E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Votohen 10 ministrat dhe Haradinaj

04/12/2004  Pas zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën Kryeministrin dhe kabinetin qeveritar. Votimi është bërë i hapur, ndërsa ka qenë Presidenti Ibrahim Rugova, që ka propozuar para deputetëve në postin e Kryeministrit Ramush Haradinajn, kryetar i AAK-së. Për kabinetin qeveritar, i përbërë nga Kryeministri dhe 10 ministrat votuan 72 deputetë pro, 2 kundër dhe pesë abstenuan.

Pasi mori votëbesimin, Haradinaj i njoftoi deputetët me pëbërjen e kabinetit të tij qeveritar. Pas votimti të qeverisë, kryeparlamentar Daci tha se në një seancë të veçantë Kryeministri i ri do ta paraqesë programin, i cili do të diskutohet edhe nga deputetët e Kuvendit për të marrë më pas dhe votimin e parlamentarëve.

Përbërja e Qeverisë

Pas votimeve të zhvilluara pak javë më parë, partia fituese, Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi për partitë që do të mbante koalicionin qeverisës. Pas bisedimeve u arrit që Këshilli i Ministrave të përbëhet nga 11 parti, që do të ketë në përbërje përfaqësues të patrive të ndryshme politike. Kështu, Ramush Haradinaj, i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka marrë postin e Kryeministrit. Ndërsa zëvendëskryeministri do të jetë nga partia që ka shumicën në parlamentin e Kosovës, ky post do të mbahet nga Adem Salihaj. LDK do të ketë në qeveri dhe 6 ministra. Lufti Haziri do të mbajë Vetëqeverisjen Lokale, Haki Shatri, Ekonominë dhe Financat, Agim Veliu, Arsimin, Shkencën dhe Teknologjinë, Melihate Tërmkolli, Shërbimet Publike, Qemal Ahmeti, Transportin dhe Postëtelekomin, Astrit Haraçia, Kulturën, Rininë, Sportin dhe Çështjet Jorezidente. Ndërsa AAK do të ketë katër ministra. Ahmet Isufi do të mbajë Punën dhe Mirëqenien Sociale, Ethem Çeku: Energjetikën, Bajram Kosumi: Mjedisin dhe Planifikimi Hapësinor, Sadik Idrizi (Vatana): Shëndetësinë dhe Bujar Dugolli: Tregtia dhe Industria.

Serbët

Kabineti i ministrave të drejtuar nga Haradinaj shumë shpejt do të pësojë ndryshime. Kjo për vetë faktin se patritë që përfaqësojnë komunitetin serb nuk i kanë paraqítur emrat për dy postet e ministrave që i takojnë. Bëhet e ditur se për këtë kanë nisur diskutimet. Ndërsa dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar kanë kërkuar që partitë serbe të japin kontributin e tyre në qeveri. Vonesa ka ardhur dhe si shkak i bojkotimit që serbët i kanë bërë votimeve për zgjedhjen e deputetëve në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj

Ramush Haradinaj ka lindur më 3 korrik të vitit 1968, në Gllogjan të Deçanit. Ka mbaruar Fakutetin Juridik në Prishtinë. Në krye të AAK-së si kryetar, ai është që nga themelimi i saj, në qershor të vitit 2000. Gjatë luftës, ai ka qenë komandant i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, ndërsa pas luftës, deri në kalimin në politikë dhe me themelimin e AAK-së, ka qenë zëvendëskomandant i SHP të TMK-së në Prishtinë. Në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj ka qenë deputet dhe anëtar i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Salihaj, zëvendëskryeministër

