E Diel, 1 Nëntor 2026

ERE rrit me 25 për qind çmimin e energjisë për bukë

04/12/2004  Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur më në fund të miratojë tarifat e reja të energjisë për 2005-ën, duke gjetur një emërues të përbashkët mes tarifave të propozuara nga KESH dhe atyre që pretendojnë konsumatorët. Çmimi i energjisë do të rritet në 2005-ën në raport me 2004-ën në masën 4.5 për qind për konsumatorët e thjeshtë, të cilëve do t’u ulet konsumi bazë në 210 kilovat. Më e rëndë do të jetë rritja për ujësjellësat, furrat e bukës dhe të prodhimit, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë të kostos së prodhimit mbi çmimet dhe që do t’u duhet të përballojnë një rritje çmimi në masën 20–25 për qind. Kështu çmimi i energjisë në 2005-ën për ujësjellësat do të jetë 7.5 lekë nga 6.5 lekë që ishte në 2004-ën. ERE ka mundur të amortizojë kërkesën e KESH-it, që kishte parashikuar një çmim në masën 8.38 lekë për ujësjellësat, duke e ulur atë me 13 për qind nga çmimi i propozuar.

“Eshtë miratuar një rritje e lehtë çmimi për ujësjellësin në krahasim me çmimin e 2004-ës”, ka pranuar Dema gjatë konferencës për shtyp. Ulje nga propozimi kanë patur dhe tarifat e energjisë për furrat e bukës, por, gjithsesi të gjithë do të paguajnë një çmim 25 për qind më të lartë se një vit më parë. Kështu nga 6 lekë që ka qenë çmimi për kilovat për furrat e bukës në 2004-ën, tani do të jetë 7.5 lekë. “Eshtë miratuar një rritje e lehtë çmimi për të dy tensionet në krahasim me çmimin e 2004-ës”, e ka quajtur Pjetër Dema rritjen e çmimit që pësojnë furrat e bukës, e cila llogaritet në masën 25 për qind. “Kemi mundur të bëjmë një ulje çmimi në masën 26 për qind për furrat e bukës nga çmimi i propozuar prej KESH–it“, ka justifikuar ai tarifat përfundimtare të miratuara për këtë nivel biznesi. Në këtë prizëm një rritje të lehtë çmimi do të pësojnë dhe konsumatorët e thjeshtë, të cilët në aparencë nuk kanë rritje çmimi, por vetëm ulje të normës bazë të konsumit. Nga 220 kilovat që ishte baza me çmimin 4.5 lekë, tani do të jetë 210 kilovat me këtë çmim dhe 10 kilovat do të llogariten me 8.9 lekë. Kjo do të thotë nga 450 lekë për 10 kilovat, konsumatorët do të paguajnë 890 lekë ose 45 për qind më shumë, që, gjithsesi në totalin e faturës do t’i kushtojnë një rritje prej 4–5 për qind. Ndërkohë, media duket se ka qenë një kategori e privilegjuar, sespe nuk ka pësuar rritje çmimi nga njëri vit në tjetrin.

Tarifat e miratuara nga ERE kanë patur një nivel mesatar në masën 7.01 lekë ose 3 për qind më të ulëta se tarifa mesatare e propozuar nga KESH-i. Por, gjithsesi, duket se çmimi i energjisë vazhdon të jetë nën kosto, çka do të thotë se tarifat do të vazhdojnë të rriten deri sa çmimi të arrijë koston. Kështu, sipas KESH-it, kosto e prodhimit dhe e importit të energjisë për 2005-ën është llogaritur në masën 9.3 lekë dhe çmimi për 2005-ën do të jetë 7.1 lekë. Debati i fundit mes ERE, KESH dhe përfaqësuesve të biznesit dhe shoqërisë civile, nxori në dritë faktin se KESH realizon çdo vit një fitim prej 3.4 miliardë lekësh, edhe pse faturon energji nën kosto. “Ky është një problem i KESH-it dhe i përllogaritjes që bëjnë specialistët e tij mbi koston e prodhimit”, ka deklaruar Pjetër Dema.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›