Braçe: “Vendi në masakër sociale, Berisha të japë dorëheqjen”
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Berisha. Sipas Braçes, është e patolerueshme që Berisha të vijojë të rrijë në postin e kryeministrit përderisa paaftësia dhe korrupsioni i qeverisjes së tij po i shtyn shqiptarët drejt mjerimit dhe vetëvrasjes. Braçe tha se janë me qindra shqiptarët, të cilët i kanë dhënë fund jetës së tyre për shkak të varfërisë, mjerimit dhe mungesës së shpresës në këtë vend. “Për vitin 2008, kur rritja ekonomike sipas familjes Berisha ka qenë me 2 numra, numri i shqiptarëve që i dhanë fund jetës, si zgjidhje për t'i shpëtuar vuajtjeve të varfërisë, është me 3 numra”, - tha Braçe. Deputeti socialist tha se vendi po vuan pasojat e një krize të fortë ekonomike, të shoqëruar me një masakër sociale. Braçe tha se përgjegjës i kësaj situate është kryeministri Berisha, familja e tij dhe qeverisja e korruptuar. Ai tha se si rezultat i mjerimit, të paktën një shqiptar në ditë i jep fund jetës duke u vetëvrarë. Për këtë arsye, nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Berisha. “Një masakër e përbindshme sociale, që bie e rëndon mbi kurriz të familjes Berisha që na qeveris. Një raport që dëshmon se shteti social i mirëqenies nuk është, apo është e funksionon si gënjeshtër që të merr jetën, fëmijën, familjen, punën, biznesin. Raporti i kësaj masakre është 1 shqiptar në ditë, 1 i vetëvrarë në çdo 1000 shqiptarë ose, për ta kuptuar përmasën e kësaj masakre, dua t'ju kujtoj se në 10 ditë lufte në Gaza nga bombardimet u vranë 300 persona. Ne jemi në paqe këtu. Kjo masakër sociale me tri shifra është e lidhur me familjen Berisha dhe qeverisjen e tij të paaftë, antipopullore e të korruptuar. Do të mjaftonte kaq që Sali Berisha të largohej nga pushteti. Vuajtja vjen prej tyre, prej Sali Berishës. Zgjidhja do të vijë prej nesh, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe me votën e të gjithë atyre që do ta ndëshkojnë me votë”, - tha Braçe.
14 Janar 2009