Policia arreston impotentin për përdhunim
Përmbysen faktet për rastin e përdhunimit të vajzës 9 vjeçe nga Kolonja e Lushnjës. Ndërsa gjatë së hënës policia deklaroi se kishte arrestuar një nga autorët e dyshuar dhe po punonte për gjetjen e një bashkëpunëtori të mundshëm, vijimi i hetimeve përmbysi situatën. 42-vjeçari F.Krasniqi, i ndaluar nga policia si përdhunues, pas verifikimeve rezultoi se kishte probleme me organet gjenitale. Ai është dhunuar përpara disa vitesh, kur ka qenë emigrantë në Greqi dhe që nga ajo kohë ai nuk mund të kryejë marrëdhënie seksuale. Për këtë shkak ai është i pamartuar dhe nuk ka mundur të krijojë familje. Ndërkohë, sipas njoftimit më të fundit zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit, si dhe sipas Prokurorisë së Rrethit të Lushnjës, mësohet se autor i përdhunimit të së miturës M.Shollo dyshohet se është një 18-vjeçar, bashkëfshatar më të.
Bëhet fjalë për 18-vjeçarin F.Hoxhaj, lindur dhe banues në fshatin Ardenicë të Komunës Kolonjë të Rrethit të Lushnjës. Ndalimi i tij është kryer gjatë orëve të para të mëngjesit të së martës. Në një komunikim për mediat, zëdhënësja e policisë së Fierit, Valbona Meço, ka deklaruar arrestimin e 18-vjeçarit F.Hoxhaj si person i dyshuar për përdhunimin e së miturës.
PoliciaBurime të prokurorisë kanë deklaruar se 18-vjeçari i arrestuar prej policisë si autor i këtij akti shtazarak nuk e ka pranuar akuzën, por sipas tyre ekzistojnë prova që hedhin dyshime të forta mbi autorësinë e tij.
Sipas tyre, akuzat mbështeten në dëshminë e së miturës, e cila ka njohur në fotografi 18-vjeçarin F.Hoxhaj si autor të dhunimit të saj. Mes lotësh dhe britmash vajza ka treguar se 18-vjeçari Hoxha ishte autori i dhunimit. Duke qenë se trauma e vajzës ishte e fortë, grupi hetimor nuk ka ngulmuar në dëshmi të tjera, por ka vijuar hetimet me arrestimin e 18-vjeçarit për t’iu rikthyer dëshmisë së vajzës pas përmirësimit të gjendjes shëndetësorë të saj.
Përveç dëshmisë së vajzës, dyshimet mbi 18-vjeçarin për autorësinë e ngjarjes janë shtuar me reagimin e këtij të fundit, i cili që me përballjen e parë me policinë në banesën e tij, pa e ditur qëllimin e ardhjes së tyre, ka nisur shfajësimet në lidhje me përdhunimin. Përveç kësaj, 18-vjeçari është shoqëruar disa herë në polici si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të vjedhjes. Mbi të rëndojnë dhe dyshime të tjera, të cilat do të zbardhen nga analizat e ADN-së, që pritet të realizohen së shpejti. Akuza që rëndon mbi të, edhe pse nuk e ka pranuar abuzimin seksual, është “kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitura”.
Akuzat e rrëzuaraNdërkohë, dyshimet mbi 42-vjeçarin F.Krasniqi kanë rënë jo vetëm pas dëshmisë së vajzës, por edhe pas zbulimit të disa verifikimeve që kanë rezultuar se 42-vjeçari nga fshati Babunjë nuk mund të kryente marrëdhënie seksual për shkak të problemeve shëndetësore. Një fakt i tillë e ka larguar vëmendjen e policisë nga 42-vjeçari, duke kërkuar të tjerë autorë të dyshuar. Mbi 20 persona të zonës janë marrë në pyetje nga policia e Lushnjës deri në orët e vona të ditës së hënë. Këto dëshmi kanë klasifikuar disa figura dhe autorë të mundshëm që shëmbëllenin me atë që skalitej prej dëshmive më të plota. Njohja nga ana e vogëlushes ka mbyllur dhe orvatjet e dyshimeve, duke ia lënë radhën prokurorisë për përfundimin e plotë të hetimeve.
#