E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalonte trafikndarësin, vetura plagos këmbësorin në autostradë

 

TIRANE- Një person ka mbetur i plagosur rëndë pasditen e të hënës në autostradën Tiranë-Durrës, pranë fshatit Yrshek të kryeqytetit pas një aksidenti automobilistik. Telha Jahja 28 vjeç, banues në fshatin në afërsi të ish-Nishtullës nr.3, ka mbetur me plagë të rënda në trup për shkak të përplasjes së tij me një automjet të markës "Opel Vectra" me targa të Durrësit, e cila e ka përplasur në rrugë. Këmbësori është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe sipas policisë dhe mjekëve gjendja e tij shëndetësore është e rëndë për shkak të plagëve të marra në trup nga përplasja me autoveturën. Mjeti i drejtuar nga Elton Shllaku 34 vjeç, vinte nga Tirana në drejtim të Durrësit, kur është përplasur me 28-vjeçarin. I plagosuri mësohet se ka qenë duke kaluar nga njëra anë e rrugës në anën tjetër, duke kaluar përmes një të çare të trafikndarësit prej betoni të rrugës. Sipas burimeve të policisë viktima ka kaluar pranë një mbikalimi në autostradë, por që nuk është përdorur nga viktima, me qëllim për të kaluar sa më shpejt rrugën. Drejtuesi i mjetit është munduar të devijojë rrugën, por e ka pasur të vështirë të ndalojë. Policia pas kryerjes së veprimeve në vendin e ngjarjes ka konkluduar se aksidenti ka ndodhur për shkak të ndërprerjes së menjëhershme të rrugës nga këmbësori. Drejtuesi i mjetit është ndaluar përkohësisht nga policia, deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes.                                   d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›