E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyshi i mori për xhiro me zetor, vdesin motër e vëlla

Aksidentet Ngjarja tragjike në Shkodër. Një tjetër i vdekur në rrugën Korçë-Pogradec

Tre persona të vdekur, mes tyre dy fëmijë, motër e vëlla, ka qenë bilanci i dy aksidenteve të ndodhura dje në Shkodër dhe në Pogradec. Ngjarja e parë rrugore ka ndodhur mesditën e djeshme, në fshatin Sheldi të Komunës Gur i Zi. Ka qenë ora 12:30 kur një automjet bujqësor tip zetor, që drejtohej nga 68-vjeçari Kel Trushi, është përmbysur në rrugë. Për pasojë, dy nipërit e tij, që udhëtonin me gjyshin, Denis dhe Kledisa Trushi, përkatësisht 8 dhe 10 vjeç, kanë humbur jetën për shkak të plagëve të rënda që kanë marrë. Me gjithë ndihmën e parë që u është dhënë nga banorë të zonës, duke i dërguar me shpejtësi në spitalin rajonal të Shkodrës, dy fëmijët, motër e vëlla, nuk kanë mundur t’i shpëtonin vdekjes. Brenda pak minutash pasi kanë mbërritur në spital, ata kanë ndërruar jetë. Sipas familjarëve të viktimave mësohet se fëmijët kishin shkuar me gjyshin e tyre për të marrë bar të thatë për bagëtitë, pak kilometra larg shtëpisë së tyre. Por gjatë rrugës, për fat të keq, zetori është përmbysur duke shkaktuar dhe ngjarjen tragjike për familjen Trushi nga fshatin Sheldi.

Ndërkohë, 68-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Shkodrës deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes. Burime nga policia bëjnë të ditur se për momentin mendohet që shkak i këtij aksidenti të rëndë mund të jetë bërë përmbysja e zetorit pas kontaktit të gomës së parë me një gur të madh që mendohet të ketë rrëshqitur nga mali. Në të njëjtën kohë policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale deri në përfundimin e plotë të hetimeve dhe zetorin në pronësi të shtetasit Kel Trushi. Ndërkohë, po dje, një 58-vjeçar nga Pogradeci ka gjetur vdekjen në një aksident rrugor në afërsi të Maliqit. Bashkim Gjata ka qenë duke drejtuar automjetin e tij me targa TR8993I, kur ka humbur kontrollin në drejtimin e mjetit dhe ka dalë nga rruga. Aksidenti ka ndodhur në rrugën nacionale Korçë-Pogradec dhe mjeti ka përshkuar disa metra duke kaluar në korsinë tjetër e më pas ka dalë nga rruga. Policia ka bërë të ditur se 58-vjeçari vuante nga diabeti dhe mendohet se ka pësuar krizë ndërsa ka qenë në timon. Ai është gjetur i vdekur në makinë, edhe pse në trup nuk ka pasur dëmtime nga aksidenti. Policia që ka kryer edhe ekspertizën në vendin e ngjarjes nuk ka konstatuar shenja të shpejtësisë së mjetit dhe të frenimit të fortë dhe dyshohet se viktima ka humbur kontrollin për shkak të sëmundjes, duke gjetur edhe vdekjen në mjetin që drejtohej prej tij. Sipas policisë, mendohet se 58-vjeçari ka vdekur duke drejtuar makinën që ka përfunduar në anë të rrugës nacionale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›