E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kalvari i vuajtjeve Filat – Dakao – Cërrik

28/02/2005  Jeta e vështirë e Nuriut, përprjekjet për mbijetesë

ELBASAN – Jeta e Nuri Zanes, nuk ka qenë e lehtë. Vuajtjet, e komunitetit të cilit ai i përkiste, kanë qenë prezente edhe për Nuriun, i cili gjatë jetë së tij, megjithë ndjenjën nacionale, u përndoq nga grekët në Çamëri, nga nazifashistët të cilët e internuan, por edhe nga diktatura në Shqipëri, që e burgosi.

Familja

Nuri Zane rrjedh nga një familje qytetare me tradita atdhetare nga Filati i Çamërisë. Babai i tij, Emini, ka qënë një flamurtar për mbrotjen e trojeve shqiptare nga zaptimi i një kulture tjetër siç ishte ajo greke, duke dhënë edhe një kontribut të çmuar në përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe. Por degët e familjes, kishin po të njëjtat vlera edhe nga nëna e tij Pasheja, e cila rridhte nga familja e Hasan Tahsinit nga Konispoli, me kontribut të theksuar atdhetar për mbrotjen e gjuhës dhe trojeve shqiptare. Nuriu u rrit me një situatë ku ndjenjat atdhetare në familje ishin superlative, aq sa babai këpucar i zoti, bënte këpucë për batalionin “Çamëria”, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë kësaj kohe, Nuriu, një i ri jo më shumë se 15 vjeç, strehohet në Shqipëri kur nisi aksioni i ushtarëve grekë kundër çamëve. Familja e ndihmoi gjithashtu të trashëgonte edhe zanatin e këpucarit, i cili do ti shërbente gjatë gjithë jetës. Por ai ishte një autodidakt i vërtetë, aq sa zotëronte katër gjuhë të huaja dhe gjithashtu trasmetonte një kulturë dhe edukatë, që do ta shoqëronte edhe gjatë edukimit të birit të tij.

Internimi

Duke u angazhuar në veprimtaritë kundër nazi-fashistëve, ai ishte kthyer në një pre, dhe në pranverën e vitit 1944, kallzohet nga autoritetet greke në komandën gjermane. Gjatë kësaj kohe, ai ndiqet dhe më pas arrestohet në një hotel të Janinës, në fillim të prillit. Burgoset në Janinë dhe pas disa kohëve, trasferohet në Selanik dhe nga aty, Nuri Zane, përfundon në Dakao të Gjermanisë. Në Gjermani, provon trajtimin çnjerëzor në kampet e përqëndrimit në Dakao dhe më pas në Mynih.

Fati deshi që, me kapitullimin e Gjermanisë nazifashiste dhe me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në fundgushtin dhe fillim shtatorin 1945, Nuriu të kthehej gjallë në Greqi, për të mbërritur në vendlindjen e tij Çamërinë, por, populli çam, nuk jetonte më aty.

Rikthimi

Në këtë rikthim, Nuriu shoqërohej nga Tasik Samaraj nga Filati, Sotir Kosta Moçi nga fshati Mursi, Sarandë, Qemal Xhema, Tepelenë, dhe Osman Taka, Filat i Çamërisë, si bashkëvuajtës të tij në kampet e përqëndimit dhe, gjatë udhëtimit në Janinë, mësojnë se Çamëria tashmë ishte shkatërruar dhe popullsia ishte shpërngulur drejt Shqipërisë. Nuk lejohet të shkojë në vendlindje ndërsa, së bashku me pesë shqiptarët e tjerë, tenton të kalojë kufirin në Kakavijë, ku paiset edhe me një dokument zyrtar identiteti. Në dokumentat e familjes Zane, ekziston origjinali i këtij dokumenti i firmosur nga kolonel Jashar Kasimati, për ish të internuarit në kampet e përqëndrimit nazist.

Duke kuptuar se ishte mjaft i vështirë rikthimi në trojet e vendlindjes, Nuriu bashkohet me familjen dhe nis një jetë tjetër në Shqipëri, por që asnjëherë nuk e harroi Çamërinë, e cila iu trasmetua së bashku me ndjenjat atdhetare, familjes së tij.

