Ekzekutim mafioz i 29 – vjeçarit, policia dyshon për pazare të prishura
Luan Kondi
ELBASAN - Një 29-vjeçar është vrarë me armë zjarri, 100 metra larg shtëpisë së tij në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit. Vrasja është e tipit mafioz dhe nuk janë përcaktuar ende pistat e ngjarjes, por mendohet se mund të jenë pazaret e prishura ato që kanë çuar në këtë ekzekutim mafioz. Deri tani uniformat blu nuk kanë ndonjë të dyshuar edhe pse janë marrë në pyetje disa persona si edhe familjarët e të riut të ekzekutuar.
Vrasja
Burime të policisë bënë të ditur dje për gazetën “Albania” se “rreth orës 01:00 të mëngjesit të së enjtes është gjetur i vrarë me armë zjarri pistoletë 29-vjeçari Erjon Isai, lindur e banues në qytetin e Elbasanit”. Policia ka gjetur në vendin e ngjarjes katër gëzhoja pistolete, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e vrasjes së 29 - vjeçarit. Këto nuk janë të vetmet prova që ekspertët kanë në dorë, por ata kanë preferuar t’i mbajnë ato sekrete deri në momentin e përshtatshëm për të mos dëmtuar hetimin e çështjes, që ka vënë në lëvizje strukturat antikrim të qytetit të Elbasanit.
Hetimi
Familjarët të shqetësuar për moskthimin në shtëpi të djalit të tyre kishin kërkuar për të gjithandej. Kanë pyetur edhe të afërtit e tyre nëse ata kishin dijeni për të por nuk kanë mundur ta gjejnë. Ata i janë drejtuar policisë vendase, e cila ka nisur kontrollin në të gjithë qytetin. Vetëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm uniformat blu janë njoftuar nga fqinjët se e kanë gjetur të pajetë 29- vjeçarin fare pranë shtëpisë së tij. Sipas fqinjëve ishin dëgjuar disa krisma dhe pas heshtjes, kur kanë dalë në rrugë, aty kanë parë një person të zhytur në gjak. Kanë qenë pikërisht këta që kanë njoftuar edhe policinë e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka bërë rrethimin e vendit. Ekspertët kanë nisur hetimin duke marrë sëpari provat që u gjetën atje. Uniformat blu kanë shoqëruar dje në policia më shumë se 30 persona, por ende nuk dihet asgjë për autorin e krimit. Në pyetje janë marrë edhe shokë të viktimës si dhe persona të lagjes. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe zbardhjen e rrethanave të saj.
25 Korrik 2008