E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, vendos shumica

Më në fund, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore do të japë produktet e para për kryerjen e kësaj reforme. Unanimisht krerët e grupeve parlamentare vendosën dje gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve që të hiqet e drejta e vetos në komision dhe të futet votimi me shumicë votash. Tani e tutje, vendimmarrja do të ketë një tjetër formulë, atë të ponderuar, ku vendimet merren me shumicë votash. Ky duket se është hapi më konkret që kanë hedhur partitë politike, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë bllokimeve të këtyre komisioneve, sa herë që ata kanë pasur për qëllim vendimmarrjen. Ndryshe nga komisionet tradicionale të reformës zgjedhore, që asnjëherë nuk kanë nxjerrë një produkt të miratuar, për shkak të vetos së partive, komisioni i ri do të ketë një formulë tjetër, që besohet të jetë më funksionuese dhe nuk i jep mundësi bllokuese partive nëpërmjet vetos, një mënyrë që është përdorur deri më tani vetëm nga partitë e vogla. Deri më tani, vetoja më shpesh është përdorur nga Partia Socialiste, ndërkohë që dhe partitë e vogla kishin të drejtë vetoje po të bashkoheshin në një qëndrim. Formula përcakton përfaqësimin e partive në komisionin për Kodin Elektoral, sipas përfaqësimit të partive në Parlament. Duket se në këtë pikë, partitë e kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Tanimë, komisioni i ri do të funksionojë më të një tjetër formulë, çka i jep fund bllokimeve të tij. Pikërisht ky zhbllokim i situatës do të japë rezultatet e para, pasi partitë politike janë zotuar se deri në fund të këtij sesioni do t’i japin fund bërjes së kësaj reforme. Ndërkohë që nga socialistët u zbulua që dje në drekë emri i bashkëkryetarit të këtij komisioni të ri zgjedhor. Kompetencat e drejtimit të këtij komisioni i kanë kaluar sekretarit për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafa, i cili gjatë kohëve të fundit ka monitoruar gjithë punën e grupit të PS-së, për të bërë reformën zgjedhore.

Berisha fton opozitën për reformën në drejtësi

Kryeministri Berisha përshëndeti dje bashkëpunimin dhe konsensusin mes partive politike për bërjen e reformës zgjedhore. Gjatë fjalës së tij, në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha përshëndeti vendimin e Konferencës së Kryetarëve për krijimin e Komisionit Parlamentar për Ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe gatishmërinë e opozitës në këtë proces. Por së bashku me kryerjen e reformës zgjedhore, Kryeministri ftoi gjithashtu opozitën të vazhdojë bashkëpunimin edhe për reformën në sistemin e drejtësisë. “Dua të përshëndes vendimin e kryesisë së Kuvendit në Konferencën e Kryetarëve, për të nisur punën për krijimin e komisionit për Kodin Zgjedhor, pra vazhdimin e pjesës ligjore të reformës zgjedhore, pasi pjesa kushtetuese, parësore, u zgjidh dy muaj më parë. Në kuadër të kësaj reforme, ne shpresojmë dhe besojmë se do të gjejmë mirëkuptimin, të udhëhequr nga ai parim që shqiptarët të votojnë të lirë dhe politikanët të respektojnë vullnetin e tyre”, - u shpreh Kryeministri. Sipas kreut të ekzekutivit, Kodi i ri Zgjedhor vjen si plotësim i reformës zgjedhore kushtetuese, duke theksuar se do të ishte me interes për të gjitha palët që kjo reformë të finalizohej sa më shpejt, në mënyrë që faktorët zgjedhorë të njihen me të, të trajnohen për të dhe të bëhen të gjitha përpjekjet për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Përveç bashkëpunimit për reformën zgjedhore, Kryeministri u shpreh se është i domosdoshëm bashkëpunimi edhe me opozitën për reformën në drejtësi. “Duke përshëndetur gatishmërinë e opozitës, unë e ftoj atë të vazhdojmë reformën në sistemin e drejtësisë, pasi edhe ky sistem është tërësisht jopartiak”, - tha Kryeministri. Ai nënvizoi se konsolidimi i këtij sistemi është në interesin e të gjithë atyre, që i besojnë shtetit ligjor dhe të tilla janë sot forcat politike, forca që i përmbahen shtetit ligjor. “Ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë dhe i proceseve integruese të vendit”, - theksoi Kryeministri. Dy ditë më parë, Kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës që të vepronte sa më parë lidhur me reformën zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›