Si këpucar i zoti, ai arriti të sistemojë edhe familjen e tij në Cërrik.

Kujton shoku i tij Kujtim Radovicka

“Nuk deshte t’a kujtonte internimin në Dakao”

“Kemi qënë miq të mirë”, shprehet Kujtim Radovicka, duke përshkruar Nuriun, si një njeri mjaft të heshtur me një urtësi të çuditshme.

“Ai nuk fliste kurrë për Dakaon, eksperienca ishte mjaft trishtuese. Nuk kam guxim të flas për këtë”, më tregonte Nuriu, aq sa, ne mendonim të mos e pyesnim më, pasi i bënim keq duke i kujtuar vuajtjet dhe genocidin që kishte kaluar, gjatë dy vjetëve të qëndrimit atje. Prisnim shumë kureshtarë për të ditur diçka, por ai e bluante përbrenda vuajtjen dhe mbyllej mjaft, pasi i frikësohej reagimit komunist që mund edhe të ndërmerrte edhe një internim tjetër, këtë herë brenda Shqipërisë”, tregon Kujtimi. Shokët dhe ata që e kanë njohur Nuriun, tregojnë se ai ishte një njeri që dinte të komunikonte me bashkëqytetarët e tij, aq sa të gjithë e njohën dhe e respektonin mjaft.

“Ishte një këpucar mjaft i zoti që shikonte punën dhe nuk shkëmbente shumë fjalë”, e përshkruan kështu, Kujtimi, i cili e njihte duke qënë fqinj i tij për një kohë të gjatë.

“Shpërblimi” i regjimit komunist

Në burg për një banak të djegur

Gjatë kohës së komunizimit, nuk mori merita as nuk u afrua në ndonjë punë me prestigj, por kaloi në heshtje në shërbim të familjes së tij. Por, edhe periudhën e komunizmit, pavarësisht heshtjes, Nuriu nuk do ta kalonte lehtë. Në vitin 1964, kur punonte si bufetjer në Cërrik, ndodh një aksident i cili do ti kushtonte edhe katër vite burg. Djegia e një pjese të banakut nga rënia aksidentale e zjarrit, solli edhe akuzën për sabotim të pasurisë shtetërore. Gjyqi ndaj Nuri Zanes, vinte pas të famshmit gjyq të grupit të Teme Sejkos dhe, Nuri Zane do të cilësohej si këlysh i Tahir Demit dhe Teme Sejkos, duke u dënuar me 4 vjet burg.

I gjithë populli i Cërrikut, gjatë kohës së gjyqit e mbrojti dhe nuk hodhi baltë mbi të, aq sa kjo e ndihmoi që dënimi të ishte jo i përmasave që pritej.

Gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës në vitet e diktaturës, Nuri Zane “mbylli gojën” dhe vazhdoi të punonte si këpucar. Asnjëherë nuk u fol për internimin në Gjermani dhe nuk pati vlerësim për këtë fakt.

Në vitin 1995, përfitoi statusin e veterantit të luftës 7 vjet pas vdekjes, ndërsa familja ka arritur më në fund që të gëzojë “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.

Flet Hyqmeti, i biri i Nuri Zanes

“Dekorata, për babain tim,mesazh për komunitetin çam”

Familja Zane ka qënë në qëndër të vëmëndjes gjatë këtyre ditëve. I biri i Nuri Zanes, Hyqmet Zane, gazetar, nuk mbetej jashtë kësaj atmosfere. Ai ka luftuar mjaft që shoqëria atdhetare Çamëria, të pozicionohet dhe të marrë në dorë situatën. Për tre vjet, ai është përpjekur që figurat çame të nderohen për kontributin e tyre në Elbasan.

“Ndërsa në shoqëri nuk fliste për internimin, në familje ai tregonte edhe detaje se si kishte mundur të mbijetonte”, tregon Hyqmeti.

Duke falenderuar Presidentin e Republikës, Hyqmet Zane, deklaron se, “Ky dekorim është përjetuar jo vetëm si vlerësim familjar por si një mesazh ndaj të gjithë çamëve që jetojnë në Shqipëri, për vendin që kanë në shoqërinë shqiptare dhe për çështjen çame, e cila gjithashtu, ka marrë vëmendjen e politikës kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›