Negociatat, Rama e Berisha refuzuan debatin për ekonominë
adi shkembi
Dështojnë tentativat për një debat mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kandidatit për kryeministër, Edi Rama para zgjedhjeve të 28 qershorit. Kur kanë ngelur edhe më pak se një javë nga fushata zyrtare përpara zgjedhjeve, duket se tashmë janë thuajse zero shanset, që dy krerët e partive të mëdha të vihen përballë njëri-tjetrit. Në këtë mënyrë edhe në këto zgjedhje nuk do të prishet tradita e atyre paraardhëse, kur dy rivalët për postin e kryeministrit i janë shmangur ballafaqimit.
Negociatat
Dhoma Amerikane e Tregtisë nisi javën e fundit të muajit maj negociatat me stafet e Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste Rama për të organizuar një debat publik mes tyre, ku në qendër të tij do të ishte pikërisht ekonomia. Ky fakt zbulohet në një shkrim të revistës së Dhomës Amerikane të Tregtisë të presidentit të këtij institucioni, Philip H. Bay. “Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka bërë tentativën e saj të dytë për t’u “ulur” në të njëjtën tryezë me dy liderët më të mëdhenj të politikës në vend, Sali Berisha dhe Edi Rama. Gjithashtu AmCham-i (Dhoma Amerikane e Tregtisë) u përpoq për të përcjellë tek anëtarët dhe te publiku i gjerë në Shqipëri një mesazh të qartë për ato çështje të rëndësishme dhe që shqetësojnë cilindo në Shqipëri si: puna, taksat, rritja ekonomike dhe transparenca”, thuhet në këtë shkrim. Për këtë qëllim, pas ftesës së nisur në drejtim të Berishës dhe Ramës nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, dy krerët e partive më të mëdha dhanë një përgjigje pozitive, pa hezituar, siç thotë Bay në këtë publikim, të shprehin konsideratat e tyre pozitive për formatin e propozuar. Por ajo që nuk kishin vendosur paraprakisht kryeministri dhe kreu i PS-së ishte pikërisht data e këtij debati. “Por fatkeqësisht, dy liderët e politikës kanë anashkaluar një detaj të hollësishëm- atë të përcaktimit të datës së debatit, përpara zgjedhjeve. Ndërsa po dërgonim revistën për publikim dhe pas shumë kumtesash javët e kaluara, asnjëra nga partitë nuk ka rënë dakord për datën e takimit”, vijon më tej publikimi. Siç thotë edhe Bay, ky nuk ishte një refuzim ndaj Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe as ndaj idesë së debatit, por ky refuzim nënvizon faktin se dy liderët e dy partive të mëdha politike në vend nuk janë gati të takohen dhe të ulen në të njëjtën tryezë në publik dhe të flasin me vetëbesim për planet e tyre të ardhshme për Shqipërinë. Katër vjet më parë, një tjetër tentativë e ngjashme e Dhomës Amerikane të Tregtisë u vlerësua nga dy partitë e mëdha, por në fund njëra prej tyre e refuzoi ftesën dhe debati u anulua.
Debatet
Deri tani nuk është zhvilluar asnjë debat mes kryeministrave dhe kandidatëve për kryeministër në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në vend. Megjithëse në periudhën pluraliste janë zhvilluar gjashtë herë zgjedhje të përgjithshme dhe kjo është hera e shtatë, krerët e dy partive të mëdha nuk janë përballur asnjëherë mes tyre. Për të gjetur debatin e fundit për një garë të rëndësishme zgjedhore, duhet të kthehemi nëntë vjet pas, në ato lokale për Bashkinë e Tiranës. I sapohyrë në politikë, pasi kishte mbajtur më parë postin e ministrit të Kulturës, Edi Rama, kandidonte për Partinë Socialiste në garën për Bashkinë e Tiranës, ndërsa përballë tij ishte ish-ambasadori i Shqipërisë në Francë dhe një nga miqtë e kreut të opozitës, Sali Berisha, Besnik Mustafaj. Në prag të zgjedhjeve të vitit 2000 Rama e Mustafaj u përballën mes tyre në një debat në Teatrin Kombëtar dhe i transmetuar direkt nga televizionet. Ndërkohë që debati që mbahet mend më shumë, edhe pse jo në prag të zgjedhjeve, ishte ai i vitit 2002 mes kryeministrit të asaj kohe, Fatos Nano dhe kryetarit të opozitës, Sali Berisha, debat që pak muaj më vonë çoi në zgjedhjen me konsensus të Presidentit Alfred Moisiu.