjyqësor, në veçanti, por të bëjnë të besosh që krimi vazhdon. Unioni deklaron se askush, as policia dhe as prokuroria, nuk mund ta fshehë paaftësinë për hetimin dhe zbulimin e kësaj ngjarjeje kriminale, pas spekulimeve denigruese të kësaj natyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›