Rehn: Zgjedhjet sërish me problemeNga TemaKomisionari për Zgjerimin e BE, Olli Rehn, tha dje se zgjedhjet në vendin tonë sërish ishin problematike. Rehn theksoi se ato ishin zgjedhje më të mira se të viteve të kaluara, por ata po presin raportin përf
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rehn: Zgjedhjet sërish me problemeNga TemaKomisionari për Zgjerimin e BE, Olli Rehn, tha dje se zgjedhjet në vendin tonë sërish ishin problematike. Rehn theksoi se ato ishin zgjedhje më të mira se të viteve të kaluara, por ata po presin raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për të dhënë një vlerësim përfundimtar në lidhje me zgjedhjet.
Më shumë se dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, asnjë zyrtar ndërkombëtar nuk ka përshëndetur mënyrën se si janë zhvilluar ato. Asnjë kryetar shteti nuk e ka përshëndetur deri më tani fituesin e këtyre zgjedhjeve, edhe pse është zyrtarizuar tashmë dhe koalicioni qeverisës.
Olli Rehn është i pari që bën një koment për zgjedhjet, megjithatë ai nuk shkon më larg se konstatimi i bërë nga paneli i vëzhguesve ndërkombëtarë një ditë pas zhvillimit të tyre. Ata deklaruan se këto zgjedhje ishin një hap përpara, por sërish nuk kaluan klasën, një fjali kjo që dëgjohet gjithmonë që pas rënies së komunizmit.
Rehn tha dje se Komisioni Evropian është gati që të përgatisë opinionin në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për në BE, por më parë një gjë e tillë duhet kërkuar nga Këshilli Evropian.
“Zgjedhjet e zhvilluara së fundmi në Shqipëri ishin më të mira se në vitet e shkuara, megjithatë kishte akoma mangësi. Ne po presim për OSBE/ODIHR që të ofrojë vlerësimin përfundimtar për zhvillimin e zgjedhjeve. Le të shohim se çfarë do të ndodhë. Komisioni është gati që të përgatisë opinionin në lidhje me aplikimin për anëtarësim që ka bërë Shqipëria, pasi këtë gjë ta kërkojë Këshilli. Ndërkohë Shqipëria vazhdon të implementojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”, - tha Rehn, duke folur para Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian.
Rehn ka folur gjithashtu në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave. Sipas Komisionarit për Zgjerimin, BE është e angazhuar që të heqë vizat me çdo vend që plotëson kushtet. Ai përsëriti sërish se për çdo vend ka pasur një plan reformash që duheshin ndërmarrë e zbatuar, që të përfitonin nga heqja e vizave. Rehn tha se Shqipëria e Bosnja mund të marrin një propozim për heqje vizash brenda vitit 2010, në rast se do të plotësojnë kushtet e vendosura.
Edhe pse këto deklarata të Olli Rehn nuk thonë asnjë gjë të re, Ministria jonë e Jashtme ka qenë entuziaste për këtë qëndrim, dhe ka njoftuar për qëndrimet e Rehn. Lulzim Basha, që drejton këtë dikaster, prej ditësh është përfshirë në një fushatë të ethshme lobingu për të marrë ndonjë deklaratë pozitive për zgjedhjet dhe qeverinë e re, nga zyrtarë ndërkombëtarë të niveleve të treta e të katërta.
Por, për sa kohë nuk ka pasur asnjë deklaratë apo qëndrim nga drejtues të lartë të BE, gjasat janë që Shqipëria të penalizohet për zgjedhje pa standarde.
Brenda pak ditësh pritet që ODIHR të publikojë raportin përfundimtar të zgjedhjeve, ndërsa opozita është përfshirë në një fushatë denoncimi të përdorimit të kriminelëve për fushatë.