Zyrtarët e Kasharit kërkojnë gjykim të shkurtuar
Tiranë - Zyrtarët e Kasharit të arrestuar për abuzimet me pronat i kërkuan dje gjykatës gjykim të shkurtuar. Burime pranë Gjykatës së Tiranës, pohuan dje se seanca e radhës mbi të arrestuarit për pronat ka vijuar me pranimin e tyre të akteve në gjendjen që ndodheshin duke e përshpejtuar kështu procesin gjyqësor. Trupi gjykues vendosi të shprehej për kërkesën e tyre më 1 shtator duke e lënë gjykimin e dosjes për sezonin tjetër pas pushimeve.
Arrestimi
Pak muaj më parë, Task Forcë, preu fletë- arrestet për tetë ish- zyrtarë të Kasharit, të cilët akuzohen për “korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”, “falsifikim të dokumenteve zyrtare”, “mashtrim” etj. Falë këtij vendimi fillimisht u arrestuan Alfred Sulaj, 33 vjeç, kryetari i komunës Kashar, Naim Karaj, 45 vjeç dhe Faik Fejza, 56 vjeç, ish- kryetarët e kësaj komune, përkatësisht për periudhën 2000-2003 dhe 2003-2007, Islam Shera, 65 vjeç, ish-kryeplaku i kësaj komune, Shefqet Alikaj, 51 vjeç, përgjegjësi i zyrës së Kadastrës si dhe Ismail Sulaj, 42 vjeç dhe Xhevair Hyka, 43 vjeç, banues në Kashar. E njëjta masë sigurie u vlerësua edhe për shtetasin Ilir Sula, 33 vjeç, me detyrë shofer i kryeplakut të komunës Kashar, i cili u kap në kushtet e flagrancës me një armë pistoletë “TT”, pa leje. Sulës iu rikthye lirija falë vendimit të Gjykatës së Lartë pak ditë më vonë. Pas përfundimit të hetimeve, prokurori i çështjes solli për gjykim dosjen në gjykatë. Pas dy seancash gjyqësore të pandehurit kërkuan gjykim shkurtuar. Tani është në çmim të gjykatës për vazhdimësinë e këtij procesi dhe ndëshkimin e zyrtarëve.
Pronat
Çështja e abuzimit dhe tjetërsimit të pronave ka pasur si sinjal të parë arrestimin e ish-kryetarit të Komunës së Kasharit. Kjo komunë zë dhe një vend prej “rekordmeni” në listën e komunave që kanë abuzuar me trojet. Ish-kreu i Komunës së Kasharit, Faik Fejzo u ndalua pas një urdhër-arresti të prerë nga Prokuroria, sepse ish-kryetar i Partisë Demokratike akuzohej për abuzime me pronat. Në fakt duket se në Komunën e Kasharit konfliktet kanë qenë më të hershme. Pak kohë para arrestimit Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ishte vënë në lëvizje për gjetjen e abuzimeve konkrete. Kështu, është vërtetuar edhe nga Hipotekat mbivendosja e pronave në këtë komunë, ku me firmën e ish-kryetarit të Komunës prona ka kaluar në disa pronarë. Pas verifikimeve Hipotekat kanë dërguar një material të zgjeruar në dyert e Prokurorisë së Tiranës, të cilat kanë filluar menjëherë nga puna për verifikimin e materialit. Pas kësaj është gjendur se në dokumentacion ka pasur shkelje dhe abuzim me detyrën nga i zgjedhuri i Partisë Demokratike në këtë post.
Gjykata e Apelit lë në “arrest shtëpie” Panozaqin dhe Kuçin
Vlorë- Gjykata e Apeli të Vlorës ndryshoi dje masën e sigurisë për ish kreun e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Genc Panozaqi si dhe ish juristin e kësaj zyre Sokol Kuçi. Vendimi i Gjykatës erdhi pas kërkesës së avokatëve mbrojtës së dy të akuzuarve. Trupi gjykues i kryesuar nga kreu i kësaj gjykate, Alma Liçaj i është përmbajtur në vendimin e tij edhe kërkesës së prokurorit Enrik Haxhiaj. Sipas vendimit dy ish-zyrtarët do të lihen “arrest në shtëpi” dhe po ashtu do të vendosin edhe garanci pasurore. Ish-zyrtarët u arrestuan pak kohë më parë nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Në seancën e djeshme për masën e sigurisë trupi gjykues ka dëgjuar përfaqësuesin e Akuzës Haxhiraj, i cili e ka vlerësuar të drejtë akuzën që është ngritur ndaj Panozaqit dhe Kuçit. Sipas tij, janë të gjitha kushtet e nevojshme për të caktuar një masë sigurie. Vepra, sipas prokurorit Haxhiraj përbën rrezikshmëri shoqërore, por vetë personat nuk përbëjnë rrezikshmëri. Ai më pas ka kërkuar ndryshimin e masës duke ju referuar personaliteteve të të akuzuarve, të cilët kanë ushtruar detyra publike dhe ka kërkuar për ta arrest shtëpie. Pas vendimit të apelit Panozaqi dhe Kuçi do të lënë masat e rrepta të sigurisë, për të vijuar më pas procesin gjyqësor ndaj tyre. Panozaqi dhe Kuçi së bashku me ish- topografin Fatmir Xhema, akuzohen për shpërdorim detyre në kohën kur kanë qenë në zyrën e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Qarkun e Vlorës, për vendime të dhëna rreth dy vjet më parë. Panozaqi dhe Kuçi nuk kanë marrë pjesë në seancën e zhvilluar në Apel. Çështja e ndryshimit të masës së sigurisë ka nisur qysh një ditë më parë, kur janë dëgjuar avokatët mbrojtës të të akuzuarve.
25 Korrik 2008