E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacione anti-Cannabis në Shkodër dhe Vlorë, një në pranga



SHKODËR – Në operacionet e organizuara nga Policia e Shtetit në Shkodër dhe Vlorë janë asgjësuar një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, por në pranga ka përfunduar vetëm një person. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se pasditen e së mërkurës është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit, Ludovik Sufaj, lindur në Bzhetë, të komunës së Shkrelit dhe banues në Koplik, të rrethit të Malësisë së Madhe. Sipas tyre, Sufaj u ndalua pasi gjatë një kontrolli në oborrin e banesës së tij, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 rrënjë bimë me karakteristika të ngjashme të Cannabis sattiva. Këto bimë janë shkulur dhe një pjesë e tyre u dërguan për ekzaminime të mëtejshme laboratorike. “Pasi u kryen nga ana jonë veprimet e duhura procedurale, materialet në ngarkim të shtetasit Ludovik Sufaj iu dërguan Prokurorisë së Rrethit, për veprën penale të “kultivimit të lëndëve narkotike”, - thonë burimet policore të rrethit verior. Gjatë realizimit të operacionit anti-Cannabis në rrethin e Malësisë së Madhe, policia gjeti dhe asgjësoi 1415 rrënjë bimë Cannabis Sattiva. Operacionet kanë vazhduar edhe në Vlorë, ku vetëm gjatë ditës së djeshme janë shkatërruar 465 rrënjë bimë narkotike. Burimet policore bëjnë të ditur se Cannabis ishte në një lartësi prej 1 deri në 2 metra, dhe ishte mbjellur në afërsi të fshatrave Penkovë e Romës, respektivisht 20 dhe 35 km larg qytetit. Ato ishin kultivuar në parcela të çelura rishtas për këtë qëllim, në terrene të thyera pranë përrenjve, gjë që e vështirëson procesin e identifikimit dhe kapjes së personave që kanë lidhje me to.

24 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›