E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vdekur 31-vjeçari

 

TEPELENE - Një i ri nga fshati Luzat i Tepelenës është gjetur i pajetë mëngjesin e së shtunës pranë Ujit të Ftohtë, në rrugën kombëtare Gjirokastër-Tepelenë. Mikel Shatrafili, 31 vjeç i biri i kryeplakut të fshatit Luzat, Bashkim Shatrafili, 5 km në të hyrë të Tepelenës, sipas shitësve dhe tregtarëve ambulantë në këtë zonë, punonte në lokalin e tij fare pranë rrugës nacionale prej më tepër së tre vitesh. Ai është gjetur i vdekur rreth orës 08:30 nga një shok i tij, i cili menjëherë sapo ka parë se Mikeli nuk reagonte nga prekjet fizike dhe të folurat, nën frikën e madhe ka lajmëruar uniformat blu. Burimet zyrtare nga Komisariati i Policisë së Tepelenës, pohuan për gazetën "Panorama" se në vendngjarje përveç uniformave blu, mbërritën edhe ekspertët e kriminalistikës, të cilët kanë punuar për të zbardhur të plotë shkakun e vdekjes. "Nga këqyrja paraprake që i është bërë trupit të pajetë të 31-vjeçarit, mendohet se kemi të bëjmë me një vdekje natyrale, pasi nuk është gjetur asnjë shenjë e dyshimtë", është shprehur njëri prej specialistëve të kriminalistikës. Megjithatë sipas tij do të jetë autopsia ajo që do të vërtetojë shkakun e vdekjes natyrale.                          p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›