Basha: Strukturat paralele në Kosovë, jolegjitime
Nuk i kanë shpëtuar vëmendjes dhe reagimit të Tiranës zyrtare veprimet e fundit të serbëve në Kosovë, që po tentojnë të krijojnë struktura paralele. Kryediplomati shqiptar, Lulzim Basha, i komentoi këto veprime, duke i cilësuar jolegjitime. Ai gjithashtu mohoi në mënyrë kategorike mundësinë për të pasur bisedime të tjera Prishtinë-Beograd. “Strukturat paralele kanë marrë një përgjigje të qartë, si nga Brukseli, ashtu dhe nga Nju Jorku. Ato nuk kanë fare legjitimitet. Ato në thelb janë një impozim i shëmtuar i qarqeve të caktuara të Beogradit, një tallje e Beogradit me vetveten dhe me serbët e Kosovës, të cilët të ardhmen e tyre e kanë në Kosovë, si një minoritet. i cili në bazë të paketës “Ahtisari” gëzon të drejtat më të mëdha historikisht të njohura ndonjëherë në rajonin tonë apo më gjerë”, - u shpreh dje Basha, i pyetur nga media për këtë çështje. Ndërkaq ministri i Jashtëm shqiptar foli me optimizëm për të ardhmen e Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit. Ai tha se “në këtë kuadër e ardhmja evropiane e Kosovës dhe shpresojmë e Serbisë dhe e gjithë rajonit, do të jetë më e sigurt, kur fqinjët të adoptojnë qëndrime të bazuara në respektin reciprok, ndaj integritetit të njëri-tjetrit dhe të bashkëpunojnë për arritjen e qëllimeve të përbashkëta të integrimit evropian të të gjithë vendeve të rajonit, duke përfshirë Kosovën dhe Serbinë”. Ndërkaq, ai mohoi mundësinë e bisedimeve të reja për statusin e Kosovës, duke i parë këto bisedime vetën në kuadrin e dy shteteve të pavarura. Basha theksoi se “këto bisedime kanë përfunduar dhe kanë çuar në një realitet, Kosova është sot shtet i pavarur i njohur ndërkombëtarisht”. Ai shtron një pyetje që prek situatën aktuale në Ballkan. “A duhet të flasin fqinjët midis tyre? Dhe sipas Bashës, përgjigjja është po. Sigurisht, sipas tij, kjo duhet të ndodhë në bazë të raportit të reciprocitetit dhe të respektit bilateral.
Takimi me homologun rumun
Komentet e mësipërme ministri i Jashtëm i bëri gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Rumanisë, z. Lazar Comanescu, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë. Pas takimit, Basha u shpreh se "në fokus të bisedimeve ishte axhenda e bashkëpunimit mbi angazhimet shumëpalëshe, veçanërisht në drejtim të proceseve evropiane dhe euroatlantike, si dhe mbi çështjet rajonale". Ai u ndal gjithashtu në çështjen e liberalizmit të vizave, të cilin e konsideroi "një hap madhor për lëvizjen në rajonin e Evropës Juglindore dhe si një shenjë e qartë e vullnetit të Brukselit për të njohur përafrimin e Shqipërisë". Nga ana tjetër, ministri Basha u shpreh se "kjo çështje ka të bëjë edhe me kapacitetet e Shqipërisë për të realizuar të gjitha kushtet dhe kriteret për përfundimin me sukses të këtij procesi". Në këtë drejtim, ai vuri në dukje "rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, rezultatet e reformave ekonomike, por edhe sigurinë e kufijve, si dhe luftën efikase që Shqipëria po zhvillon kundër trafiqeve ndërkombëtare ilegale".
Ministri rumun vlerëson reformat për integrimin
Kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pritën dje në një takim ministrin e Jashtëm të Rumanisë, zotin Llazar Kumanesku. Të dy krerët e shtetit gjatë takimeve me të vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, si në fushën politike, ekonomike, kulturore, si dhe shprehën vullnetin e përbashkët për forcimin dhe zgjerimin e tyre në të ardhmen.
Gjatë takimit me Kryeministrin, ministri i Jashtëm rumun, Kumanesku, përgëzoi Kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare për marrjen nga ana e Shqipërisë të ftesës për anëtarësim në NATO, duke shprehur kënaqësinë që ky vendim i rëndësishëm historik u mor në Bukuresht. Duke vlerësuar lart rolin e qeverisë shqiptare dhe rolin aktiv të Kryeministrit Berisha në realizimin me sukses të një sërë reformash, zoti Kumanesku theksoi se kjo ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë nuk do të ishte mundur pa këtë proces reformash të gjithanshëm dhe të suksesshëm. Ministri i Jashtëm rumun vlerësoi shumë pozitivisht hapat e ndërmarra në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke e cilësuar këtë të fundit si një domosdoshmëri në përmirësimin e klimës ndaj biznesit dhe nxitjen e investimeve të huaja. Edhe Presidenti Topi vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të vizitave në nivele të larta për intensifikimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.