E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debatet e shumta, rikthehen ndryshimet në rregulloren e Kuvendit

Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit për mënyrën e shqyrtimit të dekreteve të Presidentit, do të ridiskutohen përsëri në Këshillin e Rregullores së Kuvend. Kjo ndodhi për shkak se Kuvendi u përfshi në një debat prej orësh të tëra në lidhje me propozimet e bëra nga deputeti Fatos Beja. Krahas kontestimeve të shumta nga opozita, e cila braktisi edhe seancën plenare, rezerva ka pasur edhe nga deputetë të mazhorancës dhe aleatët e saj. Deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, kërkoi që diskutimi për ndryshimin e rregullores duhet të bëhet ndryshe, në mënyrë që të përcaktohet edhe thelbi i ndryshimit. Sipas Mustafajt, ndryshimet në rregullore komplikojnë shqyrtimet e dekreteve të Presidentit ndaj dhe sipas tij, duhet diçka më ndryshe nga sa parashikon deputeti Beja në amendimet e tij. Deputeti republikan, Fatmir Media, ka shfaqur rezerva në lidhje me amendimin, ku shprehej se Kuvendi mund të kërkojë informacione nga institucionet e shtetit për emrat që vijnë nga Presidenti për anëtarë në Gjykatën e Lartë. “Po sikur informacioni të jetë tepër konfidencial që e ndalon ligji, atëherë si duhet të veprojë institucioni përkatës me këtë informacion që kërkon Kuvendi”, - tha Mediu. Vetëm pak ditë më parë Këshilli i Rregullores miratoi propozimet për ndryshim të deputetit Beja, por duket se do t’i rikthehet edhe njëherë këtij debati. “Komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen dhe pasi ka marrë miratimin me shkrim të personit të propozuar, shqyrton si përmbushjen e kushteve formale, kushtetuese e ligjore, ashtu edhe meritën e çdo kandidature duke u bazuar në kritere të matshme dhe objektive. Për të garantuar cilësinë e përzgjedhjes dhe rolin substancial të Kuvendit në këtë përzgjedhje, komisioni bashkëpunon me institucionet shtetërore dhe publike për të zgjeruar të dhënat për çdo kandidat, bashkëpunon dhe/ose kryen konsultime me institucionet përkatëse dhe rrethet profesionale”, - përcaktohet në amendimin e deputetit Beja, i cili do të ridiskutohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›