E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pritë në autostradë,vritet Klodian Saliu

28/02/2005  Udhëtonte drejt Tiranës, plagoset shoku i tij

DURRËS - Vritet në rrethana misterioze një 29-vjeçar nga qyteti i Durrësit. Ekzekutimi i tij dhe plagosja e shokut më të cilin ai po udhëtonte me të njëjtin automjet mbrëmjen e së shtunës drejt Tiranës, është mbuluar në mister së paku edhe 24 orë pas vrasjes. Burime të sigurta, janë shprehur se ka qenë një pritë e mirëorganizuar në autostradën Durrës-Tiranë në afërsi të Maminasit. Po sipas të njëjtave burime, deri më tani ka disa pista ku po hetohet për të bërë të mundur dhe gjetjen e ekzekutorëve. Por, gjithsesi, dyshimet më të mëdha deri mbrëmë për blutë e qytetit bregdetar, kanë qenë për ndonjë larje të mundëshme hesapesh. Nuk dihet nëse mes viktimës dhe atentatorëve konflikti është hapur tani, apo gjatë periudhës që Saliu jetonte ne Itali.

Ngjarja

Mbrëmjen e së shtunës rreth orës 22.30, është vrarë më armë zjarri shtetasi Klejdi Saliu, banor i lagjes nr. 15 të qytetit të Durrësit, si dhe është plagosur rëndë shoku i tij Osman Truma. Deri para pak kohësh, para ndërrimit të emrit, Klejdi njihej me emrin Klodian.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Maminas, në autostradën Durrës - Tiranë. Dy viktimat e atentatit kanë qenë duke udhëtuar drejt kryeqytetit, kur janë vënë përballë zjarrit të automatikut. Saliu, nuk ka mundur t’i shpëtojë ekzekutimit nga prita e ngritur, ndërsa Truma është palgosur rëndë.

Vrasësit kanë zgjedhur kohën e qarkullimit më të paktë të automjeteve në këtë segment, ndërkohë që inskenuesit e atentatit ishin kujdesuar që në pritë të mos bien autovetura të tjera, të cilat qarkullonin në të njëjtin sens. Madje, nga burime zyrtare bëhet e ditur se disa minuta para aktit të krimit, në një rreze prej 300 m në sensin Durrës-Tiranë, nuk ka pasur makina në qarkullim. Burime zyrtare të policisë kanë thëne dje se atentatorët kanë qenë profesionistë në mënyrën e ekzekutimit, pasi ata fillimisht kanë qëlluar në pjesën e poshtme të makinës duke shpuar gomat dhe në mënyrë që Saliu të ngadalësonte shpjetësinë dhe të mos kishte shanse që ti shpëtonte plumbave. Brënda pak sekondave, makina e kthyer ne shënjestër ka devijuar nga rruga, për të përfunduar në një kanal. Pikërisht atje janë derdhur dhe breshëritë e plumbave mbi trupin e Klodian aliut.

Viktimat

Sipas policisë lokale, mësohet se 29-vjeçari Klejdi (Klodian) Saliu nga Durrësi, ka qenë duke drejtuar automjetin e tij tip “Benz” me targa DR 8907 C, ndërsa në sedilen e parë ka qenë shoku i tij Osman Truma, edhe ky banor i qytetit të Durrësit i kthyer vetëm pak kohë më parë nga Italia. Burime nga policia kanë pohuar se në automjet nuk ka pasur persona të tjerë, ndërkohë që një karikator automatiku është lëshuar drejt Klejdi Saliut, i cili ka qenë edhe objekt i ekzekutimit.

Automjeti ka dalë jashtë rruge duke shkaktuar edhe plagosjen e rëndë të shtetasit Truma, i cili ka mundur t’i shpëtojë vdekjes. Burime nga spitali i Durrësit, ku edhe gjendet i plagosuri, pohojnë se Truma ka pësuar fraktura të forta në dy duar, në kokë dhe ka marrë një plumb në këmbë. Ai është dërguar në repartin e kirurgjisë për ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa të dy duart i janë futur në allçi. Gjithësesi, ndryshe nga shoku i tij Truma, i ka shpëtuar vdekjes por që do të duhet të qëndrojë në spital, deri në përmirësimin e plotë.

Policia

Grupi hetimor ka qenë në vendin e ngjarjes 40 minuta pasi dy të rinjtë janë vrarë në pritë.

