E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kame: Asfiksia e teatrit...

26/03/2009  Të qeshurit u bën mirë popujve të stresuar. Duket se kjo është filozofia që e ka udhëhequr regjisorin Gëzim Kame drejt komedisë së Laurent Bafie. Duke e parë Shqipërinë si një vend me probleme, plot me njerëz nervozë e të shqetësuar, Kame vëren se shfaqja e radhës, të cilën do ta sjellë premierë në Teatrin Kombëtar, është aktuale për realitetin tonë. E përshtatur në shqip nga Nonda Varfi, ”Të gjithë me huqe” (sipas versionit përfundimtar të pjesës) mendohet të vijë premierë në fund të prillit dhe angazhon një sërë aktorësh nga më të njohurit e skenës sonë.

- Sapo keni nisur punën për komedinë e Bafie. Çfarë ju çoi te ky autor? Mos ndoshta fakti që është i suksesshëm?

- Është një nga 10-15 arsyet. Atmosferës sonë sociale kjo vepër i bën shumë mirë, sepse në thelbin e saj ka një humanizëm të ndjerë, aspak të shtirur. Në këtë aspekt dhurojmë një përkujdesje të veçantë për publikun, sidomos tani që jemi në situatë parazgjedhore dhe zgjedhore e japim një mesazh të mirë të ndihmës dhe jo të urrejtjes të njeriut ndaj njeriut. Një punë e mbarë fillon me një zgjedhje vepre të mbarë, me zgjedhjen e kastës së aktorëve me përshtatje absolute dhe shumë të afërt me vetë personazhet, dhe kjo e dyta bëhet me oden e regjisë që i lind kjo kërkesë para aktorëve dhe gjithçka vjen në bashkëveprim me njëri-tjetrin pas leximit të veprës.

- Vini sërish me një komedi, pse ky afrim drejt komedisë dhe pse kjo zgjedhje dhe ky autor?

- Në repertorin tim të përkthyer, që kanë ngelur stok në shtëpinë time, janë shumë vepra, një nga këto është “Kufoma e gjallë” e Tosltoit, e cila është futur në projektet e Teatrit Kombëtar, është vepër e madhe, por që për arsye financiare nuk u vu dot. Komedia si në të gjithë Evropën sot është në plan të parë, i bën mirë spektatorit dhe popujve pak të stresuar siç jemi ne. Filozofitë edhe përmes komedisë, sikundër dramës, tragjikes, mund të komunikojnë dhe përçohen te spektatori, por në zhanre të ndryshme. Në këtë radhë kemi dramën e komedisë dhe një filozofi shumë të përcaktuar dhe njerëzore siç e ka kjo vepër. Mua më interesoi humanizmi që ka vepra. Është një komedi shumë intelektuale, e qëndisur në aspektin profesional. Është komedi karakteresh. Ka vite që unë s’kam lexuar një komedi të tillë, shumë aktuale për realitetin shqiptar. Ka të gjithë pluset për t’u vënë në skenën shqiptare.

- Zgjedhja juaj nuk ka të bëjë me atë që shpesh përflitet se komedia është një sukses i paramenduar...

- Nuk e kam menduar kurrë që të merret për sukses, sepse ka dhe komedi të dështuara. Mund të qeshësh me një batutë, del nga salla dhe ke përtypur kashtë gjatë gjithë kohës dhe jo vlera të vërteta intelektuale. Ka dhe komedi që të bëjnë të qeshësh e të mendohesh shumë dhe në këtë rast nuk prirem të gjej suksesin tek elementë artistikë të veprës, por te një punë profesionale, siç është vepra artistike skenike, vepër më vete, e cila qëndron jashtë veprës së shkruar. Veprën e shkruar mund të shkosh ta lexosh në bibliotekë, ndërsa vepra artistike është vepër më vete skenike. Krijues, autorë janë regjia, aktorët, skenografi, kompozitori.

- Në këtë rast autori i veprës është i gjallë. Sa ju ka ndihmuar ky fakt dhe ato që vetë Bafie shpreh për veprën apo vëniet në skenë të saj?

