E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalon kredia për Tiranë Elbasan

25/01/2012  Komisioni i Ekonomisë i jep “OK” marrëveshjes së huasë me Fondin për Zhvillim Abu Dhabi

Deri tani kanë përfunduar mbi 41 për qind e punimeve, prioritet të MPPT-së për 2012

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave jep “OK”-n marrëveshjes së huasë prej 50 milionë dollarësh me normë interesi 4.5%, me Fondin për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. “Ky segment i rëndësishëm rrugor do të shërbejë në aktivizimin e lëvizjes mes kryeqytetit shqiptar Tirana dhe qytetit të Elbasanit, një nga qendat më të rëndësishme ekonomike shqiptare dhe kjo në saj të ndërtimit të një rruge sipas standardeve, çka do të shkurtojë kohën e lëvizjes, pakësimin e aksidenteve dhe do të zhvillojë më shumë rritjen ekonomike”, - tha nëndrejtori i përgjithshëm i rrugëve, Skënder Çota.

Financimi

Sa i takon financimit në total të rrugës, Çota theksoi se fillimisht ishte projektuar që kjo rrugë të kushtonte rreth 400 milionë dollarë, por kompanitë në garë ofruan një ofertë më të ulët për ndërtimin e rrugës prej rreth 110 milionë dollarësh, duke e ulur vlerën e rrugës në 290 milionë dollarë. Konkretisht, sipas tij huaja që akordohet nga Fondi i Abu Dhabit, është pjesë e një financimi total prej rreth 290 milionë dollarësh për të tre segmentet e autostradës Tiranë-Elbasan. Interesi i huasë ka një normë vjetore prej rreth 4.5%, ndërsa maturimi është 15 vjet, duke përfshirë 3 vjet pa pagesë principali. Ndërtimi i kësaj rruge synon të rrisë në mënyrë efikase zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në rajonet e Shqipërisë qendrore, jugore dhe më gjerë në të gjithë zonën juglindore të vendit. Punimet për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan nisën në 29 prill të vitit 2011. Në tunelin e Krrabës, sipas informacioneve zyrtare, janë kryer rreth 41% e punimeve, ndërsa po punohet intensivisht edhe në dy akset rrugore në hyrje dhe dalje të tunelit.

Autostrada e re

Segmenti i parë dhe më i rëndësishmi i Boshtit të Jugut, përgjysmon, në distancë dhe kohë, rrugën nga Tirana në Elbasan. Kjo autostradë do të ketë një gjatësi prej 31,17 km, nga 55 km që është aktualisht dhe do të ndërtohet në kushte teknike për tu përshkruar me një shpejtësi sa trefishi i asaj që është lejuar sot në këtë segment. Rruga do të ketë katër breza, e pajisur ndër të tjera me një numër të madh viaduktesh, 21 të tilla, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime. Ministria e Financave dhe Banka Islamike për Zhvillim (IDB) nënshkruan në fillim të muajit prill të vitit 2011 marrëveshjen e kredisë prej 222,7 milionë dollarësh për ndërtimin e autostradës. Rruga Tiranë-Elbasan parashikohet të jetë një ndër rrugët më të leverdishme që ka ndërtuar qeveria shqiptare. Ky segment rrugor me gjatësi 32.6 kilometër dhe me një kosto që do të arrijë në 260 milionë euro llogaritet të kthejë mbrapsht investimin brenda një kohe shumë të shkurtër. Tashmë ekspertët e Ministrisë së Transporteve kanë përmbyllur llogaritjet për këtë aks rrugor dhe sipas tyre, pavarësisht se do të jetë investim tepër i kushtueshëm i qeverisë, leverdishmëria ekonomike e kësaj rruge për banorët e Tiranës, Elbasanit dhe të zonave ku do të kalojë kjo rrugë do e justifikojë këtë çmim. Por përveç rigjallërimit të zonës kjo rrugë do të shkurtojë ndjeshëm kohëzgjatjen e udhëtimit nga Tirana në Elbasan dhe si rrjedhojë do të pakësojë konsumin e karburantit të harxhuar, ndërsa nga ana tjetër do të ndikojë në mirëmbajtjen e automjeteve për shkak të cilësisë së mirë të saj. Sipas ekspertëve, fakti që kjo rrugë do të kalojë në më shumë se gjysmën e sipërfaqes së saj në zonë urbane do të sjellë mundësi për zhvillim aktiviteti për banorët e zonave ku do të kalojë. Zona e parë prej 2,3 km do të jetë në zonë urbane, çka do të thotë një impuls zhvillimi ekonomik për Tiranën dhe Elbasanin.

Prioriteti

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi e ka cilësuar prioritet për vitin 2012 ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Sipas tij, shumë shpejt, do të shohim dritë në këtë tunel. Gjithashtu, Olldashi ka shtuar se këtë vit do të të investohet në rrugë, ujësjellëse, strehim dhe infrastrukturë. Olldashi ka numëruar detyrat që do të vazhdojnë e që do të nisin, duke renditur Levan Tepelenë, Fier Vlorë, by passi i Durrësit, rrugë Shkodër-Hani i Hotit, nisja e by pass Fier, vazhdimi Qukës-Qafë Plloc, ndërtimi i Urës së Matit etj.

Spaho: Kjo marrëveshje mbyll financimin e plotë që i bëhet veprës

Kostoja totale e rrugës do të

shkojë në 320 milion dollarë

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho konfirmoi dje për mediat se me miratimin e kësaj marrëveshje mbyllet i gjithë financimi i rrugës, kostoja totale e së cilës shkon në 320 milionë dollarë, përfshirë supervizimin dhe hartimin e projekteve. Kostoja e parashikuar në fillim për ndërtimin e kësaj rruge ka qenë 407 milionë dollarë dhe ka një zbritje prej 87 milionë. E gjitha kjo, sipas Spahos, argumentohet që gradualisht po kalojmë në parametra të tjerë të administrimit të projekteve të tjera të mëdha, që rezultojnë në mirëqënie të qytetarëve dhe punësim. Ndërsa përsa i përket debateve në komisionin e Ekonomisë Spaho sqaron se është pozitiv fakti që debati ngeli në aspektin teknik dhe pati mirëkuptim për ta mbështetur ndërtimin e rrugës. Ndërtimi i aksit të ri rrugor Tiranë – Elbasan është cilësuar prioriteti i qeverisë shqiptare. Sipas vendimit, ai do të financohet kryesisht nga donatorë të huaj dhe Fondi i Abu Dhabi-t është një nga financuesit e këtij segmenti, me një shumë prej 50 milionë dollarë. Ndërtimi i rrugës Tiranë – Elbasan synon të rrisë në mënyrë efikase zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në rajonet e Shqipërisë qendrore, jugore dhe më gjerë në të gjithë zonën juglindore të vendit. Rruga synon të lehtësojë dhe përmirësojë, gjithashtu, lëvizjen e trafikut dhe veçanërisht trafikut të rëndë në segmentin rrugor Tiranë – Elbasan, që është pjesë e Boshtit të Jugut, duke përmbushur kështu kërkesat e trafikut në këtë aks rrugor dhe përputhjen me kërkesat Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›