E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet nuk ndalin rritjen, shqiptarët varfërohen për ditë

Ervin KOÇI

Shqiptarët e kanë nisur si pa e kuptuar vitin 2010 me më shumë varfëri. Në një kohë që çmimet e shumë produkteve dhe shërbimeve kanë nisur të shtrenjtohen që në fund të vitit 2009, pagat dhe të ardhurat për konsumatorët kanë qëndruar të pandryshuara madje edhe janë ulur. Të gjitha shtresat e konsumatorëve si në qytet ashtu edhe në fshat e kanë ndjerë shtrenjtimin e kostos së jetesës, gjë e cila është reflektuar në uljen e shpenzimeve, në pakësimin e blerjeve të ndryshme dhe në varfërimin e menysë ushqimore të përditshme. Krizën dhe varfërinë kanë filluar ta ndjejnë këtë vit edhe bizneset apo tregtarët, të cilët këtë vit nuk ngurojnë të pranojnë se çmimet janë rritur dhe xhirua bashkë me klientët kanë rënë, në një kohë që nocioni fitim është harruar. Shumë bizneseve u janë shtuar këtë vit taksat e shumta, detyrimet tatimore dhe shoqërore, bara e TVSH-së, çmimi i energjisë elektrike dhe ujit, por dhe mungesa e punës. Mjafton një shëtitje nëpër tregjet apo qendrat tregtare të kryeqytetit për të kuptuar fare mirë krizën që ka pllakosur dhe që bën ti dridhet dora çdo konsumatori. Në të gjitha rrugët ku ka dyqane apo dhe në qendrat tregtare janë me qindra tabelat që njoftojnë për skonto, ulje drastike, likuidim malli apo deri tek mbyllje biznesi. Kjo e fundit ka bërë që ndjeshëm të bjeri edhe çmimi i ambienteve apo lokaleve që lihen me qira nga pronarët. Por të vetmet që deri tani duket sikur nuk e kanë ndjerë krizën janë baret dhe kafenetë, të cilat përfitojnë akoma nga kultura e vjetër otomane e shqiptarëve që tashmë është kthyer në mani, për të qëndruar dhe kaluar ditën në kafene, si me që kjo e fundit për një pjesë është kthyer edhe në zyrë apo vend pune.

Sheqeri sa kokaina
Të parat që dhanë sinjalin për zbritjen me shpejtësi të krizës te xhepat e shqiptarëve, ishin çmimet e produkteve ushqimore. Ato u rritën të parat që nga fundi i vitit të kaluar dhe duket se nuk po ndalen. Artikujt e konsumit të përditshëm si mielli, orizi, makaronat, vaji, vezët, djathi, qumështi, sapuni dhe detergjentët larës, përveç bukës, që të gjitha kanë shënuar rritje në çmim. Rekordin e mban sheqeri që kohët e fundit duket se po “ha inat” me drogën, duke u shitur jo pak por me 120 lekë/kg. Gjithashtu janë rritur edhe frutat dhe perimet, duke bërë që konsumatorët të hyjnë me frikë edhe në tregje për të bërë pazaret e përditshme. "Çmimet e konsumit gjatë muajit janar të vitit 2010 pësuan një rritje prej 0.5 për qind, krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit është 3.6 për qind, nga 2.1 për qind që ishte një vit më parë”, thotë INSTAT-i. Indeksi i grupit ushqim dhe pije joalkoolike, pësoi një rritje prej 3 për qind, brenda të cilit rritjen më të madhe prej 8.1 për qind vërehet në grupin zarzavate. Indeksi i grupit pije alkoolike dhe duhan shënoi një rritje prej 0.5 për qind, ku veçojmë rritjen e çmimit të duhanit me 1.2 për qind, krahasuar me vitin e mëparshëm. Gjatë muajit janar çmimet e karburantit vazhduan të rriten, dhe konkretisht, çmimi i naftës u rrit me 0.1 për qind, dhe çmimi i benzinës me 0.7 për qind.

Inflacioni
Banka e Shqipërisë rrezikon që në vitin 2010 të humbasë bastin e inflacionit. Janari, sipas raportimit më të fundit të INSTAT, edhe pa u llogaritur rritja e çmimit të energjisë elektrike ka regjistruar një normë inflacioni 3.6 për qind. Kjo shifër është shumë afër objektivit të bankës që është 4 për qind. Çmimet e mallrave që prej shtatorit 2009 kur inflacioni ishte vetëm 2 për qind kanë ardhur gjithnjë e në rritje. Kjo ka vështirësuar vazhdimisht pozicionin e konsumatorit përballë tregjeve, si të ushqimeve ashtu dhe të artikujve të tjerë. INSTAT-i ka bërë me dije se llogaritja e çmimit të energjisë në normën e inflacionit do të bëhet muajin që vjen pasi edhe faturat e energjisë së janarit paguhen në shkurt. Çmimet e mallrave të konsumit vazhdojnë të rritën me ritme të shpejta ndërkohë që qytetarët janë të detyruar të përballen nga muaji në muaj me rritje të kostos së jetesës. Për çdo muaj që kalon shqiptarët duhet të nxjerrin më shumë para nga xhepi për të blerë të njëjtin produkt. Në fakt, sipas të dhënave zyrtare çmimi i mallrave të konsumit prej disa muajsh njeh vetëm rritje që prej fillimit të vitit 2009. Në mars 2009 ky tregues ishte 1.6 për qind duke dhënë alarmin për tkurrjen e aktivitetit ekonomike të vendit, gjatë verës pësoi një rritje relative duke u vërtitur rreth 2 për qind për të vijuar rritjen në muajt e vjeshtës.

Starton regjistrimi i popullsisë, INSTAT përgatit pyetësorin

Instituti i Statistikave ka organizuar dje një tryezë për regjistrimin e ri të popullsisë dhe banesave. Sipas INSTAT, regjistrimi që do të përfshijë në pyetësor edhe deklarimin e etnisë dhe fesë do të nisë në vitin 2011. Pyetësori do të jetë individual, ndërkohë që pyetësori ku do të deklarohet etnia dhe feja nuk është i detyrueshëm, pra lihet në vullnetin e vetë personit që regjistrohet. Pjesë e pyetësorit do të jenë dhe disa module mbi gjendjen ekonomike. Nisja e regjistrimit edhe mbi bazë etnie e feje solli reagimin e menjëhershëm të historianëve, studiuesve dhe më pas edhe klerit. Sipas historianëve, ky regjistrim do të shtrembërojë të vërtetën. Madje shumë të tjerë e cilësuan edhe si tradhti kombëtare.

10 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›