Nga ana e policisë, ende nuk dihet nëse krimi është kryer nga një person i vetëm apo në bashkëpunim me të tjerë. Sipas policisë e cila nuk ka konfirmuar as llojin e armës së krimit, Klejdi Saliu ka marrë shumë plumba në krahëror dhe pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Policia nuk ka bërë të ditur as motivet e krimit dhe as pistat e hetimit, ndërkohë që, nuk ka deklaruar as edhe provat materiale të bllokuara në vendin e ngjarjes. Pas vrasjes, grupi i hetimit ka shoqëruar dhe familjarë të viktimës për të marrë deklarime për ndonjë konflikt të mundshëm që mund t’i ishte hapur viktimës.

Por dhe deklarimet e tyre duket se nuk kanë dhënë ndonjë sinjal pozitiv për të zbardhur vrasjen më të fundit të ndodhur në qytetin e Durrësit. Sipas bluve,të cilët kanë kërkuar ndihmë edhe nga policia e Tiranës, për të kontrolluar automjetet në të njëtin aks rrugor, autorët e vrasjes kanë qëlluar me armë zjarri dhe janë larguar pa mundur të identifikohen.

Gjithashtu, policia është shprehur se gjatë gjithë natës, janë realizuar disa operacione duke ndaluar disa persona të dyshuar për autorë, pjesëmarrës apo edhe si persona që mund të kenë dijeni për krimin. Në lagjen 15 të Durrësit, ku edhe banonte viktima, gjatë natës së shtunë dhe në orët e para të së dielës janë kontrolluar disa banesa, ndërkohë që, nuk janë publikuar rezultatet e operacionit.

Por, vrasja jo për konkurrencë

Klejdi Saliu, pronar i tre lokaleve

Klejdi Saliu, 29-vjeçari me banim në Durrës, i vrarë në rrethana të paqarta, është pronar i një lokali në Bisht Pallë, ndërsa si

Bashkëpronar, ka edhe dy lokale të tjera në Durrës.

Restoranti “Çikloar” i ndërtuar disa vite më parë në bregdet, ka qenë ndër më të frekuentuarit në sezonin veror dhe kjo i ka krijuar mundësi atij të nxjerrë fitime të mira.

Por, me gjithë këtë pasuri që dispononte Saliu, hetimet e para përjashtojnë mundësinë e motivit të vrasjes për shkak të konkurencës.

U lirua tre vjetë më parë

Akuzohej për 3 vrasje, gjykata rrëzoi provën e ADN

Klodian Saliu ka qenë i arrestuar tre vjet më parë, por ka mundur të rifitojë lirinë, pasi dy vendime gjykate, ia kanë dhënë këtë mundësi. Sipas prokurorisë, ai akuzohej për tre vrasje, një plagosje, por të gjitha këto vepra penale janë rrëzuar dhe Saliu, çuditërisht ka marrë pafajësinë.

Gjykatat

Janë dy vendime gjykate, nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit e Durrësit, që kanë vendosur kundër prokurorisë, në akuzat që rëndonin mbi Klodian Saliun. Ndonëse prokuroria kishte kërkuar dënim maksimal për të pandehurin, trupi gjykues ka shembur provat ku mbështetej prokuroria. Në dosje gjendej dhe një analizë shkencore, e ADN-së, që sipas prokurorisë provonte fajësinë e Saliut, për njërën nga vrasjet që akuzohej. Pas Shkallës së Parë edhe Apeli ka marrë të njëjtin vendim, duke mos e rikthyer në burg, por duke e lënë të lirë të akuzuarin për disa vrasje.

ADN

Përveç provave dhe fakteve të tjera të mbledhura nga prokuroria, as ADN nuk ka bërë të mundur që të shpallë fajtor Klodian Saliun. Një fije floku e të pandehurit e marrë në vendin e ngjarjes, nxorri të fajshëm të akuzuarin, sipas ekspertëve. Por gjykata e ka rrëzuar provën që sjell 99 për qind garanci shkencore, me pretendimin se në laborator është hapur zarfi dhe mund të ketë pasur parregullsi. Një "dyshim" në këtë procedurë teknike, është marrë parasysh nga gjykata, që pas shumë seancash ka shpallur në vititn 2003 të pafajshëm Klodian Saliun. Pas këtyre vendimeve ai është liruar, ndërsa dy netë më parë është qëlluar për vdekje nga persona të paidentifikuar ende prej policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›