Pushteti i vetëvrasjeve, 4 vetë i japin fund jetës brenda një ditë
Rikthehen frikshëm aktet e vetëflijimit. Vetëm ditën e djeshme janë raportuar katër raste në qytete të ndryshme të vendit. Përmes formash dhe mjetesh të ndryshme, tre meshkuj dhe një grua i kanë dhënë fund jetës së tyre. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se në rrethet e Laçit, Librazhdit dhe Tiranës janë regjistruar vetëvrasje. Genta Çela nga Belshi ka gjetur vdekjen mbrëmjen e së mërkurës në shtëpinë e saj. Të njëjtin fat tragjik ka pasur edhe 49-vjeçari Jakov Kushta, me banim në fshatin Gjergjan të rrethit të Elbasanit. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm është vetëvarur edhe 53-vjeçari Luan Xhaxha nga Tirana. Ndërsa 62-vjeçari Afrim Rama nga Laçi ka gjetur si zgjidhje për të thënë “lamtumirë” duke u hedhur nga kati i tretë i banesës së tij.
Dy vetëvarje në Elbasan
Një femër e sapo-martuar dhe një 49-vjeçar, që të dy nga rrethi i Elbasanit i kanë dhënë fund jetës në dy ngjarje që kanë ndodhur në dy fshatra të ndryshëm. Dy vetëvarje kanë ndodhur në një hark kohor prej rreth një ore nga njëra-tjetra mbrëmjen e së mërkurës. Burime të policisë bënë të ditur se dy ditë më parë, “rreth orës 19.00 është dërguar e vdekur nga familjarët e saj në spitalin e Belshit 23-vjeçarja Genta Çela, e martuar në Belsh dhe lindur në fshatin Qukës të Librazhdit. 23-vjeçarja u gjet e varur në tualetin e banesës së saj. Burimet policore nuk kanë bërë të ditur shkaqet e vetëvarjes së saj. Vetëm një orë pas kësaj ngjarjeje, i njëjti fenomen ka ndodhur në fshatin Joronisht të komunës së Zavalinës. 49-vjeçari Jakov Kushta, me banim në fshatin Gjergjan të rrethit të Elbasanit, është gjetur i vetëvarur në korridorin e banesës së prindërve të tij në fshatin Joronisht, ku kishte shkuar për vizitë. Burimet policore bëjnë të ditur se po hetohen të dy rastet. Nga verifikimet e para, rezulton që viktimat nuk kanë pasur shenja dhune në trup.
Vetëvaret shoferi i Ministrisë
Një punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes i ka dhënë fund jetës në orët e para të ditës së djeshme. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës bëjnë të ditur se “rreth orës 01.55 të ditës së enjte, shërbimet e Kontroll të territorit të Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë morën njoftim përmes një telefonate, se në mjediset e një banese është gjendur i vetëvarur një shtetas. Sipas tyre, “viktima është shtetasi Luan Faik Xhaxha, me arsim të mesëm, punonjës (shofer) pranë Ministrisë së Mbrojtjes”. 53-vjeçari Xhaxha është gjetur nga familjarët, i vetëvarur në mjediset e banesës së tij, e cila ndodhet në rrugën “Sulejman Pasha” në kryeqytet. Burimet policore bëjnë të ditur se po kryhen hetimet për të saktësuar tërësisht motivet e kësaj ngjarje. Sipas tyre, ende nuk ka të dhëna të flitet për një vrasje në kushtet e depresionit të rëndë.
Hidhet nga kati i 3-të
Vetëvritet duke u hedhur nga kati i tretë i një pallati në ndërtim një 62-vjeçar. Burime nga policia e Laçit thanë se paraditen e djeshme, shtetasi Afrim Rama, 62 vjeç, banor i qytetit të Laçit, i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga lartësia. Policia, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje, konfirmon zyrtarisht se 62-vjeçari ka kryer vetëvrasje. Babai i tre fëmijëve e ka ndërmarrë aktin fatal në kushtet e depresionit të thellë. Ndërkohë, po punohet nga organet hetimore për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.
Fenomeni i vetëvrasjes është i shtrirë pothuajse në të gjithë territorin e vendit dhe thuajse çdo ditë regjistrohen akte të tilla vetëflijuese. Sipas studimeve përqindja më e madhe e rasteve të vetëvrasjeve rezulton të jetë në rrethet me popullsi më të madhe. Nga statistikat e nxjerra, rezulton se numrin më të madh të vetëvrasjeve e kanë rrethet e Tiranës, Korçës, Shkodrës, Durrësit, Beratit e Vlorës. Në Has, Devoll, Mat, Kolonjë dhe Bulqizë nuk është shënuar asnjë rast vetëvrasje. “Vetëm në dy prefekturat, atë të Fierit dhe Tiranës, kanë ndodhur 42.6 për qind të vrasjeve në shkallë vendi. Në Peshkopi dhe Kukës rezulton se janë vetëvrarë vetëm meshkuj, ndërsa në Tropojë vetëm femra”, - thonë studimet. Gjithsesi strukturat e Ministrisë së Brendshme nuk japin të dhëna rreth këtij fenomeni, ndonëse çdo ditë regjistrohen vetëvrasje në të gjithë Shqipërinë.
Tabela e vetëvrasjeve sipas rretheve
Rrethi Total M F
Tiranë 47 31 16
Fier 30 19 11
Korçë 16 11 5
Berat 12 6 6
Shkodër 11 6 5
Kurbin 9 6 3
Durrës 9 4 5
Vlorë 9 7 2
Lezhë 8 2 6
Gjirokastër 8 8 0
Lushnjë 8 2 6
Elbasan 7 3 4
Pukë 4 1 3
Kavajë 3 2 1
Mallakastër 3 2 1
Skrapar 3 0 3
Gramsh 3 2 1
Pogradec 3 1 2
Kukës 2 2 0
Tropojë 2 2 0
Dibër 2 2 0
Krujë 2 0 2
Sarandë 2 0 2
Delvinë 2 2 0
Kuçovë 2 0 2
Përmet 2 2 0
Tepelenë 2 1 1
Mirditë 1 0 1
M.e Madhe 1 0 1
Librazhd 1 0 1
Box 2
Tabela e moshës së vetëvrarë në vitin 2005
GRUPMOSHAT Total
10-15 9
16-25 50
26-35 50
36-45 39
46-55 26
56-65 25
Mbi 60 15
Metodat e realizimit të vetëvrasjeve
METODAT TOTALI
Helmim 80
Varje 62
Vrasje 43
Mbytje 10
Hedhje 13
Mënyra e tij 6
MJETET PËRQINDJA
Fostoksinë 20
Kordon 18.6
Automatik 8.4
Pistoletë 5.6
Litar 4.6
Pushkë 0.92
Të dhënat janë marrë nga studimi i Sofokli Dukës, “Vetëvrasja-motivet për jetuar”
25 Korrik 2008