E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: “Kriza po rrit papunësinë dhe po ul të ardhurat për familjet”



Ervin KOÇI

Banka e Shqipërisë nxiton të informojë institucionet e vendit për pasojat që po rrjedhin në ekonominë e vendit prej thellimit të krizës ekonomike. Në mbledhjen e djeshme Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së mori në shqyrtim gjendjen e sistemit financiar në 6-mujorin e parë të vitit 2009 dhe analizoi situatën e stabilitetit financiar në Shqipëri. Nga konstatimet e BSH-së del se situata ekonomike në vend është përkeqësuar mjaft muajt e fundit, kjo edhe prej thellimit të pasojave të krizës në sektorë të ndryshëm të ekonomisë si dhe në sistemin bankar. Në raportin e BSH-së thuhet se, “ekzistojnë disa faktorë të cilët rrezikojnë qëndrueshmërinë dhe shpejtësinë e rigjallërimit ekonomik. Më konkretisht, mbetja në nivele të larta e normës së papunësisë, paqëndrueshmëria e nivelit të të ardhurave për familjet dhe sipërmarrjet e biznesit, si edhe ecuria e paqëndrueshme e tregut të shtëpive, identifikohen si zhvillime që mund të vonojnë në kohë dhe ta bëjnë të paekuilibruar rigjallërimin e ekonomisë”. Më tej BSH-ë tërheq vëmendjen që për një periudhë afatmesme familjet, sipërmarrjet e biznesit, institucionet financiare dhe qeveria, të vijojnë me politikat korrektuese të bilanceve të tyre financiare, duke synuar vendosjen e raporteve të drejta dhe plotësuese mes kursimeve dhe shpenzimeve. Në këtë situatë BSH-ja këshillon që “autoritetet publike duhet të gjejnë një ekuilibër midis nevojës për të ruajtur stimulin financiar në afat të shkurtër, dhe përgatitjeve për të dalë gradualisht nga politikat e jashtëzakonshme të mbështetjes ekonomike”.

Pasojat e krizës

Efektet e krizës financiare ndërkombëtare, u ndjenë në ekonominë e vendit dhe në sistemin tonë financiar. Sipas raportit të BSH-së, “duke qenë një krizë ndërkombëtare, efektet e para u ndjenë mbi bilancin e pagesave, që reflekton marrëdhëniet e ekonomisë tonë me botën. Rritja e papunësisë dhe rënia e financimeve në vendet fqinje anëtare të Zonës së Euros, u shoqërua me rënie të kërkesës për mallrat e vendit dhe me rënie të dërgesave të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në ato vende. Në kushtet kur hendeku midis kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme u thellua, kjo u shoqërua me rritje të deficitit të llogarisë korente dhe rritje të presionit mbi kursin e këmbimit. Në të njëjtën kohë, sektori bankar në vend tkurri vëllimin e financimit për ekonominë e vendit në përgjigje të kërkesës së rritur për likuiditet, si rezultat i rënies së depozitave në banka dhe rritjes së kërkesës për borxh nga ana e qeverisë”. BSH-ë shton më tej se, efekti i kombinuar i këtyre zhvillimeve, pati ndikim negativ mbi sektorin real të ekonomisë, kryesisht mbi sektorin e biznesit por edhe mbi familjet. Në tremujorin parë të vitit, treguesi i besimit të biznesit ra nën mesataren e tij historike, duke reflektuar një situatë më problematike. Kjo u dëshmua edhe prej realizimit më të ulët të të ardhurave fiskale në krahasim me planin, si edhe prej rënies së cilësisë së portofolit të kredisë, me të cilën sektori bankar është përballur për të gjithë periudhën.

Sistemi bankar

Në 6-mujorin e parë të vitit 2009, zhvillimi i sistemit financiar në vend u ndikua prej ndalesës së rritjes së sektorit bankar. Pjesa tjetër e tregut financiar, e përfaqësuar kryesisht nga shoqëritë e sigurimit dhe të risigurimit, fondet e pensionit dhe shoqëritë e kursim-kreditit, kanë shënuar një rritje të mirë të veprimtarisë. Për sektorin bankar, në fund të muajit qershor, totali i mjeteve mbeti pranë nivelit të tij në fund të vitit 2008, në vlerën rreth 832 miliardë lekë. Në krahasim me muajin qershor 2008, kredia ka shënuar një rritje prej rreth 21.5 për qind, në nivelin 419 miliardë lekë. Për 6-mujorin e parë të vitit 2009, kredia është rritur vetëm me 6.3 për qind. Për sa i takon depozitave, deri në fund të muajit qershor 2009, sektori bankar rimblodhi rreth 1/3 e vlerës së depozitave të humbura në tremujorin e fundit të vitit 2008 dhe në tremujorin e parë të vitit 2009. Kthimi i depozitave të publikut në sektorin bankar, pritet të ndikojë pozitivisht edhe në aftësinë e tij për të kredituar ekonominë.

Aktiviteti bankar, kredidhënia e ulët në pjesën e parë të vitit

Situata më e vështirë e sektorit real të ekonomisë si edhe tkurrja e burimeve të financimit gjatë periudhës, u shoqëruan me rënien e cilësisë së portofolit të kredisë. Në fund të muajit qershor të vitit 2009, kredia me probleme përfaqësonte 8.7 për qind të vlerës së përgjithshme të portofolit të kredisë. Në vijim, bankat kanë rritur fondet rezervë për humbjet e mundshme nga kreditë, dhe kjo është shoqëruar me një ndikim negativ në rezultatin financiar të periudhës. Sidoqoftë, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit, sektori bankar shënoi një rezultat financiar pozitiv në vlerën 0.66 miliardë lekë. Për sa i takon kapitalizimit të veprimtarisë, ky tregues mbetet i qëndrueshëm dhe në nivele të kënaqshme. Në fund të muajit qershor 2009, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit rezultoi 16.9 për qind. Në ruajtjen e qëndrueshmërisë së treguesit të kapitalizimit të veprimtarisë, ka ndikuar ngadalësimi i investimeve me koeficient rreziku të lartë, ruajtja e një rezultati financiar pozitiv, mosshpërndarja e fitimit dhe rritja e kapitalit nga aksionerët.

Alpha Bank mundësoi Festivalin e Filmit Grek në Tiranë

Mbi 500 persona vizituan Festivalin e Filmit Grek i cili u oganizua, për herë të parë në Tiranë, në datat 8, 9 dhe 10 tetor, 2009 në “Kinema Imperial” me sponsorizim të “American Express” dhe lëshuesit ekskluziv në Shqipëri, “Alpha Bank”. Gjatë këtyre tre ditëve, publiku u prezantua me 10 filma grekë, nga realizime të vjetra deri te ato moderne duke mbuluar një seri subjektesh që datojnë nga fillimvitet 1970 deri në ditët tona. Vizitorët patën mundësi të merrnin informacion për Kartat “American Express Green” dhe “Gold”, në zonën speciale të rezervuar për këtë qëllim pranë hyrjes kryesore të kinemasë. Në ditën e hapjes, fjalimet e mirëseardhjes u mbajtën nga regjizori Bujar Alimani dhe bashkë-organizatorët e eventit, Drejtori i Përgjithshëm i “Alpha Bank-Albania”, Andreas Galatoulas, si dhe aktori i famshëm dhe komediani i njohur grek Lakis Lazopulos, i cili mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Festivalit të Filmit Grek.

15 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›