E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalon ligji, në skaner hajdutët e tokës bujqësore



Kuvendi ka miratuar ditën e djeshme projektligjin shumë të debatuar për verifikimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Deputetët kanë arritur të kalojnë këtë projektligj, pas katër tentativave të dështuara. Votat e mazhorancës kanë mjaftuar që ky projektligj të miratohet, duke i hapur rrugë një procesi trevjeçar, ku komisione vendore do të verifikojnë të gjithë titujt e tokës 9501. Tashmë të gjithë fermerët, të cilët kanë marrë më shumë tokë bujqësore seç u takon me ligjin 7501 dhe që këtë tokë e kanë shitur ose braktisur, do të duhet që ta paguajnë me vlerën e tregut. Në seancën e djeshme, është përcaktuar edhe mënyrat se si do të veprohet me personat që kanë abuzuar me tokën bujqësore. Pika e vetme ku deputetët e opozitës kanë kundërshtuar ka qenë fakti se Komisioni Vendor do të drejtohet nga prefekti i qarkut, çka nga kompetencat që do të ketë ky komision, opozitarët u tremben abuzimeve të reja. Mazhoranca ka kundërshtuar, duke thënë se komisionet do të kontrollohen nga Komisioni qeveritar i Tokës, i cili drejtohet nga zëvendëskryeministri, çka do të bëjë që vendimet e komisioneve vendore të kontrollohen. Gjatë diskutimeve, neni numër 9 i këtij projektligji ka qenë edhe pika më e debatuar, pasi përcaktonte tre mënyra të ligjërimit të tokës. Ai ka pësuar ndryshime, duke vënë theksin e tij në idenë se personi që ka zaptuar tokën do ta paguajë me vlerë tregu, vetëm kur toka nuk është në përdorim ose është shitur. Sipas ndryshimit, në rast se fermeri që ka marrë më shumë tokë dhe e punon akoma, nuk do të penalizohet. Komisioni mund ta cilësojë si të jashtëligjshme tokën kur akti i marrjes së tokës në pronësi është lëshuar mbi tokat bujqësore të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore, të cilat përjashtohen për kalim në pronësi nga dispozitat e ligjit, kur tokat bujqësore të ish-kooperativave, që shtrihen në zonën me zhvillim dhe përparësi turistike të përcaktuar me vendim qeverie, si dhe sipërfaqe të tjera të tokës bujqësore, që me vendime të organeve kompetente kanë kaluar në tokë urbane dhe përfshihen brenda vijave të qyteteve. Njëkohësisht komisionet vendore mund të cilësojnë si të jashtëligjshme çdo sipërfaqe toke, e cila konfirmohet nga njohja e pronësisë dhe e drejta e kompensimit fizik për ish-pronarët nga AKKP-ja, si dhe çdo sipërfaqe toke që prek interesa të ligjshme të personave të tretë dhe që ekzistojnë konflikte mbi të. Kur mbajtësi i titullit të pronësisë, ose pronari i ri i tokës, i krijuar në mënyrë të kundërligjshme, refuzon ligjërimin e këtij titulli sipas ligjit, brenda 30 ditëve, Komisioni Vendor merr vendim për pavlefshmërinë e titullit të pronësisë.

Komisionet, si do të verifikohet ndarja e tokës

Komisionet vendore që do të ngrihen për të monitoruar procesin e verifikimit të titujve të pronësisë, do të rishikojnë dhe vendimet që kanë dhënë kryekomunarët gjatë këtyre viteve. Opozita ka pasur kontestimet e saj në lidhje me këtë çështje, pasi ajo pretendon se prefektët do të bëjnë abuzime të reja mbi ato që kanë bërë komunarët në vite. Komisioni do të kontrollojë dokumentet dhe veprimtarinë, që kanë kryer komisionet e tokës së komunave dhe/ose bashkive për zbatimin e dispozitave ligjore të ndarjes se tokës, gjatë procesit të shqyrtimit të mosmarrëveshjeve dhe të konflikteve, sipas këtij projektligji. Në përfundim të këtij kontrolli, komisioni merr vendimet përkatëse për korrigjimet e nevojshme, shfuqizimin, e plotë apo të pjesshëm, të këtij dokumentacioni dhe krijimin e dokumentacionit të ri, në bazë të kritereve të përcaktuara në këtë ligj. Komisionet vendore do të shqyrtojnë direkt dhe do të marrin vendime për konflikte dhe mosmarrëveshje, ndërmjet palëve, kur për to është vendosur rishqyrtimi në rrugë administrative, me vendim të formës së prerë të organeve gjyqësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›