E Diel, 1 Nëntor 2026

Kambistë fals e rrëmbejnë dhe i marrin 80 mijë lekë

04/12/2004  

Ka ardhur në Tiranë për të këmbyer në lekë valutën që kishte në xhep, por për pak ka humbur dhe jetën. Lulzim Shoti nga Lezha është marrë peng, i janë marrë paratë, rrahur dhe lënë i lirë më pas, nga tre persona që tashmë janë shpallur në kërkim nga policia.

I riu nga Lezha nuk ka menduar gjatë, por i është afruar lulishtes së re, zonës pranë Muzeut Kombëtar, adresës së vjetër të kambistëve dhe ka kërkuar mos ndonjë nga bankat shëtitëse t'i këmbejë paratë. Menjëherë pranë tij janë gjendur tre djem, që i kanë ofruar shërbimin e tyre. "Të ikim më tutje, t'i kthejmë ne, këtu po na pa policia, na mori në qafë, nuk të lënë, është bërë keq". Pa e peshuar mirë kurthin, 29-vjeçari ka hyrë në "Benzin" e "kambistëve" dhe janë nisur për të thyer dollarët. Ndonëse lezhjani po habitej disi me gjatësinë e rrugës, makina është ndalur në Mëzes. Aty, Shoti ka kuptuar se ka rënë në grackë, por tepër vonë. Ndihmësit e tij ia kanë marrë paratë, afërsisht 80 mijë lekë të reja, e kanë rrahur dhe e kanë lënë duke u zhdukur. Lulzimi nuk ka pasur shteg tjetër, vetëm se të kthehet në Tiranë dhe të denoncojë në polici. Por kujtesa e tij nuk e ndihmoi në detaje, për të bërë që policia të identifikonte rrëmbyesit e tij dhe të parave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›