PS-LSI, përballja e parë në Kashar
Për herë të parë pas tre vjetësh, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të përballen me njëra-tjetrën në një garë elektorale. Zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e ri të Komunës së Kasharit në Tiranë risjellin në vëmendje garën elektorale mes dy partive të majta, të ngjashme me atë të 2005-s. Dy partitë do të paraqiten në këtë garë elektorale me kandidatët respektivë, Sinan Egra nga Partia Socialiste dhe Alfred Bakalli nga LSI. Kandidati i PS-së do të mbështetet nga partia e Skënder Gjinushit, ndërsa kandidati i LSI-së do të mbështetet nga partia e Cekës dhe e Milos. Kjo është panorama që paraqet e majta në këto zgjedhje të pjesshme, duke parashikuar në këtë mënyrë edhe rezultatin e përçarë. Burime nga dy partitë konfirmuan se mes tyre nuk ka pasur asnjë komunikim për të bashkuar votat, megjithëse dy ditë më parë gjatë mbledhjes së KDK-së, kryetari i LSI-së theksoi se prova e koalicionit që ai drejton do të jenë pikërisht zgjedhjet në këtë komunë. Gjithsesi, panorama duket e qartë, me përmasa më të vogla, por PS e LSI do të përballen me njëra-tjetër si në korrik të 2005-s. Në atë kohë, Nano dhe Meta nuk e përqendruan fushatën e tyre elektorale vetëm te rivali politik Berisha, por edhe te njëri-tjetri. Ndërkohë Lëvizja Socialiste ka nisur fushatën dhe dy ditë më parë bëri prezantimin e kandidatit të saj, kryesia e PS-së vetëm dje miratoi emrin e kandidatit të saj që do të përballet me Bakallin e LSI-së dhe atë të mazhorancës. Kandidati i PS-së, Sinani, ishte ndër favoritët kryesorë, në zgjedhjet e 2007-s, për të kandiduar nën siglën e gjithë së majtës, por me ndërhyrjen e Gjinushit, këtë të drejtë e fitoi Alfred Sulaj që rezultoi fitues. Burime nga PS bënë të ditur dje se socialistët janë optimistë për fitoren e Egrës, duke u shprehur se përderisa fitoren e arriti edhe Gjinushi në 2007-n, atëherë mund ta arrijë edhe PS-ja. Nga ana tjetër, Bakalli që mbështetet nga dy partitë e tjera aleate të LSI nuk është prezantuar si kandidat i koalicionit “E Majta për Integrim”, por si i LSI-së, i mbështetur nga PAD e PDS. Njëkohësisht edhe kandidati i PS-së do të regjistrohet në KQZ nën siglën e kësaj partie, çka duket se gara më e fortë do të jetë mes Egrës dhe Bakallit, sesa mes këtyre të dyve dhe kandidatit të djathtë. Gjatë prezantimit të dy ditëve më parë, Meta ka bërë një prezantim tipik në këto raste, duke vlerësuar në maksimum kandidatin Bakalli dhe duke deklaruar se programi i tij është më i miri. Në tre vitet e fundit me qeverisjen e të djathtëve janë zhvilluar disa gara zgjedhore të pjesshme, tri herë për deputet në Parlament dhe një herë për Komunën Paskuqan. Në të gjithë këto gara elektorale, opozita ka rezultuar humbëse, por ajo është paraqitur e bashkuar. Në Shijak PD fitoi kundrejt kandidatit të majtë, e njëjta gjë u përsërit dhe në Pogradec e në Tiranë. Në zonën 31, PS garoi me kandidat të dalë prej radhëve të saj, por PD fitoi me epërsi të dukshme. Zgjedhjet në Kashar do të zhvillohen më 27 korrik. Ato zhvillohen si rezultat i arrestimit të ish-kryetarit të komunës, Alfred Sulaj, disa muaj më parë, me akuzën për korrupsion pasiv, falsifikim dokumentesh etj.
PS: Rregullorja e Kuvendit të ndryshohet në themel
Partia Socialiste propozon ngritjen e një grupi pune që do të shqyrtojë ndryshimet e duhura në rregulloren e Kuvendit, ndryshime që prekin shumë aspekte të saj, përveç çështjes së emërimeve në institucionet e pavarura. Sipas kryetares së grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, ndryshimet në Kushtetutë sjellin si pasojë ndryshime edhe në rregullore dhe këto nuk mund të bëhen në kohë të ndryshme, por të gjitha të marra së bashku. “Ne kemi propozuar të ngrihet një grup pune, i cili të shohë të gjitha llojet e propozimeve, atë të z. Beja, nismën që ka ardhur nga dy deputetët e PS-së dhe gjithashtu një grup tjetër propozimesh, kjo për shkak se ka ndryshuar Kushtetuta. Pra, nga ndryshimi i saj, lind nevoja për ndryshime në rregullore. Ne s’kemi pse t’i bëjmë një e nga një, duhet ngritur një grup pune, i cili të bëjë një paketë që të integrojë të gjitha ndryshimet e nevojshme në rregulloren e Parlamentit, pa qenë nevoja për t’u futur me procedurë të përshpejtuar. Sa më shpejt që t’i bëjë grupi i punës, ne nuk kemi pengesë, por rëndësi ka që të jenë ndryshime integrale, që i shërbejnë funksionimit të Parlamentit dhe jo “tregimit të dhëmbëve” ndaj Presidentit”, - tha Leskaj. Leskaj vuri në dukje se rregulloret ndryshohen me konsensus. “Do të thotë që ajo duhet të marrë konsensusin e partive parlamentare, sepse ka të bëjë me funksionimin e Parlamentit”, - deklaroi ajo. Njëkohësisht, Leskaj reagoi mbi letrën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dërguar Komisionit të Çështjeve Ligjore, për të marrë në shqyrtim tre projektligje për verifikimin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë. “Një muaj më parë kam kërkuar që të futet në procedurë ligji për “bashkëpunëtorët e sigurimit”, pra e kam kërkuar në seancën e Parlamentit, ku bëhet edhe vendimmarrja, dhe jo me letra. Ndërkohë që nuk kam marrë përgjigje nga kryetarja. Fakti që ajo e kërkon me nxitim, është si puna e rregullores, bëhet përpara dekreteve të Presidentit, për t’i treguar atij forcë, dhe e sa herë që Partia Demokratike ka probleme, hedh kësisoj kartash, për të spostuar vëmendjen”, - tha Leskaj.