E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferrokromi i bllokuar, 110 vetë në dilemë për punën

Prej 1 gushtit, në uzinën e ferrokromit në Burrel është bllokuar totalisht puna. Shkaqet e ndërprerjes së punës janë të ndryshme, por "zhdukja" e pronarit të saj ka lënë punëtorët në frikë për mbylljen e saj. 

BURREL/ ENVER DOÇI

Në ditët e para, firma italiane konfirmoi se i mungonte lënda e parë, koksi, ndërkohë që burime pranë KESH-it dhe Ujësjellësit kanë sqaruar se firma "Ital-Crome" nuk ka paguar mbi 63 milionë lekë detyrime të prapambetura. Drejtues të Divizionit të Shpërndarjes në Burrel pohuan për gazetën se në fund të muajit korrik, kompanisë private të përpunimit të kromit i është dërguar fatura e konsumimit të energjisë elektrike, vlera e së cilës i kalonte 60 milionë lekët. "Duke parë se firma e huaj nuk po i përgjigjej pozitivisht kërkesës sonë, u detyruam t'i ndërpresim furnizimin me energji", sqaruan zyrtarë të agjencisë elektrike të Burrelit. Edhe herë të tjera firma e huaj nuk ishte treguar korrekte me KESH-in, duke mos shlyer ose vonuar pagesën e energjisë së shpenzuar. Edhe burime pranë Ujësjellësit pohojnë se prej muajsh firma "Ital-Crome", me pronar Mario Apolonin, nuk ka shlyer detyrimet. Janë më shumë se 3 milionë lekë që firma italiane i detyrohet Sh.A. Ujësjellës-Kanalizime në Mat. "Kemi menduar se firma koncesionare do të ishte korrekte me pagesën e faturave të ujit të pijshëm. Edhe firma para saj 'Darfo Albania' nuk pagoi ndaj nesh dhe KESH-it. U dogjëm nga firma e mëparshme dhe nuk mund të tolerojmë firmën aktuale", pohuan drejtues të ndërmarrjes. Burime jozyrtare thonë se forma koncesionare ka detyrime dhe ndaj subjekteve private të kromit, nga të cilat ka blerë krom, por nuk ka likuiduar detyrimet financiare. Metalurgë që nuk deklarohen me emra për shkak të vendit të punës, thonë se firma ka blerë krom në Pogradec dhe rrethe të tjera, por sipas tyre nuk janë shlyer detyrimet. Këto probleme financiare kanë bërë që më shumë se 110 metalurgë të mos jenë të sigurt nëse puna do të vazhdojë apo do të ketë fatin e mëparshëm, atë të mbylljes, duke i lënë pa punë sërish. Specialistë që veprojnë në uzinë japin variantin se pronari ndodhet në Moskë, për arsye familjare, dhe ky largim ka pezulluar procesin normal. Gjatë kësaj kohe, metalurgëve nuk u është ndërprerë paga, por kjo situatë i bën ata skeptikë mbi të ardhmen. Ndërkohë që ditët e fundit, burime nga uzina pohojnë se nuk kanë pasur asnjë kontakt telefonik me pronarin, duke hedhur dyshime për "zhdukjen" e tij. Pritet që ndërprerja e prodhimit dhe mungesa e investimeve të premtuara të jenë objekt të një takimi në Ministrinë e Ekonomisë, data e të cilit nuk është vendosur ende. Në fillim të vitit, puna në këtë uzinë u bllokua për shkak të një aksidenti në uzinë, kur shpërthimi i furrës shkaktoi 3 persona të plagosur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›