Tatimet nuk i njohin apelimet e biznesve për gjobat e padrejta
Ervin KOÇI
Administrata Tatimore nuk do të njohë apelimet që subjektet e bizneseve do të bëjnë në rastet e vendosjes së gjobave të ndryshme. Për të gjitha procedurat e fundit të gjobëvënies ndaj subjekteve, sidomos në ato raste kur malli është i pashoqëruar me dokumentacion, ose kur nuk përdoret kasa fiskale, Tatimet nuk do të marrin parasysh të drejtën e subjektit për apelim. Procesi i vendosjes së kasave fiskale po shoqërohet me pretendime të shumta, ankesa dhe kritika mes biznesit dhe tatimeve. Vendosja e gjobave në shifra mbi 50 milionë lekë për ato biznese që nuk janë pajisur me kasa, por edhe raste të tjera që lidhen me procesin, kanë mundësuar lindjen e një debati të radhës biznes-tatime. Ndërkohë që administrata tatimore pretendon se procesi i punës po ndiqet nga afër konform ligjit "Për procedurat tatimore". Në muajin shtator nisi dhe faza e dytë e instalimit të kasave për biznesin e mesëm, ndërsa në janar 2010, nis faza e tretë, që i takon biznesit të vogël. Gjoba për mospajisjen me kasë fiskale shkon deri në 1 milion lekë. Shumë biznese nuk i kanë vendosur pajisjet nga neglizhenca ose mungesa e informacionit. Disa të tjera i kanë vendosur në vitet ‘95-‘96, por që më pas dështuan, e tani nuk duan të blejnë të tjera. Të tjerë ankohen për çmimin dhe për mungesën e korrektësisë nga ana e shoqërive të autorizuara për instalimin e pajisjeve. Nga ana tjetër kemi tatimorët, të cilët nuk e njohin ende procesin e kasave fiskale. Disa prej tyre i kërkojnë biznesit faturat jo sipas modelit të ri (kuponi), duke krijuar situata të paqena edhe kur biznesi ka vendosur kasë fiskale.
Qëndrimet
Në gjithë situatën e krijuar, administrata tatimore përpiqet të justifikohet se veçohet nga rastet korruptive, dhe se e gjithë reforma që po kryhet është në vijim të ligjit "Për procedurat tatimore". Sipas Drejtorisë së Përgjithshme, vendosja e kasave është një detyrim ligjor dhe kush nuk e respekton ndëshkohet me sanksione. Tatimet pretendojnë se nuk ka asnjë rast që kontrollet e tyre të kryhen mbi kritere selektive, duke goditur bizneset. Pavarësisht kësaj, vetë bizneset ankohen se në tërësi situata me tatimorët ka ndryshuar për mirë, megjithatë veprimet e tyre abuzuese vijnë si në kohë fushatash, kur arka e shtetit është bosh.
Procesi
Në rang vendi numërohen rreth 95 mijë biznese të llojeve të ndryshme, dhe të ndara në tre kategori: i vogël, i mesëm dhe i madh. Të pesta shoqëritë janë autorizuar nga Ministria e Financave që brenda muajit dhjetor të vitit 2010 duhet të përfundojnë procesin e vendosjes së kasave fiskale. Por jo e gjitha është në dorë të tyre. Përveç trajnimit që i duhet bërë biznesit, edhe punonjësit tatimorë kanë nevojë të njihen me formën e re të raportimit të xhiros. Procesi ka hyrë në muajin e shtatë dhe ende ka tatimorë që nuk e njohin formatin e ri të raportimit të aktivitetit privat. Kësisoj, do të ketë ende përplasje mes biznesit dhe tatimeve, edhe në ato raste kur kasat janë vendosur.