- Me autorin kam një kujdes të jashtëzakonshëm. Përveçse marr materialin dhe shosh se kush është ky autor, cila është krijimtaria e tij, kur është vepër kontemporane e ditëve të sotme, nuk kam nevojë të marr gjë tjetër, as nuk shikoj veprat e tyre. Unë dua të bëj ato që di, që ndiej unë, me atë eksperiencë që kam. Autori është ftuar të vijë në premierë dhe jam i sigurt që do të shohë një vepër origjinale të vënë nga trupa shqiptare.

- Flasim shpesh për një përkitje mes veprës teatrore dhe realitetit. Vazhdimisht flitet edhe për dramën shqipe. Ju gjeni një vepër të tillë shqiptare, që do të ishte e përshtatshme për t’u vënë në skenë?

- Sigurisht që ka, sapo vura një vepër në teatrin e Korçës të Kiço Blushit, “Kohë për t’u çmendur,” bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve të Shqipërisë me të teatrit “Andon Zako Çajupi”, një vepër shumë aktuale, kur gjen vepra të tilla duhen rrëmbyer. Synimi i Teatrit duhet të jenë veprat kombëtare në radhë të parë, por nuk është se ka ndonjë bollëk të madh, nuk është se janë me dhjetëra e me qindra, e do të përzgjedhësh më të mirën. Pak autorë janë, pak vepra shkruhen dhe janë të pakta ato vepra që godasin realitetin sot.

- Kur vendosët në skenë “Kohë për të çmendur”, vërejtët se ky ishte fillimi i një udhëtimi në skenat teatrore të rretheve. Do të vazhdoni këtë udhëtim edhe me shfaqje të tjera?

- Kam disa projekte me dy-tri rrethe të tjera, si dhe në Kosovë. Tani synoj që të merrem me projektin e madh të “Kufomës së gjallë” në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar.

- Ndërkohë ju keni edhe teatrin tuaj...

- Po. Lidhur me këtë mund të them se kishim një iniciativë të përkrahur nga ish-ministri Pango për të bërë festivalin evropian të teatrit alternativ, që është një rrymë që do të sillte një shkollë të veçantë, që do të bëhej së pari në teatrin veror “Kame” e pastaj do të zhvillohej çdo natë në sheshet kryesore të Tiranës. Shpresoj që në bashkëpunim me ministrin e ri kjo të bëhet realitet në fund të majit.

- Vazhdimisht flitet për TK, aktorët e rinj etj. Si e shihni gjendjen e teatrove dhe aktorëve në rrethe?

- Është një punë rutinë, që e bëjnë për të justifikuar pagesën, për të mbajtur veten gjallë, sepse interesat janë minimale. Këtu në Tiranë ka aktorë që marrin një rrogë e nuk kanë dëshirë të punojnë, deri këtu ka arritur paradoksi në teatrin shqiptar. Është zvjerdhur pasioni, idealizmi që e mban një artist dhe më vjen shumë keq për të rinjtë që janë me dyer të mbyllura.

- Si mund të hapen këto dyer për të rinjtë?

- Vetëm nëse zbatohet ligji.

- Në thelb të këtij ligji mendon se duhet të jetë krijimi i trupave dhe teatrove private?

- Për mua thelbi i asaj që teatri është në asfiksi lidhet me atë që nuk ka ligj për teatrin dhe ligji presupozon që të zhvillohen trupat private. Duke mos i pasur këto të fundit, me një teatër shtetëror në kryeqytet është shumë e vështirë të krijosh ushqim shpirtëror. Është si të kesh një furrë buke, dhe kjo shtetërore, dhe të mbash gjithë Tiranën me bukë. Po u lejuan trupat private, do të fillojnë konkurrenca, puna. Do të vihen në efiçencë shumë të rinj që nuk dihet ku janë. Unë personalisht për dy role vajzash të reja, që kam marrë në pjesën time, kam pyetur shumë miq të mi, sepse nuk i njoh. Kjo është fatkeqësi, se ato nuk kanë terren ku të zbulojnë e të praktikohen. Po vazhdoi kështu, edhe këta aktorë që janë, ca do të dalin në pension e ca do të ngelen pa punë, se nuk mund të punojnë të gjithë në një teatër e me një vepër. Kjo është urgjente, nuk po kuptohet akoma nga Ministria e Kulturës. Ka gati 10 vjet që ky ligj ngelet nëpër sirtarët e ministrive. Çdo ministër, prej atyre që unë kam pasur kontakte, e quajnë të domosdoshëm, por nuk e di se çfarë e pengon implementimin e këtij ligji.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›