Kthehen sot studentët e bllokuar në Trieste, policia: Hetojmë për trafik
TIRANE - Rreth 170 studentë të cilët u bllokuan për tri ditë në portin e Triestes në Itali pritet të kthehen ditën e sotme në Durrës. Lajmi konfirmohet nga policia shqiptare e cila pasi ka marrë kontakt me palën italiane ka konfirmuar se udhëtarët e ndaluar prej tri ditësh në tragetin "Venezia" që ishte nisur nga Durrësi, do të kthehen në atdhe pasi nuk u lejuan të shkelin në tokën italiane. Incidenti ndodhi për shkak se ambasada hungareze në Tiranë anuloi vizat 7-ditore turistike që udhëtarët kishin marrë me qëllim kryerjen e një udhëtimi me itinerar Itali-Slloveni-Vjenë. Anulimi i vizave u bë në një kohë kur udhëtarët ishin nisur nga Durrësi dhe ndodheshin duke lundruar me traget në det, ende pa mbërritur në brigjet italiane. Policia e Triestes u njoftua ndërkohë për anulimin e vizave dhe për këtë shkak i mbajti studentët të bllokuar për tri ditë duke mos lejuar zbritjen e tyre. Policia shqiptare ka nisur një hetim për trafik të mundshëm në këtë rast pasi agjencia "Mar-West" që organizoi udhëtimin fillimisht paraqiti në ambasadë rezervimet e hoteleve në Itali dhe Slloveni dhe pasi mori vizat i anuloi prenotimet duke mos bërë pagesën. Mes udhëtarëve që u mbajtën në Trieste ndodhej edhe Maringlen Merkoçi, i cili ishte shpallur në kërkim nga prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.