Kambisti vritet pranë shtëpisë
DURRES/ OERD ULQINI
Ekzekutohet në derën e pallatit kambisti 45-vjeçar. Agush Hyzoti, dikur inspektor i antikontrabandës në portin e Durrësit, u qëllua me breshëri kallashnikovi, sapo do të hynte në ndërtesën ku jetonte. Vrasja e tij u shënua rreth orës 14:30, në grupin e pallateve që ndodhen përballë Gjykatës së Durrësit. Në atë orë, autori me armë në dorë, (ai ende nuk është identifikuar), ka pritur në hyrjen e pallatit ku jetonte Hyzoti. Informacionet e autorit me bashkëpunëtorë të tij kanë qenë të sakta, pasi në kohën që 45-vjeçari do të kthehej për drekë në shtëpi, ai kishte zënë vend pranë pikës ku do të qëllonte. Zhurma e breshërisë ka tronditur banorët durrsakë të lagjes 11. Ata kanë dalë nëpër dritare, por siç kanë pohuar më pas për policinë, nuk kanë parë asnjë person të arratisej me armë në dorë. Sipas policisë së Durrësit, e mbërritur menjëherë në vendngjarje, autorët kanë zgjedhur një orar dhe moment kur në atë zonë nuk kishte lëvizje. Të paktën deri në orët e mbrëmjes, asnjë prej familjarëve që jetojnë aty nuk ka pranuar se ka parë ndonjë person të dyshimtë, duke e bërë më misterioz krimin. Dyshohet se autori, pasi qëlloi me armë ka lëvizur në këmbë mes pallatesh, derisa ka dalë në rrugën kryesore, ku mund ta ketë pritur dikush me makinë.
Për zbardhjen e ngjarjes grupi hetimor ka nisur verifikimet mbi aktivitetin e viktimës, çka mund të çojë në pistën e duhur. Nga viti 2002 e deri në vitin 2005, babai i 3 fëmijëve kishte punuar në portin e Durrësit, si inspektor i antikontrabandës, për t'u hequr nga detyra pas 3 vitesh. Për policinë, kjo periudhë është tepër larg për të lënë të dyshohet mbi një hakmarrje për shkak të punës si inspektor. Prej kohës që la detyrën shtetërore mësohet se Hyzoti është marrë me këmbim valute në qytetin e Durrësit. Pikërisht këtu janë hedhur dyshimet kryesore për të gjetur arsyet dhe autorët e krimit. Mendohet se gjatë kësaj periudhe ai është përfshië në ndonjë çështje huamarrjeje apo dhënie parash, për të cilën ka pasur konflikt me persona të tjerë. Në komisariat u shoqëruan mbrëmë familjarë të Hyzotit, për t'u pyetur në lidhje me faktin nëse 45-vjeçari ka shprehur shqetësime për ndokënd. Gjatë mbrëmjes së djeshme nuk bëheshin të ditur detaje mbi dëshmitë e tyre, ndërsa policia po punon për të gjetur provat që do të hedhin dritë mbi vrasjen e ndodhur në mes të ditës në Durrës. Policia ka nisur kërkimet në të gjithë lagjet e Durrësit, por mungesa e një piste e ka bërë të vështirë ndalimin e personave të dyshuar.
Durrës, bie nga kati 9, vdes punëtori
DURRES - Një 38-vjeçar, punëtor ndërtimi, humbi jetën dje pasi ra në një gropë uji nga një lartësi e konsiderueshme. Aleks Shkira ishte duke punuar për ndërtimin e një pallati në lagjen nr.13 në Durrës, kur ka ndodhur fatkeqësia. Ndërsa punëtorët e tjerë kanë pohuar se ai po punonte në katin e nëntë kur ka rrëshqitur, familjarët e Shkirës kërkuan hetim dhe për vrasje të qëllimshme të tij. Policia shoqëroi drejtuesin teknik të ndërtesës, ndërsa kryhen hetime për shkakun e aksidentit tragjik.