Adem Salihaj ka lindur më 25 dhjetor të vitit 1950, në fshatin Duraj, të komunës së Kaçanikut. Ai ka studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe dhe ka punuar si gazetar në RT-në e Prishtinës prej vitit 1975 deri në vitin 1981. Prej vitit 1981 deri më 1999, Salihaj është arrestuar dhe gjykuar tri herë nga regjimi serb, duke vuajtur rreth 12 vjet burgim. Prej vitit 1992 e deri sot ai është kryetar i degës së LDK-së në Ferizaj, ku në dy mandate, më 2000 dhe 2002, ai është zgjedhur kryetar i Kuvendit Komunal. Është anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Haziri, ministër i Vetëqeverisjes Lokale

Lutfi Haziri ka lindur në vitin 1969 në fshatin Llovcë, komuna e Gjilanit. Ka mbaruar fakultetin e shkencave natyrore. Ai ka qenë më herët kryetar në dy mandate në Forumin e Rinisë së LDK-së, e pastaj edhe në degën e LDK-së në Gjilan, ku ka qenë anëtar kryesie dhe zëvendëskryetar deri në zgjedhjet e fundit në këtë subjekt politik. Aktualisht është kryetar i komunës së Gjilanit, në të cilin funksion është zgjedhur në vitin 2000 dhe rizgjedhur më 21 nëntor 2002. Po ashtu, ai udhëheq edhe Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe në këtë cilësi ka prezentuar pushtetin lokal

Shatri, ministër i Ekonomisë dhe Financave

Haki Shatri ka lindur në vitin 1953 dhe ka mbaruar Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, si dhe studimet pasuniversitare dhe magjistraturën në Fakultetin Ekonomik në Zagreb, në drejtimin ekonomik. Ai ka qenë bashkëpunëtor i lartë profesional në Entin për Planifikim të Kosovës, anëtar i Këshillit Qendror për Financim të Kosovës, kryetar i Komisionit Financiar dhe që nga viti 1995 edhe menaxher i Projektit në Institutin për Kërkime Zhvillimore "Riinvest". Në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës, Haki Shatri ka qenë deputet dhe kryesues i Komisionit për Buxhetin.

Veliu, ministër i Arsimit, Shkenca e Teknologjisë

Agim Veliu ka lindur në vitin 1960, në fshatin Bradash të Podujevës. Me profesion është jurist i diplomuar, kurse prej vitit 1990 ka qenë në poste udhëheqëse të degës së LDK-së në Podujevë, kryetar i së cilës është edhe tani. Më 1998 ka qenë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa në vitin 2000 zëvendëskryetar i Bordit Administrativ të Komunës. Agim Veliu ka qenë kryetar i Komunës së Podujevës prej 2000 - 2002, në të cilin post është rizgjedhur edhe në vitin 2002, post ky të cilin ai e mban edhe aktualisht.

Tërmkolli, ministrja e Shërbimeve Publike

Melihate Tërmkolli ka lindur në vitin 1965 në Bardh të Madh të Fushë-Kosovës. Ka mbaruar Fakultetin Juridik në Prishtinë dhe deri tash ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës në disa mandate: 1986-1989, 1992-1998, 1998-2000. Është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe kryetare e Forumit të Gruas të LDK-së. Në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës, Tërmkolli ka qenë kryesuese e Komisionit për Barazi Gjinore si dhe anëtare e Komisionit për Shërbime Publike dhe e Komisionit për Çështje Gjyqësore, Legjislative dhe Kornizë Kushtetuese.

Ahmeti, ministër i Transportit dhe Postëtelekomit

Qemajl Ahmeti ka lindur më 27 shkurt të vitit 1959, në Përlepnicë të Komunës së Gjilanit. Ka të kryer Fakultetin Elektroteknik, dega e Elektronikës në Prishtinë, më 1983. Ka qenë këshilltar politik për telekomunikacion i ministrit Zef Morina prej 1 majit të vitit 2002, drejtor i Seksionit Teknik dhe Konkurrimit të Rrjeteve, Drejtorati për Infrastrukturë Telekomunikuese prej 01.02.2002 - 30.04.2002; përgjegjës për Telekomunikacion, Departamenti i Postës dhe Telekomunikacionit si dhe ka ushtruar shumë poste e detyra në shkollën e mesme elektroteknike "Gjin Gazulli" në Prishtinë. Është anëtar i LDK-së prej themelimit të saj dhe gjatë kësaj kohe ka qenë kryetar i Aktivit etj.

