E Diel, 1 Nëntor 2026

52 mijë të pastrehë konkurrojnë për 20 pallate në 2005

04/12/2004  Të pastrehët duhet të konkurrojnë në radhë për të përfituar banesë në 20 pallatet që do të ngrihen me paratë e shtetit në 2005-ën. Projektbuxheti ka planifikuar ndërtimin e 20 pallateve, duke dhënë plot 4.8 miliardë lekë në dispozicion të dy bashkive që do të kenë të drejtën e administrimit të parave. Ministria e Turizmit do të ketë të drejtë të përzgjedhë dy bashki të mëdha dhe më pas do t’u vendosë në dispozion 4.8 miliardë lekë, të cilat ato duhet t’i administrojnë, duke përzgjedhur firmat që do të ndërtojnë pallatet dhe në fund dhe personat që kanë më emergjente çështjen e strehimit. Aktualisht, në regjistrat zyrtarë të të pastrehëve janë 52 mijë persona, të cilët presin një zgjidhje nga shteti, duke shpresuar së paku në akordimin e një kredie pa interesa.

“Për vitin 2005 janë parashikuar 20 godina banimi me vlerë 480 milionë lekë”, ka deklaruar ministri Bashkim Fino gjatë konferencës pë shtyp. Strehimi ka pësuar një rritje të fondit të investimeve prej 8 për qind, ndërkohë që në Buxhetin e Shtetit për 2005-ën është propozuar që ky fond t’i kalojë për administrim bashkive. Pikërisht në përgjigje të këtij ligji të ri të strehimit “Për programet sociale të strehimit të banorëve të zonave urbane” me Buxhetin e vitit 2005 po përzgjidhen dy bashki, ku do të zbatohen dy projekte pilot, të cilat do të shërbejnë si shembull edhe për bashkitë e tjera për të eksperimentuar ndërtimin dhe menaxhimin e banesave sociale me qira.

Buxheti i vitit 2005 për Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit për fondet me financime buxhetore është parashikuar në një vlerë prej 4.1 miliardë lekëe dhe është 11% më shumë se buxheti fillestar i vitit 2004, prej 3.66 miliardë lekë”, ka deklaruar ministri Fino. Por, ndërkaq, në fondin e përgjithshëm duket se turizmi do të ketë prioritet në 2005-ën. Përmirësimi i imazhit të turizmit shqiptar dhe produktit turistik do t’i kushtojë kësaj ministrie 450 milionë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›