E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, vendim elektoral për mësuesit me kontrata

Tjetër vendim që rrëzon udhëzimin e Ministrisë për largimin e tyre nga puna


TIRANË- Qeveria vendosi dje sërish kundër udhëzimit të MASH-it, për heqjen nga puna të mbi tre mijë mësuesve me kontratë të përkohshme pune, duke u dhënë mundësi të mbyllin këtë vit shkollor 2008-2009.


Në mbledhjen e qeverisë u bënë disa ndryshime të vendimit të miratuar më 3 mars 2009 për përcaktimin e numrit të mësuesve me kontratë të përkohshme pune, për periudhën janar-qershor 2009.


Sipas vendimit, numri i punonjësve mësimorë dhe të tjerë me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, për periudhën janar-qershor 2009, për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, do të jetë 3.061 veta.


Brenda dy muajve ky është vendimi i dytë kundër udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencave, për shkarkimin nga puna të 3.061 mësuesve me kontratë të përkohshme, duke i lënë ata në punë deri në përfundim të kontratës.


Ashtu si dhe në vendimin e marsit, kontrata me mësuesit do të përfundojë në qershor 2009. Vendimi që është thjesht një përsëritje e atij të marsit, është një "bonus" elektoral që qeveria u jep mësuesve me kontrata të përkohshme pune, të paktën deri dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.


Vendimi i mëparshëm u bë pas kundërshtimit të ashpër të sindikatave të arsimit ndaj udhëzimit të MASH-it, mbi pagesën e punonjësve mësimorë në dispozicion të MASH-it, sepse, sipas tij, të zyrtarizuar në 5 shkurt 2009, punonjësit mësimorë që, deri më 31 dhjetor 2008, kanë qenë punonjës me kontratë të përkohshme në sektorin e arsimit, duke filluar nga data 1 janar 2009 dhe në vijim, nuk do të vlerësoheshin më si punonjës me kontratë, por do të ishin në dispozicion dhe do të paguheshin me honorare, në bazë të orëve që do të kryenin në shkolla. Prej këtij udhëzimi prekeshin më shumë mësuesit në qarqet e Elbasanit dhe të Tiranës.


Nga rreth 36 mijë mësues që ka vendi, mësuesit me kontrata janë rreth 10 për qind e tyre dhe ata kanë kontrata 1-vjeçare pune të lidhura me drejtoritë arsimore rajonale.


Kjo ishte edhe arsyeja se përse sindikatat kundërshtuan udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, që kërkonte në mënyrë të njëanshme shkëputjen e marrëdhënies së punës me mësuesit, në mesin e kontratës, duke i lënë ata në mes të rrugës.


Udhëzimi u kundërshtua edhe nga drejtoritë e shkollave, sidomos ato në fshatra, të cilat ndjejnë mungesa të mësimdhënësve.


Por, vendimi i djeshëm i qeverisë i ka efektet deri në përfundim të vitit shkollor dhe do të duhet një vendim tjetër për vitin shkollor 2009-2010, se çfarë do të bëhet me këtë kontingjent mësimdhënësish.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›