Haraçia, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Astrit Haraçia ka lindur në Gjakovë në vitin 1974. Ai ka kryer Fakultetin e Drejtësisë në Shkodër. Është zgjedhur më 2002 kryeshef ekzekutiv në Gjakovë, në mandatin e dytë qeverisës të LDK-së me parnterët e saj. Haraçia që për nga mosha do të jetë ministri më i ri në Qeverinë e Kosovës. Është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Isufi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale

Ahmet Isufi ka lindur më 1 tetor të vitit 1961 në Gjyrishefc, të komunës së Dardanës. Ai ka diplomuar në Fakultetin e Filologjisë, Dega e letërsisë dhe gjuhës në Prishtinë.

Ahmet Isufi ka qenë sekretar i përgjithshëm i AAK-së deri në emërimin e tij për ministër të Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa tani është anëtar i Kryesisë së AAK-së.

Gjatë luftës, Ahmet Isufi ka qenë komandant i UÇK-së për Zonën e Karadakut, ndërsa pas mbarimit të luftës, ai ka marrë pjesë në çmilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së në TMK-së ku është emëruar shef i Departamentit të Personelit.

Çeku, ministër i Energjetikës

Ethem Çeku është nga Peja. Është i diplomuar në Fakultetin e Filozofisë, dega e Historisë në Universitetin e Prishtinës. Ai i ka ndjekur studimet pasuniversitare nga historia, në këtë Universitet ku edhe ka magjistruar në temën: "Mendimi politik shqiptar dhe rezistenca në Kosovë gjatë viteve 1945-1981". Gjatë luftës ka qenë epror i lartë i UÇK-së në Dukagjin, kurse pas luftës ka qenë prefekt i parë i komunës së Pejës. Gjatë mandatit të parë të Qeverisë së Kosovës, Çeku ka udhëhequr Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kosumi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor

Bajram Kosumi ka lindur në vitin 1960, në Tuxhoc, komuna e Dardanës, ndërsa ka të kryer Fakultetin Filologjik në Universitotin e Prishtinës. Dy vjet (1991-1993) ka punuar si gazetar, ndërsa në periudhat: 1994-1996 dhe 2000-2002 ka qenë kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës. Në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës ka qenë ministër i Informimit. Aktualisht është nënkryetar i AAK-së, kurse në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës ka qenë anëtar i Kryesisë dhe anëtar i Komisionit për Çështjet Gjyqësore Legjislative dhe Kornizës Kushtetuese.

Dugolli, ministër i Tregtisë dhe Industria

Bujar Dugolli ka lindur në vitin 1969, në Nekovc të Drenasit. Ka mbaruar fakultetin filozofik, dega e historisë, ku ka magjistruar pas luftës. Në periudhën 1997-1999 ka qenë kryetar i Unionit të Pavarur të Sudentëve të UP-së. Prej vitit 2000-2003 profesor asistent në Fakultetin Filozofik. Në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës, Bujar Dugolli ka qenë shef i grupit parlamentar të AAK-së, zëvendëskryesues i parë i Komisionit për Shërbime Publike si dhe anëtar i Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji dhe i Komisionit për Media.

Idrizi, ministër i Shëndetësisë

Sadik Idrizi është profesori i Fakultetit të Edukimit në Prizren dhe shef i koalicionit "Vatan". Ai thotë edhe pse nuk ka përvojë në fushën e shëndetësisë, është i aftë për menaxhimin e këtij sektori. Gjithashtu, ai thekson se në kyerjen e detyrës së ministrit do ta ndihmojë zëvendësi i tij, i cili do të jetë ekspert në fushën e shëndetësisë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›