Basha-socialistëve: Tregoni ku shkuan 200 milionë eurot e rrugës Durrës-Kukës
Rruga Durrës-Kukës është rikthyer edhe njëherë në qendër të debatit parlamentar. Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Erion Braçe, deklaroi ditën e djeshme se kompania amerikane “Bechtel” dhe nënkontraktori turk “Enka” po fitojnë shuma marramendëse nga ndërtimi i aksit Rrëshen-Kalimash. Sipas Braçes, në tatime janë deklaruar shuma të mëdha, gjë që tregon se rruga ka një kosto të lartë. “Vetëm në 10 muaj aktivitet, kompania amerikane “Bechtel” ka publikuar në tatimet shqiptare 86 milionë euro fitim”, - tha Braçe. Reagimi ka qenë i menjëhershëm nga disa prej deputetëve të mazhorancës veçanërisht ai i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, ish-ministri i Transporteve, që nënshkroi kontratën për ndërtimin e kësaj rruge. “Mos u bëni demagogë. Duhet t’i shihni gjërat më me korrektësi. Kur u nënshkrua kontrata, çmimi i agregateve kryesore si nafta, çimentoja apo hekuri, ishin gati dy herë më pak. Por në fakt ajo që duhet t’i thoni shqiptarëve është të tregoni se ku i çuan 200 milionë eurot që mblodhët nga taksat e tyre për këtë rrugë”, - u tha Basha deputetëve socialistë. Në të njëjtën linjë janë shfaqur edhe kryetarja e Kuvendit, Topalli, e cila vetëm dy ditë më parë vizitoi këtë aks dhe tha se kjo rrugë është diçka që shqiptarët as që mund ta imagjinonin. Ajo ftoi socialistët ta vizitonin, sepse do të ndërronin mendje. “Ju keni frikë ta vizitoni këtë aks, se pastaj do të kthenit mendje”, - tha Topalli.