E Hënë, 2 Nëntor 2026

LZHK dhe PDR ftojnë Metën për koalicion

04/12/2004  Grupimet e djathta PDR-ja dhe LZHK-ja kanë paralajmëruar dje bashkëpunimin me një forcë të majtë, LSI-në e drejtuar nga Ilir Meta. Sipas Maksim Begesë, këto forca do të bashkohen në koalicion në zgjedhjet e ardhshme për t'i bërë ballë epërsisë së dy partive më të mëdha politike në zgjedhjet e ardhshme. Deklaratës së kryetarit të Grupit parlamentar të PDR-së, Nard Ndoka, për një bashkëpunim të mundshëm me LSI-në, dje i është bashkuar dhe Lëvizja Kombëtare për Zhvillim, me anë të kryetarit të Grupit të saj parlamentar, Maksim Begeja. Për LZHK-në modifikimet që po bëhen në kodin zgjedhor po shkojnë në favor të interesave të dy partive të mëdha, prandaj lind nevoja për një bashkim forcash me qëllim që përballja në zgjedhjet e ardhshme të jetë sa më dinjitoze. Të gatshëm për bashkëpunim me rivalët e PS-së brenda së majtës u treguan dje edhe demokratët e reformuar. Në deklaratën e një dite më parë, të dhënë nga kryetari i Grupit parlamentar, Nard Ndoka, u shpreh qartë dhe qëndrimi pozitiv i këtij grupimi politik për bashkëpunim me të majtët e Metës. "Ekziston mundësia që të ketë koalicione të tjerë për mazhoritarin. Kjo për të shmangur një skemë bipolarizuese", tha Ndoka. Ndërkohë që krerët e LSI-së kanë ritheksuar se nuk do të kenë koalicione parazgjedhore, por vetëm pas përfundimit të votimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›