Rugova pas tre raundesh rizgjidhet President
04/12/2004 Presidenti aktual i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me vota të fshehta u rizgjodh sërish në krye të Kosovës, pas tri raundesh votimi. Në dy raundet e para konkurrenti i Ibrahim Rugovës nga radhët e LDK-së, ishte Ramë Buja nga PDK. Ky i fundit është tërhequr nga konkurrimi në raundin e tretë. Në raundin e parë votuan gjithsej 108 deputetë. Rugova fitoi 65 vota, ndërsa Buja 34, kurse një votë ishte e pavlefshme. Në raundin e dytë për Ibrahim Rugovën votuan 63 deputetë, për Ramë Bujën 34 dhe tri vota ishin të pavlefshme. Sipas Kornizës Kushtetuese në dy raundet Presidenti duhet të marrë dy të tretat e votave, ndaj dhe u kalua në raundin e tretë. Në këtë votim, pas tërheqjes së kandidatit të PDK-së, votuan 99 deputetë. Pro Ibrahim Rugovës votuan 64, kundër ishin 32 dhe tri vota ishin të pavlfeshme. Presidenti i Kosovës Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë. Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës. Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967 dhe u diplomua në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971. Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it. Në vitin 1996 ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris. Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe edhe parti e grupe të tjera. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992. LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.