Janar- korrik, Doganat humbasin rreth 7 miliardë lekë
Rënia e çmimeve të lëndëve të para në bursat ndërkombëtare, si pasojë e krizës globale, ka prekur të ardhurat doganore. Të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, nga administrata doganore janë mbledhur në total 56.7 miliardë lekë nga rreth 63.9 miliardë te planifikuara ose duke realizuar planin në nivelin 88.6 për qind. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, niveli i të ardhurave ka rënë me 307 milionë lekë. “Mosrealizimi i të ardhurave në dogana ka ardhur si pasojë e rënies së vlerës së importeve, edhe pse zhvlerësimi i lekut kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë ka ndihmuar në zbutjen e këtyre efekteve negative. Kontribuesit kryesorë të mosrealizimit të të ardhurave në dogana janë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe akciza”,- theksohet në raportin e Ministrisë së Financave. Të ardhurat nga tatimet janë realizuar 101.4 për qind. Kështu, janë 62.9 miliardë lekë të mbledhura nga 61.9 miliardë të parashikuara për periudhën 7-mujore.
Berisha në “Fiera del Levante”: “Jemi të hapur për investime të huaja”
Kryeministri Sali Berisha i ka premtuar dje investitorëve italianë, klimë të mirë në Shqipëri për biznesin e tyre. Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e hapjes së panairit “Fiera del Levante” në Pallatin e Kongreseve, Berisha i ftoi investitorët italianë që të investojnë në Shqipëri, pasi qeveria po punon për një klimë sa më të favorshme për biznesin. “Unë do të doja të siguroja investitorët italianë, se Shqipëria është duke punuar çdo ditë për t’u bërë gjithnjë e më e dashur dhe më e hapur ndaj investitorëve të huaj, ndaj investitorëve puliezë. Ne jemi duke punuar fort për të shkatërruar çdo pengesë burokratike, për të zgjidhur çështjen e pronës private, të sigurojmë investimet”, u shpreh kryeministri. Ai theksoi se duke qenë që Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha në fushën energjetike, ato kanë tërhequr vëmendjen e firmave italiane që janë duke punuar në sektorin hidrik, eolik, në biomasë dhe ne jemi të hapur për të gjitha burimet e tjera energjetike. Kjo sipas tij do të bëjë që Shqipëria të ketë një fuqi hidrike të jashtëzakonshme për t’u shfrytëzuar. Që do të thotë se në këtë vend do të ndërtohen më shumë se 440 hidrocentrale, nga më të mëdhenjtë deri te më të vegjlit. Mjaft firma tha Berisha kanë paraqitur interes për Skavicën; “Marseglia” ka filluar punën për një termocentral me biomasë dhe një park eolik; “Moncada”, do të ketë platformë eolike, besoj se ndër më të mëdhatë në Evropë, që do të ndërtohet në gadishullin e Karaburunit.
Ne jemi duke ndërtuar 6 parqe industriale, ku industrialistët italianë do të mund të investojnë”, citoi kryeministri.
Transparenca në tendera, miratohet ngritja e një agjencie për koncesionet
Komisioni parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi dje disa ndryshime në ligjin "Për koncesionet", i cili ka si objekt krijimin e një agjencie të posaçme, e cila do të ushtrojë kompetencat e kontrollit dhe menaxhimit në fushën e koncesioneve, si një prej komponentëve shumë të rëndësishëm të qeverisë shqiptare për zhvillimin e ekonomisë së vendit. Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, sigurimi i transparencës dhe paanshmërisë në shqyrtimin e ankesave të procedurave koncesionare do të jetë tashmë kompetencë e Agjencisë së Koncesioneve, e cila do të krijohet pas miratimit të projektligjit të propozuar nga qeveria. Nenet e propozuara për ndryshim kanë të bëjnë me zëvendësimin e kompetencave të Agjencisë së Prokurimit Publik dhe kalimin e tyre Agjencisë së Koncesioneve, të cilat, duke qenë se kanë të bëjnë me një procedurë tenderi (konkurrimi), në thelb janë konceptuar njësoj me kompetencat e Agjencisë së Prokurimit Publik. Gjithashtu, drafti i qeverisë propozon të ndryshohet afati i shqyrtimit të ankesave të operatorëve ekonomikë nga 20 ditë kalendarike në 30 ditë kalendarike.
Ndryshimi i paketës ligjore për koncesionet do të rrisë edhe më shumë transparencën, barazinë, efikasitetin dhe besimin e ofertuesve, për një gjykim të drejtë e të paanshëm në procedurat e rishikimit administrativ në rastet e shkeljes së ligjit apo moszbatim të tij nga autoriteti kontraktues.
15 Tetor 2009